Bienalja e Venecias, artisti Lulaj: S’flas për Shqipërinë, kam standarde të larta

May 11, 2015 | 18:01
SHPËRNDAJE

Bienalja e Venecias është një vend i shkëlqyer takimesh. Atje mund të takosh artistë që i ke dëgjuar vetëm si emra, shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit, që i ke takuar dikur në Tiranë e janë kuriozë të dinë se ç’ndodh në Shqipëri. Të tjerë që të shtrëngojnë dorën, edhe pse nuk të njohin personalisht, por respektojnë prezencën tënde aty…

Armando Lulaj

I vetmi i pakënaqur nga prezenca e atyre pak mediave shqiptare në këtë aktivitet, ishte pikërisht artisti që përfaqësonte Shqipërinë në Bienalen e Venecias, Armando Lulaj. Duke e quajtur me vend, që duke qenë në Venecia, i duhet marrë patjetër një përshtypje edhe artistit, iu drejtuam Lulajt, i cili deri në ato momente nuk ishte treguar aspak qibar për të folur për mediat e huaja (pavarësisht se çfarë mund të ishin ato).

Pasi të shtrëngon dorën, kërkesës për një intervistë, Lulaj, i cili pretendonte të rrëmbente “Luanin e artë” të Venecias, i përgjigjet në mënyrë shokuese: “Nuk flas për Shqipërinë!” Të ndodhur pak ngushtë se ndoshta nuk e kishim dëgjuar mirë atë çka tha artisti apo se mos mediat që ne përfaqësonim (“Panorama” dhe “Top Channel”) dikur i kishin bërë ndonjë “padrejtësi”, e pyesim se çfarë ka ndodhur dhe artisti vazhdon të thotë se nuk flet për asnjërën nga mediat në fjalë, madje se nuk flet për shqiptarët.

“Kam standarde të larta, kam standardet e mia”. Kjo ishte përgjigjja e Armando Lulajt, i cili përfaqëson Shqipërinë, por që nuk pranon të flasë për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse ka standarde më të larta se ato. Armando Lulaj, i cili ka konkurruar me dëshirën e vet për të përfaqësuar Shqipërinë, madje nga sa mësojmë, ka bërë të pamundurën të jetë fitues, e konsideron veten më të madh se vendi që përfaqëson.

Armando Lulaj harron se përfaqëson një shtet dhe nuk është në Venecia si një individ. Armando Lulaj harron se për të realizuar projektin me të cilin ai u paraqit në Bienale, janë shpenzuar 170 mijë euro, të cilat janë para të taksapaguesve dhe nuk di se çfarë standardesh ka artisti Lulaj kundrejt parasë.

Nëse artisti ka standarde më të larta se ato të Shqipërisë, do kishte bërë mirë të përfaqësonte ndonjë shtet tjetër, që u përgjigjet standardeve dhe tekave të tij krijuese. Në këtë rast, as ne nuk do ta shqetësojmë më me standardet tona modeste.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura