Blendi Fevziu rrëfen prapaskenat e ‘Opinion’: Berisha s’ma shpjegoi pse e prishi miqësinë. Si u kthye Rama në emisionin tim

Mar 22, 2015 | 9:52
SHPËRNDAJE

Në një intrevistë për suplementin e se shtunes ne “Panorama”, “Panorama Plus”, gazetari Blendi Fevziu rrefen prapaskenat e emisionit “Opinion”,  raportet e tij me politikanët e njohur dhe tregon pse prezenca e tyre në studio, është gjithnjë më e rrallë.

Blendi Fevziu

Ajo që ne shohim në talk show-n “Opinion”, kur bëhet fjalë për politikën, është një debat i fortë e shpesh me tone të larta. Por pjesa që nuk shohim, negociatat që bën gazetari i njohur për të mbërritur deri në realizimin e një emisioni si ky, janë po aq interesante.

Blendi Fevziu ka vendosur ta ndajë me lexuesin tonë edhe këtë pjesë, madje ai nuk ngurron të flasë për marrëdhëniet personale që ka me disa prej politikanëve. 

Pyetur per ate qe te gjitheve u ka rene ne sy, faktin pse Berisha qe vinte aq shpesh ne studion e tij, nuk po shfaqet me dhe per zerat qe ata i kane prishur marrëdhëniet, Fevziu pergjigjet:

“Unë kam pasur një raport miqësor me zotin Berisha. Në këto 25 vite gazetari kam krijuar marrëdhënie me pothuajse gjithë njerëzit e rëndësishëm në vend, por Berisha dhe pak të tjerë kanë qenë miq. Ky raport është prishur për arsye të emisionit dhe qëndrimit të tij. Nuk e kam prishur unë, por zoti Berisha dhe, përderisa ai s’m’i ka bërë asnjëherë arsyet e tij prezente, unë nuk mund të flas për to. Nëse do ta pyesnit dhe do fliste, mund të më shërbente edhe mua për të kuptuar më shumë”.

Ndërkohë që ngjarjet politike kanë qenë të bollshme këto kohë, ju keni preferuar që ato më së shumti t’i diskutoni me analistë dhe reporterë sesa me politikanë, pse kjo zgjedhje?
Që të jem i sinqertë, kjo ka qenë më shumë një zgjedhje e imponuar. Prej tri vitesh ne kemi një matje më profesionale të audiencës. Edhe pse ajo mbetet me disa hije dyshimi, është shumë e rëndësishme për të parë tendencën e temave dhe të të ftuarve. Në dy vitet e fundit, vëmendja ndaj debateve opozitë–maxhorancë ka rënë ndjeshëm dhe debate të tilla përftojnë gjysmën e audiencës që kanë emisione me komentatorë, gazetarë, psikologë, kriminologë etj. Pra, njerëz që jetojnë direkt me lajmin. Por kjo nuk do të thotë se ka rënë vëmendja ndaj politikës, përkundrazi. Thjesht, politika vijon të jetë dominuese, por pa aktorët kryesorë të saj si protagonistë, pra pa politikanët. Para disa ditësh, ndërsa po flisja me Preç Zogajn për fenomenin e uljes së audiencës së politikanëve, më tha diçka interesante: “Debatet PD–PS janë si ndeshje që i dihet rezultati”. Pra, qytetarët e dinë që në fillim se çfarë do thotë njëri e tjetri dhe shpesh ato janë zgjatim i konferencave të shtypit, pa kreativitet dhe pa ndjekur tempin dhe logjikën e debatit.

Ndërkohë lexojmë në rrjete sociale që për disa analistë thuhet se tashmë janë bërë të bezdisshëm, le të themi që janë bërë të parashikueshem. Ju ndieni ndonjë monotoni në panel apo jeni ok?
Kjo mund të jetë e vërtetë, por ka edhe një keqkuptim. Ajo që lexoni ju apo unë në rrjete sociale, nuk është opinioni publik. Është një pjesë ose një detaj i tij. Më shumë sesa rrjeteve sociale, unë i besoj audiencës. Derisa një emision vijon të mbetet i ndjekur dhe i shikuar, besoj se opinioni e pëlqen. Nëse do kishte monotoni, ai do ta kishte braktisur.

Së dyti, ky nuk është fenomen shqiptar. Edhe në Itali, vendi fqinj, prej 65 milion banorësh, komentatorët që dalin në panele janë kryesisht po ata. Madje, janë po ata që prej 30 vitesh që i shoh unë. Kjo është një kategori e njohur në botë, që shërben si ndërmjetëse midis profesionistëve, politikanëve dhe publikut. Shërben për t’i zbërthyer dhe detajuar tezat dhe për t’i përcjellë ato në mënyrë më të kuptueshme te publiku. Natyrisht që disa prej tyre, por insistoj, vetëm disa, janë të lexueshëm dhe dukshëm të pozicionuar, por edhe kjo i shërben publikut. Ata sjellin në studio vizionin dhe qëndrimin e njerëzve të angazhuar me njërën apo tjetrën palë. Ka të tjerë që janë më të pavarur dhe sjellin vizionin e atyre që nuk kanë militantizëm. Çdonjëri ka funksionin e tij në studio dhe shërben për një arsye. Ju siguroj që askush nuk është rastësisht. Kam vetëm një dhimbje, ka shumë pak femra dhe ky është një defekt.

Ju kemi parë që nivelin e audiencës e përmendni shpesh gjatë emisionit. Pse kjo zgjedhje, sepse duket sikur indirekt nxisni të ftuarit për të qenë thjesht të pëlqyer nga audienca, pra kompatibël me ta, pavarësisht ideve që duan të zhvillojnë?
Kjo nuk ka asnjë dilemë. Të ftuarit vijnë aty për t’u parë nga sa më shumë veta dhe për të bërë publike idetë e tyre. Publiku nuk është i unifikuar. Dikush pëlqen një ide e dikush një tjetër, pra asnjë nuk di të konformohet me atë që do publiku. Thjesht flet atë gjë që beson se i shërben më mirë publikut.

Si keni arritur ta bindni Ramën të vijë te ju aq shpesh dhe mbi të gjitha të përballojë një hard talk gati torturues për të? Na rrëfeni ndonjë dialog jashtë kamerave teksa negocioni për intervistën e rradhës.
Sërish perceptimi gabon. E para Rama nuk ka ardhur “aq shpesh tek unë”. D.m.th. ka ardhur 2 herë në sezon, po aq e mbase edhe më pak se sa në tv të tjera. Në “Top Channel” shkon diçka më shumë, në “Vizion+” diçka më pak.

E dyta, për stilin e intervistës, kjo është një gjë që ai është i detyruar ta pranojë në momentin që vendos të vijë në emision. Ky është stili im i intervistës, ka qenë i njëjtë më Ramën, Metën, Bashën etj. A është i kënaqur, nuk e di. Di vetëm që një politikan do të komunikojë me sa më shumë qytetarë dhe ky stil interviste i mbërthen njerëzit përpara ekranit. Vjen apo jo, është zgjedhje e tij.

E treta, unë nuk kam negociuar asnjë intervistë me Ramën. Nuk kam folur për asnjë nga intervistat me të. Kam komunikuar me drejtorin e tij të PR, Fugën, por edhe ky komunikim veçse për skaletën e pyetjeve. Rama nuk di as materialet filmike dhe as detajet. Di piketat e intervistës sipas listës që i kam dhënë unë drejtorit të tij. 

Së fundmi, në pjesën më të madhe të rasteve takohem me Ramën, Bashën e Metën direkt në studio. Stafi im e ka ulur aty dhe, kur unë shkoj, studioja është plot. Ka batuta, por në fillim të emisionit të ftuarit janë të shqetësuar për atë që do ndodhë. Në mbyllje janë më të relaksuar, por për këtë më mirë s’po flas. Gjysma e kohës kalon me ankesën që nuk i lë të flasin aq sa duan dhe i ndërpres.

 Meqë ju nuk e keni mohuar se jeni një qenie politike, çfarë ndryshimi ka “Opinion” kur ishte e djathta në pushtet me atë tani që është e majta?

Pyesni shikuesit për këtë. Nuk di të them. Unë vetë nuk ndiej ndonjë ndryshim, me përjashtim të faktit që personazhe politike ka më pak e politikë më shumë!

Si jeni ndier nga ndërhyrjet me telefon gati brutale të ministrit Tahiri, i cili pothuajse ju ka diktuar axhendën e emisionit?

Tahiri bën punën e tij, por nuk besoj se ka bindur ndonjë nga gazetarët që ishin në studio. Ndërkohë, ndërhyrje si këto e bëjnë më interesant emisionin. Një herë mbaj mend që brenda të njëjtit emision kur flitej për armët kimike, ndërhyri edhe Basha edhe Meta.

Me të drejtë jeni marrë shumë gjatë me çështjen “Doshi”, si ka reaguar pushteti nga kjo këmbëngulje juaja për më shumë transparencë, ndonjë telefonatë apo takim për të na rrefyer mbi këtë rast?

Tema ka qenë çuditërisht e papreferuar nga të dyja palët. Por shumë e ndjekur nga publiku. Ky ka qenë shkaku që unë kam vendosur ta vijoj. Çdo herë vëmendja është më e madhe. Ndërkohë, politika do që të ulë PD e PS në një debat propagande dhe je në rregull me ta. Por kjo është në kontradiktë me vëmendjen e publikut. Ndaj unë do vijoj me apo pa dëshirën e palëve.

Dikur Zoti Berisha si kryeministër vinte shpesh në studion tuaj, mirëpo thonë që ju i keni prishur marrëdhëniet me të, çfarë ka ndodhur mes jush dhe Doktorit?

Unë kam pasur një raport miqësor me zotin Berisha. Në këto 25 vite gazetari kam krijuar marrëdhënie me pothuajse gjithë njerëzit e rëndësishëm në vend, por Berisha dhe pak të tjerë kanë qenë miq. Ky raport është prishur për arsye të emisionit dhe qëndrimit të tij. Nuk e kam prishur unë, por zoti Berisha dhe, përderisa ai s’m’i ka bërë asnjëherë arsyet e tij prezente, unë nuk mund të flas për to. Nëse do ta pyesnit dhe do fliste, mund të më shërbente edhe mua për të kuptuar më shumë.

Në fakt, nga mungesa e Doktorit në “Opinion”, kush humbet më shumë, ai apo emisioni? Kemi shanse ta rishohim në atë studio dhe kur?

Për këtë mund të bëni një intervistë me zotin Berisha dhe ta pyesni! Përgjigjja e tij mund të jetë më shterruese për pyetjen tuaj.

Te ndërhyrja e fundit, Berisha e cilësoi debatin tek “Opinion” si të dominuar nga krimi, pse ky përcaktim sipas jush dhe a u ndjetë keq?

Fare s’u ndjeva keq! Madje i lexova me qejf në tv deklaratat në FB të zotit Berisha. Çdo njeri që do të më kritikojë dhe do të shprehet për mua, mirë apo keq, është i mirëpritur. Unë kam pasur probleme vetëm me njerëzit që gënjejnë ose sajojnë histori të paqena. Opinionet e mira apo të këqija janë të mirëpritura. Sa për dominimin nga krimi, pyesni kryeredaktorin tuaj se ai ka qenë në studio.

Ka një perceptim publik sikur ju jeni gjithnjë me atë që ka pushtetin, a kanë ata të drejtë?

Jua thashë edhe më sipër, që perceptimi publik duhet të adresohet në ndonjë sondazh, studim a ku di unë. Perceptimi nuk është ajo që mendojmë ju apo unë. Sot pushteti mendon se jam me opozitën, besoj se opozita mendon se jam me pushtetin. Kjo më duket aq qesharake. Dhe në fakt më argëton. Do t’ju tregoj një detaj: kur ka momente të tensionuara me PD dhe PS, pra kur bashkë me politikanë ulen edhe 4 gazetarë, të dyja palët e konsiderojnë debatin 5 me 1. Pra, PS mendon se të 4 gazetarët janë kundër saj, ndërsa PD mendon po ashtu se debati është 5 me 1. I mendon të gjithë kundër. Më thoni dot me kë është Fatos Lubonja? Andi Bushati? Artur Zheji? Pyesni partitë politike dhe besoj se do jeni më konfuze sesa opinioni publik. 

Intervista nga Ermira Shpetimi u botua sot ne “Panorama Plus”, bashke me gazeten “Panorama”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura