Biblioteka që nxori akademikë të shquar, por mbeti pa vlerësim shtetëror

Jul 24, 2024 | 7:51
SHPËRNDAJE

Hyqmet ZaneNGA HYQMET ZANE

Në radhën e institucioneve që e kanë lartësuar jo vetëm Elbasanin, por edhe kombin, biblioteka publike “Qemal Baholli” zë një vend nderi në këtë drejtim. Mësuesia dhe libri të cilin e kanë përvetësuar mijëra nxënës e studentë të qytetit dhe të ardhur kanë qenë shtyllat e kësaj biblioteke dhe Elbasanit, një qyteti që siç thuhet “në kërthizë të Shqipërisë”, që i dha kombit vlera të papërsëritshme. Në Elbasan u parapri Pavarësia, në Elbasan u ngrit Naormalja, Universiteti i Parë shqiptar, në Elbasan u mblodh Kongresi arsimor, në Elbasan u ndërtua si dhuratë e familjes së Nazif Bahollit, biblioteka që mban emrin e të birit të tij “Qemal Baholli”; nga Elbasani u nisën në të gjitha trojet shqiptare rreth 400 mësues për hapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe, në Elbasan jetoi babai i gjuhës shqipe, Kostandin Kristoforidhi dhe më herët edhe Dhaskal Todri, nga ky Elbasan dolën akademikët e shquar që nga Aleksandër Xhuvani e deri te Mahir Domi, që nga Aleks Buda e deri te Ylli Popa (këta të dy edhe kryetarë të Akademisë së Shkencave), nga ky Elbasan dolën personalitete si Aqif pashë Biçakçiu me të birin Ibrahimin dhe Lef Nosi, por edhe sa e sa personalitete të tjerë. Që të gjithë këta studiuan dhe morën dritë në Bibliotekën “Qemal Baholli”. Edhe unë, shkruesi i këtyre fjalëve, në këtë bibliotekë gjeta veten dhe përmes librit pata fatin të isha një njeri me vlera në radhën e intelektualëve që kanë studiuar në këtë bibliotekë.

SI LINDI IDEJA PËR NDËRTIMIN E KËSAJ BIBLIOTEKE

Duhet thënë se këtij vendi dhe këtij qyteti nuk i munguan edhe njerëzit me shpirtin e madh, që pasuritë e tyre i vunë në shërbim të arsimimit, kulturës dhe zhvillimit. Një nga ata ishte edhe Nazif Baholli, i cili për nder të djalit të tij, që i deshi shumë librat, i dhuroi qytetit të tij Elbasanit një vepër kulture, bibliotekë, shumë të domosdoshme, për të përjetësuar dëshirën e madhe të djalit të tij, që vdekja i preu jetën në lule të rinisë për të çuar në vend dëshirën e Qemal Bahollit për librat dhe për ta bërë të pavdekshëm duke e kujtuar edhe sot pas 90 vjetësh, për gjestin e madh që duhet ta kemi zili edhe ne sot për të bërë më shumë. Vitet vërtet kalojnë, pluhuri i harresës mundohet të mbulojë gjithçka, por janë pikërisht detyra e komuniteteve dhe të kombeve që duhet t’i kujtojnë këto vlera madhore. Si mund të harrojmë në plejadën e madhe të intelektualëve elbasanas që i kanë dhuruar ndër vite libra bibliotekës, që e kanë pasuruar dhe e kanë bërë një portë të fuqishme dijeje, ku mëson dhe merr informacionin e duhur. Si mund të harrojmë: Tahsim Myftin, Sif Nosin, Frederik Nosin, Alfons Nosin, Ali Myftiun, Thanas Floqin, Filip Papajanin, Ibrahim Daklin, Nos Ndrian, Halil Lamçen, Qamil Guranjakun, Besim Qorri etj., etj., të cilët i dhuruan libra bibliotekës, pasuruan bibliotekën me kontributin e tyre të vyer, duke e bërë atë një vepër që sot e kësaj dite është një vatër promovime vlerash. Përpjekjet e elbasanasve për librin dhe bibliotekën i sheh kudo në thellësitë e shekujve, i sheh me përpjekjet e tyre për dije, zhvillim dhe kulturë, i sheh me dëshirën për paqe dhe mirëkuptim, me dëshirën për tolerancë dhe bashkëjetesë qytetarë dhe tërë këto t’i ka sjellë vetëm dëshira për dije dhe zhvillim. Intelektualët dhe patriotët elbasanas ecën së bashku me të gjithë patriotët shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut deri sa arritën qëllimin e madh të Pavarësisë dhe të Shtetit Shqiptar. Kjo bibliotekë është vepër bamirësie e familjes së të ndjerit Nazif Baholli, i ardhur nga Dibra dhe vendosur në Elbasan rreth viteve 1880. Më 1 dhjetor 1929 ndërron jetë një nga djemtë e tij, Qemali, ish-nxënës në maturë në Liceun e Korçës. Në përkujtim të të birit, Nazifi, si patriot me ide përparimtare, pati idenë të ngrinte në Elbasan një bibliotekë publike, duke e emërtuar me emrin e të birit “Qemal Baholli”.

Për ngritjen e bibliotekës ka shpenzuar para nga pasuria e familjes. Kryesia e “Klubit të intelektualëve” të qytetit e falënderoi publikisht Nazif Bahollin për këtë akt bamirës. Për fat të keq, Nazifi vdiq shumë shpejt dhe veprën e tij e vijuan dy djemtë e tjerë, Hyqmeti dhe Nazmiu, të cilët patën përkrahjen e plotë të bashkisë dhe të familjeve intelektuale elbasanase.

Themelet u hodhën në vitin 1931 dhe mbaruan më 1934. Për një vit u bë pasurimi me libra, ku kanë ndihmuar përsëri familja Baholli, familjet elbasanase, intelektualë të qytetit, ambasadat e huaja të akredituara në vendin tonë dhe veçanërisht Oborri Mbretëror.

Në fondet e saj fillimisht u futën 1.000 materiale bibliotekare. Festa e inaugurimit u organizua më 21 korrik 1934. Prej datës së inaugurimit, biblioteka merr titullin “Biblioteka Qemal Baholli”, e cila është një ndër të para institucione në Shqipëri.

Në këtë bibliotekë, në fillimet e saj e deri më tani kanë hyrë rreth 200 mijë vëllime: libra e periodikë – 158.341 dhe pjesa tjetër janë botime në gjuhë të huaj, si dhe koleksione periodiku. Kjo bibliotekë radhitet ndër më të pasura të vendit me literaturën e orientalistikës, me fondin e periodikut të vjetër dhe mbi të gjitha me fondin me vlera të veçanta albano-balkanologjike. Periodiku më i vjetër është revista “Fiamuri i Arbrit” i De Radës – 1883. Më pas pasohet nga “Albania” e F. Konicës, “Dituria”, “Liria “e L. Skëndos, “Dielli”, “Vellazënija”. Një pjesë e mirë e këtyre periodikëve i dedikohen intelektualit të mirëfilltë elbasanas, z. Lef Nosi. Edhe bërthama e fondit Albanologjisë është nga biblioteka personale e Lef Nosit. Libri më i vjetër i këtij fondi është libri me “Luftrat iliro-romake” shkruar në latinisht nga historian greko–latin A. Appian është botuar në Venecia më 1526. Kurse libri më i vjetër në gjuhën shqipe është librin “Doktrina e Krishterë” botim i vitit 1664, përkthyer nga Pjetër Budi. Është kjo arsyeja që në këtë bibliotekë kanë studiuar ndër vite personalitete të fushave të ndryshme të shkencës, shumë akademikë si: Aleksandër Xhuvanin, Aleks Buda, Mahir Domi, Kostaq Cipo, Shyqyri Demiri, Ylli Popa, Neritan Ceka, Mehmet Gjevori që shkoi në Kosovë, Mehmet Celiku, Emine Sadiku etj., etj.. Në këtë bibliotekë kanë studiuar edhe normalistë nga Çamëria, që vazhdonin Shkollën Normale dhe që ishin mësuesit e parë në shkollat që u hapën në Çamëri me ndikimin e Mbretit Ahmet Zogu I. Në këtë bibliotekë ndodhet edhe fondi i gazetës “Ku vemi?” dhe materiale të punës ndër vite të Salih Çekës. Ndoshta kjo kujtesë do të ishte motiv që personalitetet e larta të shtetit ta nderonin me dekorime këtë vepër madhore jo vetëm si ndërtesë, por edhe familjen Baholli të lënë në hijen e harresës. Para disa muajsh këtë bibliotekë historike e nderoi edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, që u mahnit me fondin e madh dhe pasurinë e kësaj biblioteke. Potenciali i vlerave të një biblioteke më e vjetra në Shqipëri e ngritur enkas për bibliotekë nuk ka asnjë vlerësim, në një kohë që kanë dalë personalitete të vlerave madhore nga kjo bibliotekë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura