Me anë të një deklarate zv/kryetari i KQZ-së Hysen Osmanaj dhe dy anëtarët e opozitës, Vera Shtjefni dhe Klement Zguri kanë denoncuar disa parregullsi në listat e kandidatëve për deputetë.
Ta janë shprehur se kërkesat e tyre nuk i ka marrë parasysh kryetari i KQZ-së Denar Biba siç thonë ata.
DEKLARATA E PLOTË
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ne mbledhjen e dt. 07. 05. 2017, do të shqyrtonte disa projekt-vendime për miratimin e listave shumemërore të kandidateve për deputet të paraqitura nga partitë politike.
Tre anëtarët e KQZ konstatuan se për disa subjekte zgjedhore kishte parregullsi/mospërputhje mes nënshkrimeve mbështetëse në lista dhe atyre të vendosura në kopjet e kartave të identitetit.
Ne kërkuam verfikimin e këtij dokumentacioni. Kërkesa ishte në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor dhe është detyrim i KQZ për të verifikuar nënshkrimet mbështetëse të zgjedhësve për kandidatët dhe për të përjashtuar nënshkrimet e parregullta, sikurse e përcakton neni 71 i Kodit Zgjedhor.
Kryetari i KQZ refuzoi të kryejë këtë procedurë dhe e rrëzoi kërkesën tonë përmes një votimi të pambështetur në ligj.
Vendimmarrja e kryetarit të KQZ për të penguar ligjshmërinë dhe transparencën e dokumentacionit të kandidatëve për deputet dhe për të na penguar të ushtrojmë detyrën është një sjellje e përsëritur në dëm të misionit dhe detyrave të KQZ dhe në favor të interesave të subjekteve të caktuara zgjedhore.
Fatkeqësisht kjo vendimmarrje e re abuzive, është ne vazhdën e vendimmarrjeve të paligjshme të KQZ, si për shembull regjistrimi i listave të kandidateve të subjekteve zgjedhore tej afatit ligjor. Ne si anëtarë të KQZ-se, shprehim shqetësimin se kjo sjellje e KQZ-se po cënon rëndë procesin zgjedhor dhe po inkurajon dhe hap rrugën manipulimeve zgjedhore.
Hysen Osmanaj, Zv/Kryetar i KQZ-se
Vera Shtjefni, Anetare
Klement Zguri, Anetar
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al