Berisha: Segmenti Ibë-Elbasan, 430 milionë euro për 7 kilometra! Rama mendon si të legalizojë drogën dhe paratë e krimi, duhet të ishte në burg

Jul 13, 2022 | 9:12
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Vera nuk do të jetë e qetë për kryetarët e rinj të degëve të PD-së. Berisha mblodhi dje në selinë blu kryetarët e degëve të Tiranës ku u komunikoi se protesta e 7 korrikut ishte vetëm fillimi.

WhatsApp Image 2022-07-12 at 7.09.53 PM

Ndaj ai u kërkoi krerëve të degëve që hapi i radhës është që të dalin përtej strukturave partiake, por të takohen me qytetarët dhe të diskutojnë me ta problemet e tyre dhe mundësinë e reagimit. Lideri i PD-së porositi strukturat që pushimet të jenë të kufizuara dhe të merren me koordinimin e punëve në degë.

“Të përgatitemi për t’i dhënë përgjigjen më të merituar. Rikardo Hausman, miku i ngushtë i George Soros, është arkitekti i reformave në Shqipëri dhe Sri Lanka. A e dini që ky shkruan artikuj? Ky zotëri shkruan artikuj ‘Mrekullia e Edi Ramës’, nëpër botë. Dhe paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë përmes George Soros. Burime të tjera më kanë deklaruar se paratë janë të taksapaguesve shqiptarë, 8 mln, 7 mln. I njëjti ishte me Sri Lankën”, tha Berisha duke shtuar se me aferat që kanë ndodhur në Shqipëri referuar inceneratorëve dhe tenderëve me 99.9% të fondit limit Kryeministri duhet të ishte në burg. “Kur do t’i dalim zot siç duhet t’i dalim vjedhjes dhe shpërdorimit të një regjimi monist. Sa do lejojmë ne që të vazhdojnë të vjedhin dhe varfërohen qytetarët shqiptare. Ne jemi përgjegjës. Nëse opozita do kishte qenë në lartësinë duhur, Edi Rama nuk duhet të ishte në pushtet, por në burg për vjedhje që ka bërë. I dënuar ndoshta edhe me 50 vjet duke ia mbledhur së bashku.

Ky është realiteti”, tha Berisha. “PD, në 8 vite në pushtet, ka rritur borxhin 4.4% dhe me atë borxh janë ndërtuar 11 mijë metra rrugë, janë dyfishuar rroga e pensione dhe vendi ka kaluar nga grupi i vendeve me të ardhura të ulët në atë me të ardhura të mesme-të larta dhe prapë them se ka pasur korrupsion. Po jap vetëm një shembull, rrugën Ibë-Elbasan. Kur kam dorëzuar çelësat e pushtetit, rruga ka qenë e prokuruar me 250 milionë euro, ka qenë e përfunduar komplet Ibë-Elbasan dhe ka qenë trase e hapur IbëTiranë. Sa kanë shkuar ato 7 km? Ka shkuar rruga 430 milionë euro për 7 kilometra. Ky Xhika, ish-drejtori i Rrugëve, që e arrestuan… Çfarë bëri ai? Për këtë rrugë solli në Parlament shtesë kontrate 5 milionë euro dhe e liruan”, u shpreh Berisha.

RRJETET SOCIALE

Një tjetër porosi jo e zakontë për kryetarët e degëve ishte aktivizimi i tyre në rrjete sociale. Kryedemokrati kërkoi prej kryetarëve të degëve që të denoncojnë dhe të shprehin çdo shqetësim në rrjete sociale, pasi sipas tij komunikimi është shumë i rëndësishëm, ndonëse s’është hallka e vetme për të ardhur në pushtet. “Bota është e dyfishtë. Virtualja dhe realja. Për herë të parë pas 4 vitesh ne ishim shumicë, dominuam në mediat sociale. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por përsëri jo për meritë të aktivitetit tonë dixhital, por për meritë të aktivitetit tonë të protestës dhe mediatike. Ne duhet të përmbysim tërësisht situatën në rrjetet sociale. Ne duhet të dominojmë. Treguesit janë shumë të mirë.

Ne duhet ta vlerësojmë këtë. Si numër kundërshtari ynë ka shumë më tepër se ne. Por ne kemi nevojë dhe mund të bëhemi 3-fishi i tij. E kam kërkuar dhe e kërkoj nga ju dhe ju duhet ta kërkoni pranë anëtarësisë sonë. Duhet të shfrytëzojmë maksimalisht rrjetet sociale. E dëgjoni shpesh që nuk fitohet në FB. Fitorja është komplekse. Edhe unë them që nuk fitohet pa FB, por edhe pa komunikim nuk fitohet. Mos dëgjoni ata që thonë se nuk fitohen zgjedhjet me ‘Facebook. Nuk është normale kjo. Komunikimi është një gjë shumë e rëndësishme”, tha Berisha.

“SPAK-U PO MBRON QEVERINË E EDI RAMËS”

Në bashkëbisedimin me kryetarët e degëve të PD-së në Tiranë, kryedemokrati Berisha akuzoi SPAK se po mbron qeverinë e Kryeministrit Rama duke mbyllur aferat. “Kjo qeveri duhet të ikë dhe s’mund ta mbrojë më SPAKU këtë qeveri. Do përballet me popullin. Dhe duhet të shpjegoni që SPAK është bërë kapaku i vjedhjeve. Ka 4-5 muaj që ka dalë afera e inceneratorëve. Çdo ditë, ata Veliaj me Zoton, marrin 80 mijë euro nga qytetarëve. Si mund t’ua japin paratë njerëzve në kërkim. Ia jep sepse ata kanë në thes Agaçin, Ramën, Ahmetin e Velinë. Në Elbasan u vra mjeku. E përshkruar me saktësi ngjarja, oficeri i RENEA-s dhe forcave Speciale ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes. Shiko çfarë drejtësie e shëmtuar. Nuk e dimë nga kanë ardhur gëzhojat e tjera, por dënojmë këtë njeri”, tha Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura