Bilbil Klosi: Dënime më të rrepta se Kodi Penal sovjetik

May 1, 2013 | 11:18
SHPËRNDAJE
20 mars 1943, themelohet Shërbimi Informativ Komunist, 1943-1944, njihet si Shërbimi Informativ i Luftës, tetor 1944,
quhet Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, mars 1946 DMP përfshihet në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Muzeu Kombëtar promovoi albumin “Terrori komunist”

Në faqet e botimit, dënime me vdekje me ose pa gjyq, foto vrasjesh makabre në kufi.

Shumica e dokumenteve mbyllen me vendimin fatal: Pushkatim!  Krahë tyre burra e gra me fytyra të hequra, të shpërfytyruar, të lidhur me pranga, para trupit gjykues, të tjerë para togës së pushkatimit apo të vrarë pranë kufijve… Qindra fotografi e dokumente të 50 viteve diktaturë vijnë përmes albumit “Terrori komunist në Shqipëri”, botim i Muzeut Historik Kombëtar. Albumi, i cili mbështetet në materialet e ekspozuara në pavijonin me të njëjtin titull në MHK, u prezantua dje, nën prezencën e dhjetëra ish-të përndjekurve politikë, njerëzve që kanë vuajtur mbi shpinë terrorin komunist apo që kanë humbur njerëzit e tyre. I pranishëm ishte edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, një prej 17900 shqiptarëve që vuajtën në burgjet komuniste. “E shkuara nuk ndreqet dot, e tashmja po, në shërbim të të ardhmes. Së pari të mos t’i lëmë vend mes nesh antinjeriut. Ne, personazhet e këtij albumi, bashkë me ata që nuk janë përfshirë dot në të, bashkëvuajtës të shumtë, i përkasin lirisë dhe demokracisë së këtij vendi, si pararojë e gjakosur, jemi themel i moralit dhe i qëndresës”, tha ministri Zhiti.  Edhe pse pavijoni është i hapur në MHK, drejtori Luan Malltezi ka dashur që prej saj të mbetet diçka e dokumentuar, të jetë pjesë e bibliotekave. Pavijoni edhe mund të mbyllet dikur, por libri mbetet.

Kopertina e Albumit

ALBUMI
Në të janë mbledhur momentet më kulminante në këtë histori dhune. Vendime të nënshkruara nga vetë dora e ish-diktatorit Enver Hoxha. Janë aty aktet e dënimeve të grupit të deputetëve, të arrestuarve për Ambasadën Sovjetike, inxhinierët e Maliqit, dënimet në radhët e ushtrisë, në radhët e klerit, kryengritjes së Postribës, të burgut të Qafë-Barit… deri te përjashtimet nga shkollat për shfaqje “të huaja” te vrasjet në kufi dhe martirët e demokracisë… Materiali fotografik zë një vend të veçantë dhe krijon shokun e parë viziv. Janë të shumta fotografitë e viktimave, shumë syresh të paekspozuara më parë. Për grumbullimin dhe seleksionimin e materialeve kanë punuar specialistë të Muzeut Historik Kombëtar, por edhe përfaqësues nga Shoqata e ish-të përndjekurve politikë, drejtori i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Masa më të ashpra se në Bashkimin Sovjetik
“Kur jemi para këtij fenomeni, siç është terrori komunist, i cili ka vazhduar në Shqipëri deri në vitet ’90, pyetja që mund t’i lindë çdo njeriu, është nëse kjo ka qenë karakteristikë e vendeve të Lindjes në përgjithësi apo Shqipëria zë një vend të veçantë. Unë besoj se kësaj pyetjeje i jepet një përgjigje në këtë album. Këtë nuk e jap unë si drejtor i Muzeut Kombëtar, por ministri i drejtësisë shqiptare në 1952, Bilbil Klosi, i cili në një mbledhje të Asamblesë Kushtetuese, kur miratohej dokumentacioni përkatës në fushën e së drejtës, e thotë hapur se “Në kompilimin e Kodit të ri jemi frymëzuar nga Kodi Penal sovjetik. Por duke marrë parasysh përpjekjet e përsëritura për një kryengritje në vendin tonë, të përkrahur dhe të drejtuar nga elemente të huaj, kemi qenë të shtrënguar të vëmë masa dhe dënime më të rrepta nga ato që ka Kodi Penal sovjetik”. Pra, sipas këtij dokumenti, që vjen nga ministri i Drejtësisë, Shqipëria zë vendin e parë mes vendeve të Lindjes për terrorin komunist të ushtruar mbi popullsinë e saj. E vërteta është se në Shqipëri asgjë nuk diskutohej, Sigurimi i Shtetit e në veçanti Enver Hoxha, në gjithë dokumentacionin dëshmohet se qëndrojnë mbi drejtësinë shqiptare, e kanë “dorën e gjatë”, mund të arrestojnë, të ekzekutojnë, të eliminojnë”, thotë Luan Malltezi, teksa sjell në vëmendje faktin se, që prej vitit 1945, nuk hasen vetëm eliminime të kundërshtarëve politikë, por edhe të përfaqësuesve të rëndësishëm, që kanë zhvilluar terrorin komunist në Shqipëri, ministra të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu më vonë, deri në eliminimin e kryeministrit Mehmet Shehu, gjë e padëgjuar për diktaturat më të ashpra.

Urdhri
Urgjent
Nr. 96
17-XI-44
Daliut
Të organizohen burgjet dhe fushat e përqëndrimit dhe të burgosen të gjithë ato elementa të akuzuar me faje të mëdha, me tradhti të naltë dhe bashkëpunim të haptë me okupatorin dhe gjithashtu kriminelat e dorës së parë. Të gjithë robërit të mblidhen në fushën e përqëndrimit. Të mos bëhen arrestime në masa pse veprime të këtilla frikësojnë popullin. Elementa balliste që s’kanë randësi dhe që s’kanë ku futen mos u burgosni. Duhet të keni kujdes të madh për këtë punë dhe të dini të matni veprimet pse si qëndrimi sektar, ashtu dhe oportunizmi në këtë çështje do të na dëmtojë pa masë. Duhet të lëmë përshtypje se s’jemi të frymëzuar nga pasione të pafrenuara, por të matur e të drejtë ndër veprime.
Enver

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura