Fakti që është grua dhe mban shaminë në kokë ka bërë që Brunilda Gjura të marrë më shumë komente tallëse dhe ofenduese në rrjete sociale, edhe kur priste të binte në pah profili i saj i pazakontë: një nënë 32-vjeçare e tri vajzave, boksiere dhe nëntë herë kampione në autosllallom.
Profesioni i saj ka bërë që ajo të shfaqet në media shpeshherë. E paraqitjet e saj në media thotë se janë shoqëruar me komente bullizuese në rrjete sociale.
“Në momentin që je një grua me shami, çfarëdo që bën jashtë asaj kornizës që shoqëria e ka krijuar për një grua me shami, je në çdo moment e etiketuar dhe e sulmuar”, rrëfen Gjura për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thotë se karakteri i saj i fortë bën që njerëzit të mos e ofendojnë në jetën reale, kështu që bullizimin e ka përjetuar vetëm në rrjete sociale. Pavarësisht se thotë që karakteri i saj ka bërë që të mos ndikohet shumë nga ato komente, ajo shton se merakun e ka te vajzat e saj.
“Unë jam nënë e tri vajzave. Kjo ndikon paksa te fëmijët që nuk ndihen mirë kur i lexojnë ato komente”, shton 32-vjeçarja nga Shqipëria, e cila jeton në Kosovë që nga viti 2009.
Brunilda nuk është e vetmja që përballet me bullizim në rrjete sociale.
Sipas një hulumtimi të vitit 2019 nga Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) – ku morën pjesë edhe qytetarë nga Kosova – një në çdo tre persona në mesin e të rinjve thotë se ka qenë viktimë e bullizimit në rrjete sociale.
Sipas UNICEF-it, bullizmi kibernetik është “bullizmi përmes teknologjive digjitale. Është sjellje e përsëritur, që ka për qëllim frikësimin, zemërimin ose turpërimin e atyre që bëhen cak”.
Sociologia Bleona Kurteshi thotë se mundësia për të komentuar prapa një profili të rremë bën që bullizmi të jetë më i pranishëm në rrjete sociale. Por, ajo shton se anonimitetit po i kontribuon edhe perceptimi se përgjegjësia mes komentuesve është e ndarë.
“Në këtë rast flasim për një fenomen tjetër e që është ai i shpërndarjes së përgjegjësisë. Pra, kur ti futesh në një portal, komenton në një foto, e sheh se kanë komentuar edhe 20-30 persona të tjerë, nxitesh pikërisht nga kjo ideja e mospërgjegjësisë individuale”, thotë Kurteshi për Radion Evropa e Lirë.
Më tutje, ajo thotë se edhe distanca fizike ndikon që të ketë më shumë raste të bullizmit në rrjete sociale, pasi që, siç thotë ajo, “fakti që ti nuk e sheh dhe, madje me raste as nuk e njeh personin që po e ofendon apo komenton, e bën më të lehtë faktin që e komenton”.
Në anën tjetër, Natyra Agani, psikologe, thotë se agresiviteti i njerëzve bën që ata të jenë të gatshëm të bullizojnë dikë tjetër në rrjete sociale.
“Bullizmi është njëra nga format më të zakonshme të manifestimit të agresivitetit në mesin, jo vetëm të adoleshentëve, por viteve të fundit ka një trend edhe në mesin e të rriturve dhe në mesin e fëmijëve”, thotë Agani për REL-in.
Sipas një raporti të vitit 2022 të Qendrës amerikane Kërkimore, Pew, pothuajse gjysma e adoleshentëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bullizuar apo ngacmuar në platforma digjitale. Vajzat thuhet se janë caku më i shpeshtë i këtyre mesazheve, që kanë më së shpeshti në qendër pamjen fizike të viktimës.
Si mund të luftohet bullizmi në platformat digjitale?
Edhe pse sociologia Kurteshi thotë se ky problem nuk është i pranishëm vetëm në shoqërinë kosovare, ajo thekson nevojën për legjislacion të veçantë për parandalimin e rasteve të bullizmit në platforma digjitale.
“Është shumë e rëndësishme që të krijohet një legjislacion i veçantë ku secili, në një formë ose tjetër, e bart përgjegjësinë për atë që po e thotë dhe pastaj ballafaqohet me pasojat”, thotë ajo.
Ngacmimi në internet dhe abuzimi emocional përmenden në një Udhëzim Administrativ për mbrojtjen e fëmijëve në internet, të Qeverisë së Kosovës.
Por, masat mbrojtëse të specifikuara aty – si bllokimi dhe filtrimi i faqeve të internetit dhe verifikimi i moshës – janë më specifike për format e abuzimit me pamje pornografike sesa për ngacmim në rrjete sociale.
Pyetjes së REL-it se si trajtohen rastet e bullizmit në rrjete sociale, Policia e Kosovës i është përgjigjur vetëm duke thënë se rastet evidentohen sipas Kodit Penal.
Mirëpo, Kodi Penal i Kosovës nuk ka ndonjë nen të veçantë për një vepër të tillë. Neni 182 përcakton ndëshkimet potenciale për ngacmim, që përkufizohet si vëmendje apo komunikim me qëllim të “ngacmimit, frikësimit, lëndimit, dëmtimit të pasurisë apo vrasjes”. Këtu përfshihet dërgimi i mesazheve telefonike.
Që nga viti 2010, Kosova ka edhe Ligjin për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik. Ky ligj përcakton ndëshkime për vepra të ndryshme penale që kryhen përmes sistemeve kompjuterike, por nuk përmendet bullizmi.
Ndërsa, Ligji për mbrojtjen e fëmijëve rregullon mbrojtjen e fëmijëve në masmedia, por as këtu nuk specifikohen rastet kur fëmijët bëhen viktima të komenteve ofenduese në platforma digjitale.
Mungesa e një kornize ligjore për trajtimin e rasteve të tilla theksohet nga avokati Arianit Koci, i cili tregon se përveç padisë për shpifje dhe fyerje, viktimat nuk kanë opsione të tjera kur vetëm tallen e ofendohen, por nuk kërcënohen.
“Ligjërisht nëse nuk ka kërcënim, nëse nuk ka kërcënim të drejtpërdrejtë, është e vështirë [të ndërmerret diçka]”, thotë Koci për REL-in, i cili sugjeron që ose mediat t’i filtrojnë komentet në postimet e tyre, ose të nisen iniciativa si në shumë vende të tjera për trajtimin e këtyre rasteve.
Kërkesa që mediat t’i filtrojnë komentet lindi si nevojë pasi dy vajza u bënë pre e qindra komenteve tallëse dhe ofenduese për shkak të përdorimit të gjuhës angleze në përgjigjen e tyre gjatë një intervistë për mediumin KTV.
Edukimi medial mund të jetë një zgjidhje për t’i ikur këtij fenomeni, sipas sociologes Kurteshi, pasi që zhvillimi i aftësive dhe njohurive për përdorim të mediave mund të ndikojë në mënyrën se si qytetarët i përdorin këto platforma.
“Do të duhej një vetëdije e lartë e shoqërisë. Do të duhej edukim medial, sidomos te moshat e reja, sepse moshat e reja ndoshta janë ato të cilat, nëse i marrin hapat e parë qysh në fillim, arrijnë ta fitojnë këtë vetëdije”, thotë ajo.
Çfarë ligje kanë vende të tjera në botë?
Edhe pse në ueb-faqen e UNICEF-it thuhet se ndëshkimi “nuk është gjithmonë mënyra më efektive për ndryshimin e sjelljes së bullizuesit”, disa nga ligjet që përmenden si opsione janë mundësia që viktimat të kërkojnë mbrojtje institucionale dhe t’i kufizohet përkohësisht apo në mënyrë të përhershme përdorimi i pajisjeve elektronike personit që e ka bullizuar.
Në SHBA, secili shtet e trajton bullizmin në forma të ndryshme. Varësisht nga ligjet e shtetit përkatës, ndëshkimet për bullizëm në platforma digjitale dallojnë nga suspendimi prej shkollës deri te dënimi me burgim.
Në Britani të Madhe, që nga viti 1997, personat që dërgojnë mesazhe me qëllimin për të shkaktuar shqetësim te personi tjetër mund të dënohen deri në gjashtë muaj burgim dhe të gjobiten. Viktima mund të marrë edhe urdhër mbrojtjeje ndaj personit që e ka bullizuar.
Ndërsa, në Ontario të Kanadasë, studentët mund të suspendohen ose përjashtohen nga shkolla nëse përfshihen në bullizëm në platforma digjitale, edhe nëse akti kryhet jashtë objektit të shkollës.
Në një qytet tjetër kanadez, në Alberta, studentët janë të detyruar të raportojnë për bullizëm të tillë kur të jenë dëshmitarë të tij dhe mund të ndëshkohen edhe vetë me suspendim ose përjashtim nga shkolla nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë.
Edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë kërkuar ligje të tilla. Në Bosnjë e Hercegovinë u shtua presioni për ta bërë një gjë të tillë pasi një 22-vjeçar vrau veten në tetor të vitit 2022, pasi ishte bullizuar në platforma digjitale.
Në një nga dhjetë kantonët e Bosnjë dhe Hercegovinës, në Una-Sana, nëse dikush e bullizon dikë në platforma digjitale, mund të ndëshkohet me gjobë prej 150-250 eurosh.
Legjislacionet e tilla janë të nevojshme sipas sociologes Kurteshi, pasi që komentet tallëse dhe ofenduese bëhen “pa qenë të vetëdijshëm që problemet që ato mund të nxisin, apo pasojat që mund të kenë tek individët, janë shumë të mëdha”.
Si ndikon bullizmi te gjendja emocionale e viktimës?
Natyra Agani, profesioniste e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se bullizmi në rrjete sociale mund të bëjë që viktimave t’u ulet vetëbesimi, t’u ndryshohet imazhi që kanë për veten dhe të kenë mendime negative.
“Gjurmët që lënë ngacmimet dhe format e tjera të abuzimit apo agresivitetit do të jenë me individin për një kohë shumë të gjatë. Kjo nuk do të thotë që ata janë të pashpresë, por pasojat janë afatgjatë dhe shpesh manifestohen me elemente traumatike”, shton Agani.
Sipas saj, meqë viktimat e ngacmimit mund të ndihen të vetmuara, “gjëja e parë dhe më e rëndësishme është t’u ofrojmë mbështetje dhe, së dyti, ta referojmë te një profesionist i shëndetit mendor”.
Shkollat në Kosovë me mungesë psikologësh
Qasja te profesionistët e shëndetit mendor po u vështirësohet fëmijëve në shkolla, shkaku i mosplotësimit të pozitave të lira për psikologë dhe pedagogë shkollorë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), shkollat në Kosovë duhet të kenë të punësuar gjithsej 520 psikologë, mirëpo prej tyre 357 pozita janë ende të lira.
“Fatkeqësisht, këto pozita janë bllokuar nga komunat, edhe pse buxheti është i paraparë. Si Ministri e Arsimit kemi bërë thirrje te komunat që sa më parë t’i shpallin konkurset dhe të plotësohen këto pozita”, thotë për REL-in, Edona Kutleshi-Maliqaj, këshilltare për media në MASHT.
Ajo shton se nëse në ato pozita punësohen profesionistë të tjerë, përveç psikologëve dhe pedagogëve shkollorë, “do të marrim masa ligjore, përfshirë zvogëlimin e normave dhe buxhetit për komunat të cilat nuk i plotësojnë vendet e punës sipas planifikimit të miratuar në buxhet”. /REL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al