Bledar Kola, trajneri i Apollon Smirnit

Jul 25, 2012 | 14:10
SHPËRNDAJE
Bledar Kola

Bledar Kola, ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, është emëruar trajner i skuadrës greke të Apollon Smirnit. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat greke dhe më pas e ka konfirmuar edhe presidenti i skuadrës athinase. Kjo është hera e parë që Kola do të drejtojë një skuadër si trajner i parë.
Eksperienca – Ish-mesfushori i përfaqësueses sonë e njeh mjaft mirë Apollon Smirnin, pasi ka luajtur për tre vjet te kjo skuadër. Ai e ka mbyllur karrierën pikërisht në këtë klub. Për herë të parë fanellën e Apollonit e veshi në vitin 1994, ku për dy vite luajti 63 ndeshje dhe realizoi 10 gola me skuadrën helene. Ai moment ishte edhe trampolina e Kolës, pasi ra në sy në kampionatin grek dhe më pas u transferua te gjigantët e Panathinaikosit. Shtatë vite më pas (2003) Kola u rikthye si futbollist te skuadra e Apollonit, ku u aktivizua për një sezon dhe luajti 19 ndeshje. Aktualisht skuadra e Apollonit militon në Kategorinë e Dytë greke, por me ambicie për t’u ngjitur në të Parën. Kola ka drejtuar provizorisht një vit më parë edhe skuadrën e AEK-ut të Athinës. Atij iu bë ftesë për të drejtuar ekipin përfaqësues të Shpresave të Shqipërisë pak kohë më parë, por kjo nuk u realizua.
Presidenti – “Jemi të lumtur që e kemi sërish Kolën mes nesh, – ka thënë presidenti i skuadrës, Stamatis Velis. – Ambienti është shumë i karikuar dhe ka besim te Bledar Kola, i cili ka aftësi të mira drejtuese e menaxhuese. Eksperienca e tij si drejtor i Akademisë së AEK-ut e ka pjekur dhe e ka bërë gati për të mbajtur një përgjegjësi të tillë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura