Biografia, zbulohet letra poshtëruese e Enverit kundër kunatit, Bahri Omari

Jul 25, 2013 | 9:59
SHPËRNDAJE

ENVER E NEXHMIJE HOXHA (MAJTAS) FAKSIMILE E LETRES NE 1944
Botimet “Uegen” publikon biografinë e re për diktatorin.

Zbardhet letra poshtëruese kundër Bahri Omarit, Enveri ia nisi Nexhmijes.

“Fahrijen piqe te ne, atij m… mos ia shif sytë. Mos kurseni gjë kundër tij gjoja se është kunati i emë, ai është tradhtar”

Sjellja e Hoxhës me anëtarët e familjes dhe veçanërisht me motrën e tij, Fahrije Omarin.
Si e injoroi Enveri vdekjen e motrës.

“Ai drejtoi mbledhjen e zakonshme, sikur mos kish ndodhur gjë!”

Nga fundi i vitit 1941 dhe deri në vitin 1943, Enver Hoxha dhe e fejuara Nexhmije Xhunglini, u zhvendosën në shtëpinë e familjes Bahri Omari. Ky ishte bashkëshorti i motrës së Enverit, Fahrijes. Banesa gjendej në Rrugën e Bamit, që sot përkon me rrugën “Qemal Stafa”), ngjitur me shtëpinë e prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Vetë Bahri Omari u angazhua me forcat nacionaliste dhe në vitin 1944 pranoi detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme në qeverinë e Kryeministrit Rexhep Mitrovica, por jeta e tij do të përfundonte tragjikisht në mesin e prillit 1945. Fillimisht ai u arrestua nëntorin e vitit 1944, së bashku me 60 personalitete të larta, si nënshkrues të Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë më 1912-n, ish-kryeministra, ish-kryetarë të Parlamentit shqiptar, ish-ministra, shumica prej tyre të diplomuar në Europën Perëndimore. Gjyqi special u bë pas një muaji, më 15 dhjetor 1944, dhe pothuajse të gjithë u akuzuan si të implikuar, bashkëpunëtorë të pushtuesve. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10:00. U dënuan me vdekje 17 veta, ndërsa të tjerët u lanë në burg nga 20 deri në 30 vjet. Vetëm 5 veta u liruan. Midis atyre me dënim kapital ishte edhe Bahri Omari, kunati i Enver Hoxhës, ndërsa iu kursye jeta disa personalitete që kishin mbajtur funksione edhe më të rëndësishme se sa ai, si p.sh. Kryeministrit të fundit Ibrahim Biçakçiu. Vetë Enver Hoxha kishte firmosur për pushkatimin e kunatit, edhe pse motra e tij, Fahrija, i ishte lutur dhe kishte qarë për ta falur. Një rrëfim i tillë është lënë me shkrim në ditar edhe nga vetë Bedri Spahiu, i cili ka qenë prokurori i çështjes dhe që më vonë u burgos nga regjimi. Megjithatë, pak dihet rreth marrëdhënieve të hershme të Enver Hoxhës dhe Bahri Omarit, që siç duket kanë degjeneruar në hakmarrje brenda familjes.

Enver Hoxha në Odriçan, viti 1944
“Enver Hoxha në një optikë të re”, biografia më e fundit e dr. Vasfi Barutit, lidhur me jetën e diktatorit nga 12 maji 1908 deri më 28 nëntor 1944, eksploron disa nga dëshmitë dhe faktet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Enver Hoxhës me motrën Fahrije dhe bashkëshortin e saj, Bahri Omari. Vepra voluminoze me 400 faqe është redaktuar nga Xhevair Lleshi dhe vjen nën logon e shtëpisë botuese “Uegen”, nga ku sot po shkëpusim pjesët që lidhen me familjen Omari. Ndër to duket tejet interesante dhe domethënëse një letër e hershme e vitit 1944 që Enver Hoxha ia ka nisur së fejuarës Nexhmije Xhunglini dhe ku poshtëron kunatin e tij, Bahri Omari…

(Pjesë nga libri biografik “Enver Hoxha në optikë të re”, me autor Vasfi Baruti)
Nga viti 1941 dhe deri në verë të vitit 1943 Enveri jetonte kryesisht më shtëpinë e motrës së tij, Fahrie Omari, bashkëshortja e Bahri Omarit, por thuajse nuk dihet asgjë për marrëdhëniet e Enverit me motrën e kunatin. Themistokli Pano, i cili ka deklaruar se ka qenë asokohe shërbyes në shtëpinë e Bahri Omarit, por që i ka shërbyer atje edhe Enverit, ka deklaruar për një gazetë korçare: “…Më kishte vdekur nëna, njerka më trajtonte shumë keq. Shkova te motra në Tiranë. Atëherë isha 14 vjeç. Shpejt rashë në sy të komshinjve si një fëmijë i qetë. Një zonjë e mirë, që shpejt ia mësova emrin, Fahrije Omari, më çonte për të blerë ndonjë gjë të vogël, si kafe, vezë, cigare etj. Nuk i bëja hile në llogari, ndaj më afroi edhe më shumë. Ishte shpirtmirë, më jepte ndonjë lek të vogël, që për mua ishte shumë. Fatosi dhe Luani ishin dy djemtë e Fahrijes. Në katin poshtë banonte Fahrija me Bahriun, kurse lart Enveri, të cilit i blija cigare, bëja korrierin për të lajmëruar shokët e tij që i vinin në shtëpi. Vinte edhe Nexhmija. Një herë gabova adresën e njërit dhe Enveri nuk la fjalë pa më sharë. Një herë tjetër më dha t’i pastroja revolen. Unë i thashë që ta zbërthente se nuk dija dhe më pa me shumë inat, sa e kuptova se edhe ai vetë nuk dinte ta bënte zbërthimin… Isha në katin e dytë për t’i dhënë Enverit diçka që më kishte porositur ta blija dhe dëgjoj të thirrura të forta ‘Qërohu! Qërohu!’ e nga dera e përplasur prej tij doli Fahrija duke qarë. Nuk i erdhi mirë që kisha dëgjuar të thirrurat, megjithatë më përqafoi fort… Isha në dhomë ku rrinte familja Omari dhe një mbrëmje pa pritur erdhën mjaft njerëz që e kërkonin Bahriun. Kontrolluan kudo e bënë rrëmujë, por Bahriu nuk ishte. Ndoshta ishin fashistë. Pas ca ditësh erdhi Bahriu, dorën e kishte të plagosur. Kur ai kërkoi kostumin, Fahrija kontrolloi, por nuk e gjeti dhe me siguri e kishin vjedhur ata kontrolluesit që erdhën. Bahriu ia kishte me hile edhe Enverit…”

Letra poshtëruese kundër kunatit

Bahri Omari në gjyqin special, 1944
Në AQSH, fondi 14, dosja 72, viti 1944, ekziston një letër poshtëruese që Enveri ia dërgon Nexhmijes për Bahri Omarin. Ndërsa mendohej se Enveri kishte qenë i angazhuar dhe i rrethuar në atë që njihet historikisht si Operacioni i Dimrit dhjetor 1943 – mars (fillim) 1944, krejt ndryshe rezulton nga letra që ai i dërgon Nexhmijes dhe ku flitet për pushime: “…E dashur shoqe delegate, s’dimë si vete me punë, do të të shkruaj më gjatë një herë tjetër, se mjaft punë kemi këndej. Pas tre muaj mungesë duhet të punojmë si derrat se mjaft u çlodhëm. Më shkruaj edhe ti gjatë për punët e atjeshme. Shko në shtëpi dhe u thuaj për mua që jam mirë. Te Bahriu, vallahi, edhe të mos shkosh nuk është keq. Fahrijen piqe te ne, atij mutit mos ia shif sytë. Dhe që të gjithë ju mos kurseni gjë kundër tij gjoja se është kunati i emë. Ai është tradhtar, një mut, prandaj zhvisheni shpatën. Aliut (Miladin Popoviçit) i dërgo patjetër sëhatin. Por edhe unë dua një orë dore, se atë që kisha ma prishi Aliu. Mund të më dërgoç ndonjë peshqesh për të ngrënë. Për orën e Aliut mos kurseni paret. ‘Longines’ (marka e orës që duhet të blejë Nexhmija). Përqafime Taras. Halim”.   

(Te plote e lexoni ne numrin e sotem print te gazetes Panorama)

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura