“Bota humbi shkrimtarin më të madh”- Kurti pas ndarjes nga jeta të Ismail Kadaresë: Kultura jonë i ka borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij

Jul 1, 2024 | 11:38
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare pasi ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

albin kurti ismail kadare

Në reagimin e tij, Kurti shprehet se bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë.

Ai ka shtuar më tej se sytë tanë do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Kadaresë.

“Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë. Ngushëllime të gjithëve”, u shpreh Kurti.

“Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë.

Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë.

Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë. Ngushëllime të gjithëve.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura