Borovë 1943, si u vranë nga gjermanët 107 gra, pleq e fëmijë

Jul 13, 2014 | 14:20
SHPËRNDAJE

Gjenerallejtnanti Walter Stettner, Komandanit i Divizionit të Parë Alpin që drejtoi marshimin nga Follorina në Bilisht

* Dr. Marenglen Kasmi

Si çdo vit tjetër, më 6 korrik u përkujtua në Borovë 71- vjetori i masakrës së kryer nga Wehrmacht-i gjerman kundër banorëve të këtij fshati 6 korrikun e largët të vitit 1943, ku u vranë dhe masakruan plot 107 burra, gra, pleq e fëmijë. Në këtë përkujtimore, përkrah drejtuesve lokalë të Ersekës, mori pjesë edhe ambasadori i Republikës Federale në Tiranë, z. Hellmut Hoffmann, atasheu i Mbrojtjes së Gjermanisë në Tiranë, nënkolonel Guido Altendorf, si edhe të ftuar të tjerë. Megjithatë, mund të themi se Masakra e Borovës nuk është zbardhur ende plotësisht deri më sot. Sigurisht që ky fakt nuk e dobëson kujtimin e 107 jetëve të humbura, por ajo çka ka munguar deri tani në tablonë historike është përshkrimi i plotë dhe gjithëpërfshirës i zhvillimit të ngjarjeve, arsyet e hyrjes së Wehrmachti gjerman në Shqipëri, ndërkohë që në korrik 1943 Shqipëria ishte ende e pushtuar nga Italia dhe çfarë është më e rëndësishmja: si ishte e mundur të kryhej një masakër e tillë? Le të analizojmë ngjarjen në një vështrim kronologjik, bazuar në raportet luftarake të trupave gjermane që organizuan këtë masakër.

Masakra e Borovës u krye nga trupat e Divizionit I Alpin të Wehrmacht-it gjerman. Ky divizion, më 18 qershor 1943, u urdhërua të marshonte nga Mali i Zi në drejtim të Greqisë. Divizioni sapo ishte kthyer nga Fronti i Lindjes me qëllim rifreskimin dhe riformatimin e tij, si pasojë e humbjeve që kishte prapësuar gjatë luftimeve. Kështu që, pas rifreskimit me trupa, forca e tij luftarake ishte rreth 24.000 ushtarë. Pas dhënies së urdhrit të marshimit ky divizion u fut në organikën e Grupimit të Forcave Tokësore E, nën komandën e gjeneralkolonelit Alexander Lohr. Lohr fillimisht synoi të organizonte marshimin nga Mali i Zi në Greqi, duke i ndarë forcat në katër kolona marshimi, në rrugëkalimin Mitrovicë-Shkup- Velesh-Manastir-Follorinë- Ptolemaida-Kozan. Me të mbërritur në Kozan, Divizioni Alpin gjatë marshimit për në Janinë do të ndërmerrte një sulm me bazë të gjerë dhe do të krihte gjithë malësinë e Pindit nga partizanët grekë. Pas mbërritjes në Janinë, divizioni do të ishte në dispozicion të Grupimit E dhe do të merrte masa për mbrojtje ndaj një invazioni të pritshëm aleat. Gjithsesi, duke iu trembur këtij zbarkimi, Lohri vendosi të bënte transportimin e divizionit sa më shpejt të ishte e mundur për në destinacionin përfundimtar, Janinën. Pavarësisht temperaturave të larta, këmbësorët alpinë gjermanë marshonin në këmbë mesatarisht 45 km në ditë, madje hera-herës arritën deri në 65 km, siç ishte për shembull rasti i Batalionit III, i Regjimentit 98, i cili do të kryente edhe masakrën në Borovë. Duken ndryshuar rrugëkalimin, pas mbërritjes në Shkup, divizioni e vazhdoi lëvizjen me mjete transporti dhe jo më në këmbë, çfarë nuk ishte e zakonshme për këtë trupë luftuese. Meqenëse rruga Gervena- Janinë, nëpërmjet Qafës së Metsovos, ishte një rrugë shumë e ngushte, e vështirë dhe thuajse gjithë urat ndërmjet Kallabakës dhe Janinës ishin hedhur në erë nga partizanët grekë, u vendos që divizioni të marshonte nëpërmjet një rrugëkalimi tjetër, pra nëpërmjet Shqipërisë, në drejtimin Follorinë- Bilisht-Korçë-Ersekë- Leskovik-Janinë.

HYRJA E TRUPAVE GJERMANE NË SHQIPËRI
Më 6 korrik 1943, pararoja e Divizioni I Alpin filloi marshimin nga Follorina në drejtim të Bilishtit. Komandanti i divizionit, gjenerallejtënanti Stettner, parashikonte që brenda tri javësh gjithë divizioni të kapte Janinën. Divizioni do të marshonte i ndarë në gjashtë kolona marshimi. Si pararojë u urdhërua të fillonte lëvizjen Regjimenti 79 i artilerisë malore, nën komandën e kolonelit Sommer. Lëvizja do të kryhej me mjete transporti, me qëllim kapjen sa më shpejt të ishte e mundur e aerodromeve të Janinës, për të organizuar kështu mbrojtjen ndaj parashutistëve aleatë. Në pararojën e kolonelit Sommer, përkrah njësive të Regjimentit të Artilerisë 79 bënin pjesë edhe disa forca të Grupit Zbulues 54 dhe sidomos pesë kompani alpinësh, Kompania 11, 12, 13, 14 dhe 15, të cilat ishin pjesë efektive e Batalionit III të Regjimentit 98. Ky Batalion komandohej nga majori Reinhold Klebe, i cili sapo kishte marrë komandën e batalionit në Kaukaz nga paraardhësi i tij Salminger, i cili ishte ngritur në detyrën e komandantit të regjimentit. Pra, ky batalion, kompanitë e të cilit organizuan masakrën, nuk drejtohej më nga Salminger – siç është interpretuar deri tani nga historiografia shqiptare. Është për t’u theksuar fakti që, disa oficerë drejtues të këtyre kompanive, por edhe shumë ushtarë të thjeshtë, kishin kryer masakra të ngjashme edhe në fronte të tjera të luftës, si në Bashkimin Sovjetik dhe së fundmi në Malin e Zi. Veprimet e tyre motivoheshin nga një urrejtje e theksuar racore dhe antisemite. Tashmë janë të njohura shumë histori të shkruara për brutalitetin e këtyre forcave, siç e pohon në ditarin e tij edhe tetari i kompanisë 13, Adrian Deuring: “Më 13 qershor 1943, në një fshat të panjohur iu vu flaka gjithë shtëpive dhe u qëllua për vdekje çdo gjë që lëvizte”. Pra, Borova nuk ishte hera e parë e kryerjes së masakrave të këtyre përmasave nga këto njësi luftarake.

MASAKRA E BOROVËS, 6 KORRIK 1943
Më 6 korrik 1943, rreth orës 15:45, (në Historinë e LANÇ-it jepet ora 13:30) pak kohë pasi forcat e Regjimentit 98, konkretisht kompanitë 11, 12 dhe 13, kishin kaluar Borovën, kolona ra në Barmash në një pritë të ngritur nga batalioni partizan “Tomori”. Me shumë gjasa, siç e pohon edhe Historia e LANÇ-it, partizanët ishin përgatitur të luftonin kundër italianëve. Kur papritmas u dukën gjermanët. Luftimet vazhduan deri në mbrëmje dhe kompanitë gjermane, me mbështetjen edhe të një njësie italiane, arritën të stabilizojnë situatën duke detyruar partizanët të ngrinin pritën dhe të tërhiqeshin në male. Gjithsesi, luftimet disaorëshe tregojnë një betejë të ashpër dhe tërheqja e partizanëve nuk është vetëm pasojë e presionit të forcave të stërvitura gjermane, por shpjegohet edhe me taktikën e luftës partizane. Pas betejës, tre kompanitë gjermane të sipërpërmendura u kthyen në Borovë dhe kryen masakrën e radhës. Ata vranë dhe dogjën të gjallë 107 civilë, prej tyre 64 gra dhe 43 burra, pa kursyer edhe fëmijët e vegjël. Viktima më e vogël ishte 4 muajsh dhe më i vjetri 84 vjeç. Ushtarët gjermanë kalonin shtëpi më shtëpi dhe i vinin flakën gjithçkaje. Po ashtu ata qëllonin çdo njeri që hasnin në rrugë. Në ato shtëpi, ku banorët mbyllën dyert, për të mos i lejuar ushtarët të hynin brenda, gjermanët i vunë flakën shtëpisë, duke e djegur së bashku me njerëzit brenda.

KRYERJA E LUFTIMEVE NË BARMASH
Mbi kodrat në jugperëndim të Barmashit, në të dyja anët e rrugës automobilistike, qenë vendosur në pritë forcat partizane të batalionit “Tomori” dhe disa çeta vullnetare, nga Panariti, Skrapari dhe Kolonja. Numri i partizanëve nuk ishte më shumë se 300. Pasi kompanitë pararojë gjermane hynë në pritë, partizanët hapën zjarr ndaj forcave gjermane. Për të shpërthyer pritën, gjermanët përdorën autoblinda dhe artileri. Sipas Historisë së LANÇ-it, beteja zgjati për më se 7 orë, ndërkohë që burimet gjermane raportojnë për një betejë rreth 3 orë. Burimet gjermane e përshkruajnë betejën të ashpër dhe të vështirë si pasojë edhe e vapës së madhe. Gjithsesi, përshkrimet e tyre janë shumë larg asaj që jep Historia e LANÇ-it. Në historiografinë shqiptare thuhet se, pasi pararoja e kolonës, pra tri kompanitë e sipërpërmendura, hynë në Borovë, një ushtar gjerman me triçikël pyeti banorët nëse kishte partizanë përreth. Përgjigjja ishte negative dhe kolona vazhdoi lëvizjen. Gjithmonë sipas versionit shqiptar, kolona ra në pritë në Barmash dhe u vranë dy ushtarë gjermanë. Si pasojë, gjermanët u kthyen në fshat dhe organizuan masakrën. Të dhëna më të sakta për ngjarjen na jep ditari luftarak i Batalionit III, i Regjimentit 98 i Wehrmacht-it. Komandanti i Batalionit, majori Klebe, raporton se gjatë luftimeve në Barmash u plagosën lehtë vetëm 4 ushtarë. Në Historinë e LANÇ-it shkruhet se në këtë betejë gjermanët lanë më shumë se 100 të vrarë e të plagosur. Ndërsa nga partizanët, gjithmonë sipas Historisë së LANÇ-it, u plagosën rëndë 7 partizanë. Në histori, humbjet pasqyrohen rëndom në mënyrë relative dhe sipas këndvështrimit të palëve. Por, nëse mbajmë parasysh faktin që ushtria gjermane ishte një ushtri e rregullt dhe e mirorganizuar, në këtë rast jemi të prirë të besojmë të dhënat gjermane. Nuk ka asnjë rast kur komandanti ushtarak kërkon të fshehë humbjet e ushtarëve të tij dhe të bëjë një raportim të pasaktë, sepse ai mban përgjegjësi për njerëzit që ka nën komandë. Kështu që për mendimin tonë, në këtë rast janë më të besueshme shifrat e raportuara nga majori Klebe.

ARSYET E MASAKRËS
Pavarësisht përshkrimit të ndryshëm të ecurisë së betejës, përmasat e masakrës së ushtruar në Borovë përshkruhen njësoj si në historiografinë shqiptare, ashtu edhe në burimet gjermane. Pas kryerjes së masakrës, kompanitë gjermane e kaluan natën diku ndërmjet Borovës dhe Barmashit, ku i vazhduan reprezaljet e filluara në Borovë kundër popullsisë vendëse. Tetë fshatarë, të cilët nuk mundën të largoheshin në kohë, u ekzekutuan në vend. Arsyeja e kryerjes së masakrës i kalon përmasat e një hakmarrjeje të thjeshtë. Në një raport për organizimin e lëvizjes së Divizionit I për në Janinë shkruhej se popullsia vendëse i ndihmon partizanët dhe fshatrat janë të “infektuar nga bandat”. Kështu që, sipas tij, në parim duhej që çdo civil që hasej në rrugë të arrestohej, sepse ata mund të dekonspironin operacionet. Bazuar në këto përfundime, por edhe në përvoja të tjera, Grupimi i Forcave Tokësore E hartoi një urdhër, i cili i lejonte shumë hapësirë interpretuese komandantëve vartës. Ndër të tjera në të thuhej: “Gjatë pastrimit të territoreve të rrezikuara nga bandat (siç i quanin partizanët) duhet të merren masa shumë të mprehta. Gjithë vendbanimet, të cilat mund të shërbejnë si vendstrehime të banditëve, duhet të shkatërrohen. Nëse ka dyshime që burrat vendës janë të përfshirë në luftime ose mbështesin banditët, duhet të ekzekutohen në vend. Në të kundërt ata duhet të merren si robër lufte. Nëse ushtrohen akte sabotazhi, duhet të merren masa të rrepta kundër popullsisë. Çdo tolerancë e treguar gjatë trajtimit të popullsisë, do të interpretohet si shenjë dobësie dhe kushton gjak gjerman…”. Lëshimi i këtij urdhri që binte në kundërshtim me ligjet e luftës u bë thuajse në të njëjtën kohë me zbarkimin aleat në Sicili, më 7 korrik. Tashmë rreziku ishte tepër evident për gjermanët që aleatët mund të zbarkonin edhe në Greqi, në aerodromet e Janinës, si edhe në bregdetin shqiptar. Kështu që goditja e parë që trupat gjermane morën në pritën e Barmashit duhej të merrte një përgjigje brutale, me qëllim që të fitohej qetësia dhe popullsia vendëse dhe partizanët shqiptarë të mos guxonin më të pengonin apo godisnin lëvizjen e trupave të Div. I Alpin përgjatë tri javëve nëpër tokën shqiptare. Pra, arsyeja ishte më e komplikuar sesa humbja e jetës së një apo dy ushtarëve gjermanë, ndërkohë që kryerja e reprezaljeve ishte kthyer tashmë në një strategji, e cila siguronte qetësinë dhe ruajtjen e forcave dhe bazës materiale për gjermanët. Kjo strategji do të përdorej në masë nga gjermanët edhe pas pushtimit gjerman të Shqipërisë! Për të parandaluar luftën partizane, komanda gjermane në bashkëpunim me atë italiane nxori edhe një urdhër më të detajuar për mënyrën e trajtimit të popullsisë civile në zonat e pushtuara. Ndër të tjera në të shkruhej: “… Asgjësimi i plotë i vendbanimeve do të bëhet atëherë kur: nga vendbanimi hapet zjarr kundër trupave tona. Në vendbanime gjenden armë, municione, ushqime ose materiale të tjera të banditëve …”. Marrja e masave nuk u kufizua vetëm në arrestime apo kërcënime të popullsisë. Vrasja e popullsisë së pafajshme ishte rregulli kryesor. Këtë gjë e vërtetoi më së miri Masakra e Borovës. Masakra e Borovës është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas lufte, në Barmash u ngrit një lapidar i madh, i cili kujtonte masakrën e bërë nga trupat gjermane. Më vonë, me gurët e shtëpive të djegura u ngrit muri rrethues i varrezave të viktimave të Borovës, ku çdo gur varri personifikon një viktimë. Duhet theksuar fakti që jo të gjithë ushtarët gjermanë morën pjesë në këtë masakër. Pati edhe gjermanë që në kundërshtim me urdhrat e dhënë e ndihmuan popullsinë civile të arratisej. Vitin e shkuar, në përvjetorin e 70-të të masakrës, i biri i një ushtari austriak, Anton Burger, i cili kishte marrë pjesë në masakër erdhi në Borovë dhe kërkoi falje në emër të familjes për atë çka babai i tij kishte bërë. Markus Burger kishte gjetur një ditar të babait, ku përshkruhej masakra. Po ashtu duhet theksuar se përgjegjësit e kësaj masakre nuk dolën asnjëherë përpara drejtësisë. Në fjalën e tij në Borovë, në këtë përvjetor të 71-të të masakrës, ambasadori gjerman z. Hoffmann theksoi ndër të tjera se: “Nëse prej historisë arrijmë të mësojmë të ndërtojmë këtë Europë, nëse mësojmë se jemi të gjithë pjesë e së tërës dhe se kjo është Europa jonë, atëherë mund të themi se kemi nxjerrë një mësim të mirë nga e kaluara jonë e vështirë”. Ky është një mesazh i qartë dhe duhet të shërbejë si burim reflektimi për të gjithë ne.

* Historian ushtarak

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura