Këshilli i Rregullores dhe Mandateve i dha të drejtë opozitës për afatin kohor të punës së komisionit hetimor për inceneratorët duke i njohur si afat ligjor fundor datën 25 shkurt. Mazhoranca u tërhoq nga pretendimi i saj për datën 28 janar. Shtyrja e hetimit u përshëndet edhe nga ambasadorja Yuri Kim.
Në një mbledhje pa praninë e medias Këshilli i Rregullores dhe Mandateve në Kuvend vendosi të premten që të interpretojë afatin ligjor të komisionit hetimor për “aferën e inceneratorëve” me kërkesë të Partisë demokratike. Ky organ vendosi në favor të opozitës duke njohur si afat ligjor për përfundimin e punës së këtij komisioni datën 25 shkurt.
Debati lidhej me 3 javët ndërmjet dy sesioneve parlamentare të cilat opozita kërkoi të mos llogariteshin në afatin e punës. Në mbledhjen e fundit të komisionit mazhoranca argumentoi se afati 3 mujor përfundonte më 28 janar duke llogaritur si ditë pune dhe 3 javët e pushimit. Me këtë argument anëtarët e PS-së në komision votuan kundër planit hetimor të paraqitur nga kryetarja e komisionit Jorida Tabaku.
Në një reagim publik pas mbledhjes Tabaku e quan këtë vendim si vënie në vend të së drejtës së mohuar të opozitës.
“Për ditë me radhë kam zhvilluar takime intensive me çdo faktor për të vijuar punën e komisionit që padrejtësisht u ndërpre me votën kundër për planin e hetimit, duke kërkuar që të mbyllet veprimtaria dhe të pengohet thirrja e dëshmitarëve”- bëri të ditur ajo. Tabaku e cilësoi një bllokim politik të hetimit nga ana e mazhorancës.
“Afera e inceneratorëve ka qenë një prej çështjeve që ka dëshmuar se si shteti është kapur nga interesa korruptive dhe okulte. Por pesha e një shteti të kapur është ndjerë ditën kur nisi komisioni hetimor për Inceneratorët”- shkruan më tej Tabaku në një status në facebook.
Nënkryetarja socialiste e komisionit, Ermonela Felaj, konfirmoi këtë vendim të Këshillit të Mandateve dhe në një koment për BIRN tha se “mazhoranca i dha një mundësi opozitës që të vijojë hetimin”.
Ajo bëri të ditur se nuk kishte marrë pjesë në mbledhje për shkak të qëndrimit që kishte mbajtur në mbledhjen e fundit të komisionit, ku i bëri një interpretim të kundërt rregullores për çështjen e afatit ligjor.
Shtyrjen e afatit e përshëndeti edhe Ambasadorja amerikane Yuri Kim.
“Ne mirëpresim zgjatjen e komisionit parlamentar për inceneratorët”- shkruan ajo në Twitter. Kim thekson se “Ne i bëjmë thirrje autoriteve dhe institucioneve ta vlerësojnë dhe të marrin masa. Po e ndjekim këtë çështje nga afër.
Komisioni hetimor i kërkuar nga opozita ka si objekt hetimi procedurat e ndjekura për dhënien me konçension të ndërtimit të tre impanteve të përpunimit të plehrave në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Gjatë kohës që ky komision vijonte hetimin, drejtësia çoi në pranga ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe shpalli në kërkim pronarët e kompanive konçensionare me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
BIRN
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al