LILI SULA
Shkrimtarët e mëdhenj kanë institutet e kërkimit, bibliografët e biografët e tyre, të cilët jetojnë paralelisht me njeriun dhe veprën. Bibliografia e krijimtarisë së Ismail Kadaresë, autorit unikal të letërsisë shqipe, me veprimtari të gjerë kohore dhe hapësinore, me krijimtari të botuar në 45 gjuhë të botës, gjatë një periudhe mbi 60-vjeçare, do të përbënte, për cilindo, një sfidë jo të lehtë.
Bibliografia është punë e një grupi specialistësh, përgjithësisht të organizuar në projekte afatgjata. Për më tepër, kur është fjala për shkrimtarë të nivelit botëror, siç është I. Kadare – hartimi i bibliografisë do të kërkonte një ekip specialistësh, me punë kërkimore përtej vendit tonë, në shtete të ndryshme të Europës dhe të botës – atje ku është botuar vepra e tij. Ndërmarrja e një pune të tillë, si nismë fillimisht vetjake, të përball jo me pak sfida; e dëshmon këtë libri “Kadare, bibliografi”, vepra I, e studiueses së re Jorina Kryeziut (Shkreta), botuar nga shtëpia botuese “Pegi”.
Punimi vjen si rezultat kërkimesh e hulumtimesh disavjeçare, në vendin tonë e më tej, pa një traditë të mëparshme bibliografike për krijimtarinë e autorit. Edhe burime të tërthorta informacioni të shfrytëzuara (Bibliografitë retrospektive të librit shqip dhe Bibliografitë retrospektive të artikujve të periodikut shqip) janë pasuar nga një proces i gjatë verifikues, duke kaluar thuajse çdo ekzemplar nëpër duar; e njëjta gjë ka ndodhur edhe me librin “Kadare në gjuhë të botës”, të profesor Bashkim Kuçukut.
Punimet bibliografike synojnë të jenë shteruese, por të punosh për një bibliografi shteruese është si të biesh në “gracën” për të mos e përfunduar kurrë atë. Edhe në kuptimin teorik e praktik, është e pamundur të regjistrosh gjithçka për një shkrimtar të përmasave siç është I. Kadare. Libri në fjalë synon një bibliografi gjithëpërfshirëse, duke qenë i hapur për pasurime e regjistrime të reja, sugjerime e informacione nga bashkëpunëtorë, kolegë e studiues të Kadaresë etj. Me idenë e gjithëpërfshirjes, edhe pse jo të formatit të librit tradicional, autorja J. Kryeziu (Shkreta) ka përfshirë në këtë punim edhe botime e materiale alternative, si ato audiovizuale, e-Book, ekranizimet e romaneve të Kadaresë, DVD-të, piano partiturat etj. Nga ana tjetër, bibliografitë “vjetrohen”, “plaken shpejt”; me botimin e tyre, u hiqet mundësia veprave të reja të autorit të përfshihen në të, kështu që lind nevoja e përditësimit të herëpashershëm. Në këtë kuptim, bibliografitë janë vepra të hapura, të cilat kohë pas kohe duhet të pasurohen me botime e informacione të reja.
Bibliografitë janë libra që i drejtohen lexuesit elitar apo një rrethi të ngushtë lexuesish; bëjnë pjesë këtu studiuesit e shkrimtarit dhe ata të letërsisë shqipe, rrethet universitare e akademike, studentët e niveleve të larta të studimit. Bibliografitë janë libra pune, libra tavoline, të ngjashëm me përdorimin e fjalorëve e të enciklopedive, të cilave lexuesi u drejtohet kohë pas kohe, pa pretenduar shfrytëzimin e tyre përfundimtar. Funksioni kryesor i bibliografisë është ai utilitar, prandaj një prej sfidave të këtyre punimeve ka të bëjë me mënyrën e shfrytëzimit të saj, me synimin për ta bërë atë sa më lehtë të përdorshme. Për këtë arsye, rëndësi të veçantë merr organizimi strukturor i lëndës. Bibliografia e veprës së Kadaresë është strukturuar në tri pjesë dhe në mjaft tregues përmbajtjesorë e formalë. Interes të veçantë për lexuesin, por edhe për studiuesit, në pjesën e parë, përbën dhe vepra e botuar në gjuhë të huaj, e cila rezulton në një numër të madh titujsh, në shtrirjen kohore 1966-2010. Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i përkthyer në botë, përfaqëson letërsinë shqipe në shumë areale gjuhësore. Nga të dhënat e grumbulluara, evidentohet se deri më 2010-n, vepra e tij është përkthyer në dyzet e tre gjuhë të botës – pas këtij viti rezulton e përkthyer edhe në gjuhë të tjera, si në gjuhën sinhalese. Ende pa botuar vëllimin e parë në shqip, “Frymëzime djalorashe” (1954), në moshën 17-vjeçare, Ismail Kadare përfshihet me poezinë “Miqësia” (Äðóæáà), në antologjinë ruse “Albanskaja vesna: stihi sovremennih albanskih poetov”, botuar në Moskë e Leningrad, në vitin 1953. Vepra e parë që qarkulloi përtej kufijve shqiptarë, në gjuhë të huaj, është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, përkthyer në vitin 1966, në bullgarisht, nga Maria Marinova, Ãåíåðàëúò íà ìúðòâàòà àðìèÿ (Generaltna mrtvata armija), botuar në Sofje. Pas këtij përkthimi, vepra e I. Kadaresë bëhet e njohur në Perëndim, me përkthimin e saj në frëngjisht e më pas vijojnë publikime në gjuhë të tjera, si: anglisht, arabisht, çekisht, danisht, esperanto, estonisht, finlandisht, flamandisht, greqisht, gjermanisht, hebraisht, holandisht, hungarisht, indonezisht, italisht, japonisht, katalanisht, kinezisht, koreanisht, kroatisht, letonisht, maqedonisht, norvegjisht, persisht, polonisht, portugalisht, rumanisht, rusisht, serbisht, sllovakisht, sllovenisht, spanjisht, suedisht, turqisht, vietnamisht, në gjuhën arumune, në gjuhët afrikane, indiane etj. Për lehtësi përdorimi e shfrytëzimi të gjithë titujt në gjuhë të huaj janë paraqitur në alfabetet origjinale, të gjuhëve burimore dhe, më pas, si një variant të dytë leximi dhe përdorimi janë dhënë edhe në alfabet latin. Punimi sjell të dhëna të rëndësishme për përkthimet, të cilat nuk janë kryer prej gjuhës burimore, por kryesisht prej frëngjishtes ose dhe gjuhëve të tjera. Përveç të dhënave të detajuara, në lidhje me veprën në gjuhë të huaj, është paraqitur edhe gjuha prej nga është përkthyer vepra.
Pjesë shumë të rëndësishme të strukturimit të lëndës përbëjnë gjashtëmbëdhjetë treguesit e saj. Përmes çelësave lëndorë janë organizuar një sërë treguesish tipologjikë (treguesi i veprës në gjuhën shqipe, i prozës së shkurtër, i poezive, treguesi i veprës në gjuhë të huaj, treguesi i gjuhëve në të cilat është përkthyer, i shtëpive botuese, treguesi gjeografik, treguesi i krijimtarisë në periodik, i organeve të shtypit etj.), të cilët mundësojnë përdorimin me thyerje, segmentar e retrovers të zërave bibliografikë. Kështu, për shembull, treguesi i përkthimeve të kryera prej Ismail Kadaresë jep të dhëna të plota mbi shqipërimet e tij, një fushë pak e studiuar kjo deri më sot. Është me interes fakti që përkthimi i parë i shkrimtarit Ismail Kadare daton më 1955-n. Është fjala për shqipërimin e disa vjershave, si: “Lisi”, “Fëminija”, “Në pyllin afër fronit”, “Katjusha”; “Pranvera” etj., të poetit rus M. Isakovski. Autorë të tjerë të letërsisë botërore, të shqipëruar prej shkrimtarit I. Kadare, shënojmë: Eskili, Ernest Hemingëay, Aleksandër S. Pushkin, Vladimir Majakovski, Mihai Eminescu, Nikolai Gogol, Sergej Esenin, Sergej Mihallkov, Stepa Shçipaçov, Adam Micikieviç, Alain Bosquet, Blaise Cendrars, Charles Baudelaire, F. K. Andrade, Fransua Vijon, Frensia Kejler, Jorgo Seferis, Kostandin Kavafis, Odiseas Elytis, Li Bo, Du Fu, Jan Czjun etj.
Teorikisht, punime të tilla bibliografike, me një larmi lëndore e tematike të spikatur, u nënshtrohen disa parimeve strukturore, që njihet ndryshe si sfida të unifikimit të parimeve. Bibliografia duhet të ndjekë e të zbatojë të njëjtat parime nga fillimi i punës e deri në fund të saj. Rrëshqitja nga një parim në një tjetër, i cili në një fazë të caktuar mund të gjykohet si më funksional, dëmton punimin në tërësinë e tij dhe, ajo që është më e rëndësishme, cenon funksionin e saj utilitar. Libri “Kadare: bibliografi”, vepra I, mbështetet në kriterin kronologjik, duke përfshirë zanafillën e botimeve të shkrimtarit, vitin 1948, e duke vijuar deri në vitin 2010. Bibliografitë janë kryesisht dy tipash: regjistrative dhe me adnotime. Bibliografia na vjen si regjistrative por, për të dhënë informacion sa më të plotë, për botimet e ribotimet e veprave të I. Kadaresë, është pasqyruar edhe struktura përmbajtësore e tyre. Vëllimi i parë i bibliografisë përmban 2500 zëra bibliografikë, thënë ndryshe, shprehur si raport sasior, Kadare përfaqësohet në shqip dhe në gjuhë të huaj me rreth 40 botime në vit. Periudha kohore njëvjeçare ose dhe më tepër, kur shkrimtari Kadare nuk ka botuar, janë pasqyruar si zona të bardha publikimi, që besojmë se përbëjnë interes për studiuesit.
Edhe pjesa e dytë e punimit, Kadare në shtypin e shkruar, në shqip e në gjuhë të huaj, paraqet interes të veçantë për përdoruesit e bibliografisë, për një sërë të dhënash që dalin nga qindra e mijëra shfletime faqesh ndër periodikë. Përfshihen këtu shkrime të rinisë së hershme të autorit, që zënë fill në vitin 1948, kohë kur shkrimtari ishte nxënës në shkollën shtatëvjeçare “Koto Hoxhi”, në Gjirokastër, e deri te shkrimet e ndryshme të vitit 2010. Kështu, proza e parë e shkurtër e I. Kadaresë i përket vitit 1949, kur shkrimtari 13-vjeçar boton në numra të ndryshëm të revistës “Pionieri”, të Tiranës, tregimet për fëmijë “Dhurata më e çmuar” dhe “Zadrimasi i vogël”. Intervista e parë e shkrimtarit në shtypin e shkruar i përket vitit 1971, ku në revistën “Ylli”, nën titullin “Katër pyetje – katër përgjigje”, Ismail Kadare ka folur lidhur me romanin e tij të fundit, të asaj kohe, “Kështjella”. Përmasat e veprës së Kadaresë duken edhe në larminë tipologjike të botimeve në periodikun shqip e në gjuhë të huaj, si: poezi, poema, tregime, novela, fragmente nga romanet – fejtonet, drama, pjesë teatrale, skica etj.; përshkrime; reportazhe; shënime udhëtimi; shkrime publicistike; përkthime; kritika për letërsinë e për artin; artikuj rreth problemeve të artit e të kulturës; artikuj rreth gjendjes politike e ekonomike të vendit; artikuj për probleme të përgjithshme etj.
Interes të veçantë për studiuesit e gjenetikës tekstuale, paraqet një nga praktikat e veçanta krijuese të I. Kadaresë, i cili një pjesë të prozës së tij romanore e ka botuar fillimisht si tregime ose novela në organe periodike të kohës. Kështu, për shembull, romani i famshëm “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është botuar fillimisht (1962) si tregim në revistën “Nëndori” dhe në gazetën “Zëri i Rinisë” të Tiranës.
Bibliografitë janë punime që u shërbejnë të tjerëve, megjithëse shpesh janë paragjykuar, nën cilësimin punë mekanike. Mendoj se këto lloj punimesh duhet të gëzojnë statusin studime bibliografike, pasi përfshijnë në periudha disavjeçare punë të mirëfilltë kërkimore e hulumtuese, duke shfletuar, verifikuar, zbuluar e njohur burime të shumta informacioni, duke hasur në mospërputhje të dhënash, e duke rrëmuar manualisht dhe elektronikisht për të verifikuar se cila prej të dhënave është e sakta, si dhe duke hartuar klasifikime të ndryshme të krijimtarisë së autorit – të gjitha këto, të marra së bashku, së pari, të japin mundësinë e një njohjeje tërësore të krijimtarisë së shkrimtarit, duke të siguruar statusin e studiuesit të tij dhe, së dyti, të njohin me standardet bibliografike, metodat kërkimore si dhe ndërtojnë një sistem të dhënash shumë të vlefshëm për studime objektive shkencore të mëpasme.
Me botimin e bibliografisë së krijimtarisë së Ismail Kadaresë, besoj se po krijohet një traditë e hartimit të bibliografive të autorëve tanë, traditë kjo, që duhet të shkojë më tej, me shkrimtarë të tjerë shqiptarë. (Kam parasysh këtu edhe bibliografinë e kritikës së Gjergj Fishtës, atë të Dritëro Agollit etj.)
Libri “Kadare: bibliografi”, vepra I, dëshmon se dëshira dhe pasioni për të realizuar punime individuale, tejkalon mundësitë ekonomike. Ky botim është mundësuar financiarisht prej autores, gjë që tregon jo mundësitë e mëdha financiare të saj, por pasionin dhe dashurinë me të cilën është punuar për ta finalizuar këtë fazë të parë të projektit. Ndërkohë, këto punime do të kërkonin mbështetje institucionale, edhe në rrafsh të mbështetjes financiare, gjë që shpresojmë ta gjejmë në fazën e dytë të projektit, në botimin e vëllimit të dytë, “Kadare: bibliografi, studime mbi të”. Po punojmë fort, që vëllimin e dytë ta përmbyllim brenda këtij viti, duke shpresuar që libri të jetë në duart e lexuesit në 80-vjetorin e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare.
(*Kuratore e librit, pedagoge në Fakultetin e Histori-Filologjisë)