Berisha, vizitë në Izrael me ftesë të Netanjahut

Nov 20, 2011 | 13:15
SHPËRNDAJE

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha u nis sot për një vizitë zyrtare treditore në Izrael, me ftesë të Kryeministrit Benjamin Netanyahu. Sipas zyrës për shtyp të kryeministrit mësohet se Berisha do të ketë bisedime me autoritetet më të larta në Jerusalem, si dhe takime me komunitetin e biznesit izraelit, në Tel Aviv.

Në ditën e parë të vizitës së tij, Kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin Shimon Peres. Kryeministri Berisha do të takohet me Kryeministrin Netanyahu, takim i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp.

Takime të veçanta Kryeministri Berisha do të ketë me dhe Kryetarin e Knesset (Parlamentit) Reuven Rivlin, Zëvendëskryeministrin Dan Meridor, ministrin e Jashtëm Avigdor Lieberman dhe ministrin e Infrastrukturës Uzi Landau.

Kryeministri do të zhvillojë një vizitë edhe në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë, ku do të mbajë një fjalë me temë “ Të drejtët mes kombeve – Historia e miqësisë së Shqipërisë me hebrenjtë dhe shtetin hebre”.

Në ditën e tretë të vizitës, Kryeministri Berisha do të zhvendoset në Tel Aviv, ku do të përshëndesë punimet e Forumit Ekonomik Shqipëri-Izrael, i cili i jep një mundësi shumë të mirë për t’i prezantuar biznesit izraelit zhvillimet ekonomike të Shqipërisë dhe potencialet e saj të mëdha për investime, si dhe për të nxitur bashkëpunimin midis sipërmarrjes izraelite dhe asaj shqiptare. Kryeministri do të takohet gjithashtu, me përfaqësues të kompanive izraelite.

Një moment i veçantë i vizitës për Kryeministrin do të jetë edhe ceremonia e dhënies së titullit “Anëtar nderi”, nga Shoqata Shqiptaro-Hebraike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura