Braho: Në 1997, disa Prefektë firmosën për shpërndarjen e armëve

Oct 27, 2016 | 19:05
SHPËRNDAJE

Gjatë diskutimit të ligjit për Prefektët, kreu i Komisionit të Ligjeve, Spartak Braho është shprehur se projektligji ka ardhur si shkak i presionit të kryetarëve të bashkive për t’iu shmangur kontrollit të pushtetit vendor.Spartak-Braho

Braho u shpreh i zhgënjyer për këtë propozim të ndryshimit ligjor duke theksuar se nuk ka aspak ngjashmëri me vendet evropiane.

“E kam menduar dhe vlerësuar Prefektin si një Kryeministër të vogël dhe Prefektët e Rretheve apo Qarqeve si Kryeministra në njësitë përkatëse. Por, në një farë mase ndjehem i zhgënjyer me këtë pritshmëri se dhe referenca apo modeli i krahasimit të institucionit të Prefektit të vendeve europiane në shëmbëlltyrën shqiptare nuk ta jepte këtë përfundim”, tha ai.

Deputeti i LSI-së më tej tha se, roli i prefektëve është gati honorifik apo një lloj “komisari apo i deleguar partie”. Ai solli në vëmendje atë që ndodhi në vitin 1997, ku disa prej prefektëve firmosën për shpërndarjen e armëve.

“Aq e vërtetë është kjo sa më kujtohet se në vitet e shembjes së shtetit, në 1997-n, mjaft Prefektë si në Durrës, Elbasan, etj., në vend që të merreshin me qetësimin e situatës politike firmosën dhe urdhëruan me shkresa shpërndarjen e armëve dhe organizime paramilitare të militantëve për të shtypur revoltat e nxitura nga fajdet apo për të krijuar lehtësira në manipulimin e proceseve zgjedhore, siç ndodhi në ato të vitit 1996”, u shpreh Braho.

Braho theksoi se, kjo vjen nga “fiksimi i idesë dhe mentaliteti i drejtuesve më të lartë të ekzekutivit për të mos deleguar kompetenca dhe pushtet, për të mos e decentralizuar atë plotësisht, për të monopolizuar funksionet dhe kontrollin, për të mos ndarë përgjegjësitë e të tjera arsye”.

Në fund, pavarësisht kritikave të shumta, Braho e vlerësoi ligjin si risi në krahasim me ligjin e mëparshëm duke nënkuptuar votën pro të LSI-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura