Burrat në Shqipëri kanë ”pushtetin” mbi paranë e biznesin, gratë po rrisin peshën në politikë

Mar 7, 2023 | 23:08
SHPËRNDAJE

burrat-vs-grateKursimet i mbajnë burrat

Sipas INSTAT në vitin 2021 kishte gjithsej 3.5 milionë llogari depozituese në sektorin familjar, nga të cilat 57% mbahen nga burrat.

Në të njëjtën linjë, janë meshkujt ata që mbajnë më shumë përgjegjësi dhe në marrjen e një kredie. Nga rreth 400 mijë hua që janë marrë nga familjarët, 57% të tyre kanë qenë në emër të burrave.

Gratë jetojnë më gjatë

Për shkak se jetojnë më gjatë, mosha mediane e grave në Shqipëri është më e lartë se burrave.

Në vitin 2022, mosha mediane e grave shqiptare arriti 39,1 vjet (mosha mediane nënkupton që 50% të grave janë nën këtë moshë dhe 50% mbi këtë moshë), duke u rritur me gati 11 muaj për një vit raportoi INSTAT.

Ndërsa mosha mediane e burrave arriti në 37,3 vjet ose 2.3 vite më e ulët se grave. Mosha e mediane e meshkujve në Shqipëri si kudo në botë është më e ulët se e femrave për shkak se kanë jetëgjatësi më të ulët se paku më 5 vite.

Mosha mediane e popullsisë në vendin tonë po rritet me ritme te shpejta nga viti në vit duke sinjalizuar plakjen e popullsisë. Përgjatë një viti mosha e mediane për të dy gjinitë gati u rrit me një vit, ndërsa në 10 vitet e fundit për gratë u rrit me 4.6 vite dhe për burrat me 5.5 vite.

Si meshkujt ashtu dhe femrat në Shqipëri punojnë më gjatë në Europë

Punonjësit shqiptarë, si meshkuj, ashtu dhe femra, kanë oraret më të gjata të punës në Europë, që arrijnë deri në 50 orë në javë, sipas një raporti të Eurofund për kushtet e punës dhe implikimet në të ardhmen, ku përfshihen shtetet anëtare të BE-së, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Meshkujt shqiptarë punojnë rreth 50 orë në javë, ndërsa femrat rreth 45 orë në javë. Pas shqiptarëve renditen grekët, serbët, malazezët, rumunët dhe shtetasit e Kosovës.

Orët e larta të punës në Shqipëri duken të lidhura me dy faktorë, së pari puna edhe gjatë fundjavave dhe së dyti niveli i lartë i të vetëpunësuarve, që Shqipëria e ka rekord në rajon me rreth 36% të totalit të të punësuarve.

Sipas raportit, mesatarisht, në BE-27 burrat raportuan se punonin pak më shumë se 42 orë në javë, ndërsa gratë punonin afërsisht 37 orë.

8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas. Është koha për të vlerësuar arritjet e grave, për të kërkuar barazi dhe për të luftuar për të drejtat dhe liritë themelore.

Në Shqipëri, ndonëse janë bërë përparime në barazinë gjinore, sërish ka diferenca të mëdha, sidomos kur bëhet krahasimi për “pushtetin” ekonomik. Meshkujt paguhen më shumë sesa femrat dhe dominojnë në pozicionet drejtuese në biznes, ndonëse femrat kanë nivel më të lartë të arsimit universitar.

Në të kundërt është rritur pesha e grave në politikë, me një pjesë të konsiderueshme të kabinetit që përbëhet nga gra ministre.

Gjithnjë e më shumë është rritur numri i ministreve. 70% e qeverisë aktuale përbëhet nga ministre gra, duke u renditur ndër 10 vendet e para në botë, ku femrat kanë pushtet të madh politik. Në botë, vetëm 14 vende kanë të paktën 50% gra që mbajnë poste ministrore në kabinetin kombëtar, bazuar në të dhënat e UN Ëomen dhe The Inter-Parliamentary Union (IPU).

Gjithsesi Kuvendin e dominojnë meshkujt, teksa ata përbëjnë rreth 65% të numrit të deputetëve gjithsej, sipas INSTAT, ndonëse pesha e deputeteve femra ka ardhur në rritje. Në vitin 2021, shkalla e pjesëmarrjes së gruas është 35,7 %. Ndër tetë komisionet parlamentare, pjesëmarrja më e madhe e grave shihet në “Komisionin për punën, çështjet sociale dhe shëndetësinë” dhe “Komisionin për edukimin dhe mjetet e informimit publik”, përkatësisht 61,9 % dhe 57,9 %.

Në Europë, sipas Eurostat, peshën më të lartë te grave në Parlament e ka Suedia, me rreth 50%, e ndjekur nga Finlanda me 46%, Belgjika me 43%, ndërsa më të ulëtën, Hungaria dhe Malta me nga 13% secila.

Më pak gra pronare në biznes

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, 24.1% e ndërmarrjeve në vitin 2021 kishin pronare ose administratore femër, me një rënie prej 1.4 pikë përqindje në raport me vitin e mëparshëm. Përqindja e grave pronareve ishte më e lartë në ndërmarrjet e vogla (me 1-4 të punësuar) me 24.2%.

Kjo peshë është shumë më e ulët se mesatarja europiane prej 35%, sipas të dhënave të tjera të Eurostat.

Përqindjen më të lartë e regjistron Letonia (46%), pastaj Polonia dhe Suedia përkatësisht (43%) dhe Estonia (41%).

Shqipëria është e treta nga fundi. Pas vendit tonë, përqindjet më të ulëta të grave menaxhere regjistrohen në Qipro (21%) dhe Luksemburg (22%).

Në vend, numri më i madh i sipërmarrëseve dhe administratoreve femra është në Tiranë, me 32.2% të totalit dhe më i ulëti në Berat, me 15.5%.

Burrat paguhen më mirë, por femrat në drejtim ua kalojnë

Paga mesatare mujore bruto e femrave në vitin 2021 ishte 55,760 lekë, sipas të dhënave të INSTAT. Në krahasim me një vit më parë, pagat e grave janë 7.9% më të larta.

Në përgjithësi gratë në vend paguhen më pak se burrat. Në vitin 2021, hendeku ishte 4.5%, d.m.th. që paga mesatare e grave në vend është 4.5% më e ulët sesa ajo e burrave (kjo e fundit në 2021 ishte mesatarisht 58.4 mijë lekë).

Në krahasim me një vit më parë, kur ishte 6.5%, hendeku është ngushtuar, teksa pagat e meshkujve u rritën me ritme më të ulëta se ato të femrave (3.4%, kundrejt gati 8%).

Ka vetëm një profesion ku femrat ia kalojnë meshkujve. Nëse je “Drejtuese administrative dhe komerciale” paguhesh mesatarisht 172 mijë lekë në muaj, ose gati 12% më shumë se i njëjti pozicion për meshkujt (këta të fundit marrin mesatarisht 154 mijë lekë në muaj).

Drejtues administrativë dhe komercialë është dhe grup profesioni më i paguar në vend, për të dyja gjinitë. Në krahasim me një vit më parë, për këtë grup profesion pagat e drejtuesve meshkujt u rritë me ritme më të larta sesa të femrave, duke e ngushtuar hendekun, në krahasim me 17% që ishte në 2020-n.

Profesioni i dytë më i paguar si për meshkujt dhe për femrat është “Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara”, por më të paguar janë burrat, që marrin mesatarisht 130 mijë lekë në muaj, ose gati 14% më shumë sesa gjinia tjetër.

Nga 37 grup profesione, për të cilat INSTAT raporton të dhënat, vetëm për tre prej tyre (Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë; Drejtues administrativë dhe komercialë; Punëtor të punimit të metaleve dhe montimit të makinerive), femrat paguhen më shumë. Për dy të tjera pagat janë pothuajse njësoj ( Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë; Punëtorë shërbimi dhe ndihmës). Në kategoritë e tjera dominojnë meshkujt- (Shiko grafikun: Paga mesatare mujore bruto sipas grup profesioneve dhe gjinisë).

Meshkujt paguhen më shumë, por femrat janë më të shkolluara me arsim të lartë

Ndonëse meshkujt në përgjithësi paguhet më shumë sesa femrat, këto të fundit janë më të prirura që të mbarojnë arsimin e lartë.

Sipas INSTAT, në vitin 2021, rreth 19.5% e femrave mbi 25 vjeç në vend e kishin mbaruar arsimin e lartë, përkundrejt 16.9% të meshkujve. Vitet e fundit, rritja e peshës së vajzave që zgjedhin të ndjekin universitetin është më e lartë sesa ajo e meshkujve.

Numri i të diplomuarve në arsimin e lartë në vitin akademik 2020-21 ishte afërsisht 33 mijë studentë ndër të cilët vajzat përbënin 66,1 %. Përqindja që zënë të diplomuarat vajza në krahasim me një vit më parë është rritur me 0,8 pikë përqindje.

30.2% e të diplomuarave femra ishin në “biznes administrim dhe ligje”, përkundrejt 29.7% te meshkujt. “Shëndeti dhe mirëqenia” është dega e dytë më e preferuar, me 18.3% të totalit, ndërsa për meshkujt janë “inxhinieritë, prodhim dhe ndërtim”, me 18.9%./Monitor

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura