Botohet i pari fjalori urbanistikës në gjuhën shqipe! I dobishëm edhe për përkthyesit e studentët e gjuhëve të huaja anglisht e frëngjisht

Jul 18, 2024 | 9:03
SHPËRNDAJE
hajri shehu
Hajri Shehu

Prof. Dr. Hajri Shehu

Është i pari fjalor i urbanistikës në gjuhën shqipe. Urbanistika është edhe fushë dijeje, edhe veprimtari praktike. Në rastin e parë, aksh fjalë e fjalorit (le të themi ndërtesë) është fjalë e zakonshme. Në rastin e dytë, po e njëjta fjalë, me të njëjtin koncept është tashmë shkencore (në gjuhësi e quajnë term). Në këtë mënyrë, fjalori është edhe për më të diturit, edhe për më pak të diturit. I tërë fjalori është për konceptet ‘urbanistik’ e ‘urbanistikë’. Kjo do të thotë që termat (fjalët që emërtojnë konceptet), që përfshihen në fjalor, janë brenda kësaj tematike e brenda kësaj fushe. Por, siç dihet, urbanistika, edhe si fushë dijeje, edhe si praktikë e kësaj dijeje lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi edhe me inxhinierinë ndërtimore, arkitekturën etj..

Madje, ajo është ndarë relativisht vonë nga ndërtimi e arkitektura si veprimtari e si fushë shkencore e teknike e, edhe si lëndë mësimore. Prandaj fjalori ka edhe rreth 70 terma nga fusha e ndërtimit. Nga fusha e arkitekturës janë përfshirë, kryesisht terma që kanë të bëjnë me balloren e ndërtesës, si element i saj kryesor e që përcakton edhe mënyrën e organizimit urbanistik (tipi: ballore e dritësuar, ballore e mbyllur, ballore plastike etj.). Në këtë mënyrë, fjalori është aktual e shumë i dobishëm, jo vetëm për urbanistët, por edhe për inxhinierët e ndërtimit e arkitektët e studentët e këtyre degëve. Është i dobishëm edhe për përkthyesit e studentët e gjuhëve të huaja–anglisht e frëngjisht. Për të gjithë ka informacion të frytshëm – edhe teknik, edhe gjuhësor. Hartimi i fjalorëve, sidomos i atyre disagjuhësh për një fushë të caktuar të shkencës, të teknikës, të prodhimit etj. është ndërmarrje e vështirë. Dhe punë diturore e vështirë. Zakonisht, fjalorë të tillë bëhen me grup autorësh (brenda grupit, edhe specialistë të fushës). Dr. Eva e ka përballuar e vetme gjithë punën. Prandaj duam ta themi që në fillim: Suksesi i dr. Eva Papamihalit është i shumëfishtë.

Terminologjia (= tërësia e termave të një fushe) kërkon gjithnjë normativizimin. Dhe normativizimi vjen, më së pari, me saktësinë koncept–term. Dhe kjo saktësi vjen kur termi lidhet pazgjidhshmërisht me konceptin, është pjesë e strukturës konceptore të fushës së caktuar, është zgjedhur pasi është përcaktuar koncepti (sepse koncepti paraekziston e koncepti e prodhon termin dhe prandaj barasvlerësi/ekuivalenti në gjuhën e huaj është transferim koncepti e jo, thjesht transferim fjale), është i padykuptimshëm, është edhe i zbërthyeshëm për nga kuptimi e fjalëformimi në aksh gjuhë. Dhe brenda saktësisë koncept – term kërkohet njëkuptimshmëria dhe jo shumëkuptimshmëria e sinonimia: Një koncept – një term. Sipas këtij kriteri shkencor, autorja e fjalorit ka bërë zgjedhjet e duhura dhe ka shmangur shumëkuptimshmërinë (p.sh., ndërtim për ndërtesë) dhe sinoniminë (ka zgjedhur ballore e jo: ballë / ballësore / ballinë / faqe / fasadë). Normativizimi vjen edhe me bashkëkohësinë e termit: Termi është i sotëm, si për nga koncepti, ashtu edhe për nga forma (në kuptimin më të përgjithshëm të fjalës formë). Krahaso në fjalor qytetformësues dhe jo qytetformues; planëzim dhe jo planifikim; etj. Termat e parë janë të sotëm. Normativizimi nuk mund të jetë i njëanshëm – vetëm te njëra gjuhë e fjalorit. Kjo nuk ndodh në asnjë fjalor dygjuhësh a disagjuhësh – qofshin edhe të përgjithshëm. Parimi është: Fjala normative kërkon fjalën normative; nuk mund të ketë fjalë jonormative për fjalën normative.

Kjo do të thotë atëherë që një fjalor të mirë dygjuhësh, disagjuhësh a shumëgjuhësh (terminologjik ose teknik) e bëjnë standardet edhe te barasvlerësia përkthimore. Në fjalorë të tillë, konceptet janë standarde, ndërkombëtare, domethënë, të miratuara shkencërisht e ndërkombëtarisht. Barasvlerësia është vendore. Por kjo barasvlerësi nuk mund të jetë e gjithësidoshme. Ajo duhet ta japë të saktë konceptin. Dhe që të jetë e tillë, barasvlerësi në gjuhë të huaj duhet të gjendet e jo të përkthehet. Termi nuk përkthehet. Termi gjendet, siç përdoret në literaturën përkatëse në gjuhën e huaj. Ky gjykim është si për shprehjet gjuhësore (njësitë frazeologjike), fjalët e urta e proverbat në një fjalor të përgjithshëm dygjuhësh. Ato nuk përkthehen. Ato gjenden (p.sh., për fjalën e urtë angleze, ‘No bee – no honey; no work – no money’, barasvlerësi shqip do të ishte: Të punojnë këmbë e dorë, që të hash bukë e lakror; fjala e urtë shqipe ‘Të parën mendjen, të dytën fjalën’ në anglisht mund të na vinte me (Still tongue makes a wise head dhe Rrah ujë në havan me Beat dhe wind).

Në rastin e termave e të fjalëve të urta, përkthimi (i fjalëpërfjalshëm) sjell, thjesht (le ta themi pak çlirshëm) zëvendësim tullash të kuqe me tulla të bardha. Në gjuhësi, ky lloj përkthimi emërtohet translacionizëm. Për të mos e rënduar lexuesin, nuk po japim shembuj barasvlerësish të gjetur në gjuhën angleze dhe frënge në fjalorin e dr. Evës. Shembujt janë te treguesit në anglisht dhe në frëngjisht. Por kemi rastin të përmendim termin, njëherësh – fjalë e përgjithshme: qiellgërvishtës. Në shumicën e gjuhëve europiane është përkthim nga anglishtja i skyscraper, i dy pjesëve përbërëse të fjalës: sky (= qiell) dhe scraper (gërryese).

Pak më ndryshe, por edhe në shqip (qiellgërvishtës) është përkthim. Në gjuhësi, përkthimi i një fjale të huaj sipas pjesëve të saj përbërëse quhet kalk. Kalku është si puna që, kur s’ke pulën, do të hash sorrën. Mirëpo, tej gjuhësisë, në popull kemi formimin rrokaqiell në vend të qiellgërvishtës (e dikur – edhe grataç(i)elë). Fjala rrokaqiell vjen nga të folmet e Kosovës. Është krejt e motivueshme dhe e zbërthyeshme kuptimisht dhe e ndërtuar krejt sipas rregullave fjalëformuese të gjuhës shqipe standarde. Besojmë që fjala është pjesë e terminologjisë së ndërtimit dhe e urbanistikës. Dhe meqë po ndërtojmë pallate aq të larta, sa rrokin qiellin, sugjerojmë të përdoret rrokaqiell (rrokaqie/ll,-lli; numri shumës: rrokaqiej / rrokaqiejt). Fjala është në Fjalorin e Gjuhës Shqipe.

Në fjalorin e urbanistikës ka fakte themelore të gjuhës së urbanistikës, sepse termat vijnë nga burime të shkruara të besueshme – tekste mësimore, përdorakë etj.. Ka fjalë tradicionale të gjuhës shqipe që janë përdorur gjerë më parë. Një shpjegim i vogël: Terminologjia krijohet nga fjalët, morfologjia dhe sintaksa mbarëkombëtare. Në terminologji nuk ka tipare të izoluara. Më së pari kjo shihet në fjalëformim e në morfologjinë fjalëformuese standarde.

Në këtë fjalor këto shihen dukshëm: Termat e japin të saktë konceptin. Termat i përgjigjen nivelit të gjuhës standarde. Termat e rinj janë ndërtuar sipas rregullave fjalëformuese të gjuhës standarde. Shih, psh., vargje termash me të njëjtën fjalë (gjuhësisht: temë) bosht (qendër – qendror – kryeqendër – shumëqendërshe), me të njëjtën parashtesë (ndërhyrje – ndërpërmasor – ndërqytetës) ose me të njëjtën prapashtesë (pikësor – rrethanor – vijor). Shih formimet që janë fjalë të përbëra: gjithëpërfshirës, qytetformësues, planvendosje.

Janë modele fjalëformuese me kuptim të specializuar terminologjik. Fjalori na sjell gjuhën e urbanistikës me fjalën e shqipes standarde (në parantezë, na sjell edhe fjalë, që duhej të ishin në fjalorët kombëtarë të gjuhës shqipe), sepse rekomandimet dhe këshillimet gjuhësore vijnë me fjalën shqipe. Janë pëlqyer dhe përzgjedhur terma që janë fjalë të shqipes a me formim shqip (tipi nyjë, bërthamë etj.). Janë pëlqyer dhe përzgjedhur shqipërime të vërtetësuara fjalësh të huaja (p.sh., bashkërendim / krahaso koordinim; yjësi / krahaso konstelacion; visore / krahaso peizazh; ballore / krahaso fasadë; njësim / krahaso unifikim; përtëritje / krahaso rinovim etj.). Është i pranueshëm, siç dihet edhe shqipërimi i pjesëve të veçanta të një fjale të huaj. Dhe autorja ka parapëlqyer shqipërime të tilla (p.sh., shqipërime parashtesash, tipi – nënstrukturë për infrastrukturë). Në fjalor ka, sigurisht edhe ndërkombëtarizma (fjalë ndërkombëtare / tipi strukturë, tipologji etj.), por ata nuk konsiderohen translacionizma.

Janë koncepte ndërkombëtare, me formë ndërkombëtare. Kësisoj, termat janë edhe të vërtetësuar e rrjedhimisht, të pranuar. Për arsye të zhvillimit të sotëm urbanistik e të rritjes së kulturës urbanistike, por edhe për arsye gjuhësore, shumë terma, që janë në këtë fjalor mund të hyjnë edhe në gjuhën e përgjithshme dhe të njihen nga shumica e folësve. Dhe gjuha e përgjithshme mund t’i çojë shumë terma te ligjërimi i përditshëm bisedor letrar, ngaqë përdoren e do të përdoren në veprimtaritë e përditshme urbanistike, ndërtimore etj.. Kujtojmë raste të tjera: Hekurbeton ka qenë e është term i gjuhës së ndërtimit. Është njëherësh edhe fjalë e përdorimit të përgjithshëm. Po kështu me m3 . Po kështu, edhe automobilizmi i sportit. Edhe hekzakloranti i kimisë, bujqësisë etj.. Kujtojmë edhe termat hekurudhorë (p.sh., kryqësore për traversë). Kjo do të thotë që ka terma që i kanë tejkaluar ose që mund t’i tejkalojnë kufijtë e ngushtë terminologjikë dhe kanë hyrë ose mund të hyjnë në përdorim të përgjithshëm dhe bëhen kështu pjesë e shtresës së përgjithshme të gjuhës standarde.

Termat e urbanistikës janë më afër folësit të zakonshëm, sepse ata përdoren ose do të përdoren në ligjërimin zyrtar-administrativ. Dhe ligjërimi zyrtar-administrativ i çon ose do t’i çojë më shpejt tej kornizave të gjuhës së specialitetit e drejt ligjërimit të përgjithshëm. Kësisoj intelektualizohet gjuha. Besojmë që kështu do të ndodhë edhe me termat e përfshirë në këtë fjalor. Dhe këtu është një vlerë tjetër e fjalorit të dr. Eva Papamihalit. Fjalori është për një përdorues me nivel të konsiderueshëm kulturor. Sigurisht, më së pari, është për një përdorues me nivel të konsiderueshëm kulturor profesionist. Sepse jep dije për profesionalizimin e mëtejshëm të punës së urbanistit edhe në rrafshin gjuhësor. Si? Në ç’mënyrë? Duke u përpjekur për të përdorur termin e saktë, për të përdorur fjalën shqipe a formimin shqip në këtë zhvillimin e sotëm botëror e më në fund, për të përdorur fjalorë terminologjikë, fjalorë teknikë etj.

Me kënaqësi mund të lexohet edhe si parathënia e fjalorit, sepse ajo na i thotë teorikisht ato, që na i thotë fjalori praktikisht. Standardizimi në terminologji kërkohet, siç u tha, edhe te barasvlerësit në gjuhë të huaja. Janë të njëjtat kërkesa si për gjuhën shqipe. Dhe e mira e kësaj pune është se i jepet mundësi përdoruesit të fjalorit të lexojë e të përkthejë literaturë të huaj urbanistike – angleze dhe franceze. Fjalori është ndërkombëtar sepse është ndërgjuhësor: shqip-frëngjishtanglisht. Kësisoj, gjuha shqipe përballet denjësisht me dy gjuhë të mëdha. Dhe i ka përballuar denjësisht dy gjuhët e mëdha edhe në urbanistikë. Fjalori nuk është botuar. Fjalori është paraqitur për doktoratë në vitin 2021. Dhe është mbrojtur me sukses para Katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.

Disertacioni është udhëhequr nga prof. dr. Hëna Pasho, me karrierë të spikatur në fushën e fjalorëve terminologjikë të shqipes. Sugjerimi ynë është të botohet. Me pak punë, që e do çdo libër para se të shkojë në shtyp, fjalori bëhet gati për botim. Në një botim të dytë, mbase, edhe me shpjegime. Gjuha shqipe është e të gjithëve. Dhe kujdesi për gjuhën është veprimtari shoqërore. Në punë të urbanistikës ky fjalor na thotë edhe si të kujdesemi për gjuhën. Kësisoj është për çdo përdorues. Në njëfarë mënyre, me urbanistikën kemi të bëjmë të gjithë sepse ajo ka të bëjë me ndërtimin e rregullimin e një qyteti. Kemi ose do të kemi apartament në një qytet. Dhe le të dimë të themi, f.v., ballore e jo fasadë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura