BE-ja distancohet përsëri nga Viktor Orban, Josep Borrell: Hungaria nuk ka marrë mandat nga Këshilli për…

Jul 7, 2024 | 11:45
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është qortuar përsëri nga shefi i Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme, Josep Borrell, pasi mori pjesë të shtunën në një takim të Organizatës së Vendeve Turkfolëse (OTS) në Azerbajxhan.

orban borrell

Ditë më parë, Brukseli, vendet e BE-së, Shtetet e Bashkuara dhe Kievi e kritikuan Orbanin, pas vizitës së tij në Moskë, ku u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, të premten.

Orbani e takoi Putinin një kohë kur Hungaria mban kryesimin me rotacion gjashtëmujor të presidencës së Këshillit të BE-së.

Zyrtarët e BE-së e kritikuan ashpër vizitën e tij befasuese, duke thënë se ajo kërcënon ta minojë qëndrimin e BE-së për luftën në Ukrainë dhe thanë se Orbani nuk shkoi atje si përfaqësues i Brukselit.

Pjesëmarrja e Orbanit në samitin joformal të OTS-së në Azerbajxhan të shtunën ishte një ngjarje tjetër ku ai e përfaqësoi Hungarinë dhe jo Bashkimin Evropian, tha Borrell.

“Hungaria nuk ka marrë mandat nga Këshilli i BE-së për t’i shtyrë përpara marrëdhëniet me Organizatën e Shteteve Turkfolëse”, tha Borrell në një komunikatë.

“A nuk lejohemi të kemi darkë, apo kemi nevojë për një mandat të EUCO [Këshillit të BE-së] edhe këtë këtë?” shkroi drejtori i tij politik në X, pas vizitës në Moskë.

BE-ja i ka kundërshtuar përpjekjet e OTS-së për ta legjitimuar Republikën Turke të Qipros Veriore duke e pranuar si anëtare vëzhguese, tha Borrell.

Ishulli i Qipros është i ndarë tash e shumë dekada mes Republikës së Qipros grekfolëse, e njohur ndërkombëtarisht, e cila është edhe anëtare e BE-së, dhe Republikës Turke të Qipros Veriore turkfolëse, e njohur vetëm nga Ankaraja.

OTS-ja është organizatë ndërkombëtare që sjell së bashku vendet ku flitet turqishtja. Ajo u themelua më 2009 nga Turqia, Azerbajxhani, Kazakistani dhe Kirgistani.

Hungaria u bë anëtare vëzhguese e saj në vitin 2018./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura