Butrint Imeri është vetëm 20 vjeç, dhe për një vit ka arritur famën si me magji në muzikë. Aq interesant është këngëtari i formuar artistikisht në Gjermani në këtë treg, sa nuk kishte si t’i thoshte jo as Eleni Foureira, shqiptarja më e famshme aktualisht në Greqi. Artisti tregon se si u bë bashkë me Foureiran për klipin “Delicious” dhe të tjera detaje nga jeta e tij …
Shumë i ri dhe kaq i famshëm. Si ndihesh në këtë ngjitje të menjëhershme në karrierë brenda një viti?
Ndihem mirë që kam arritur kaq shumë në vetëm në një vit që jam në fushën e muzikës. Por, në të njëjtën kohë, mendoj se kjo gjë ka ardhur ngadalë dhe në mënyrën e duhur, pas çdo projekti muzikor që kam prezantuar. Karriera ime sapo ka nisur dhe unë prentendoj shumë nga vetja, e jam i bindur se do të arrij më shumë se kaq.
Si do t’i përshkruaje vitet e formimit në Gjermani për të arritur deri këtu?
Thelbësore. Unë që në moshën 5-vjeçare kam nisur të këndoj në ambiente familjare, por shkollimi im atje në “Voice Lap Academy” për muzikë dhe në “Dance Engergy” për kërcim mendoj që kanë ndikuar plotësisht në formimin tim. Kam pasur fatin të punoj me artistë të suksesshëm, të cilët më kanë ndihmuar dhe që ende më ndihmojnë pasi unë sa herë që jam në Gjermani, vazhdoj të ndjek kurset e këngës.
Cilët emra do të veçoje si mbështetësit apo udhërrëfyesit e tu?
Mbështetësi im më i madh është familja ime, të cilët vazhdojnë të jenë në çdo hap timin.
Po idhujt e tu në muzikë kush janë, modelin e kujt ke ndjekur?
Përsa u përket idhujve të mi, duke qenë se përveç muzikës pasioni im tjetër është edhe kërcimi, një kombinim më të mirë se Michael Jackson ose Justin Timberlake nuk mund të gjej. Veçanërisht Timberlake është një figurë, të cilën unë e shoh si shembull të mirë suksesi.
Shumë i bujshëm rezultoi bashkëpunimi yt i fundit me Eleni Foureira. Si ndodhi që u bëre bashkë me një tjetër shqiptare të famshme në Greqi?
Bashkëpunimi lindi si ide, e cila pasi iu propozua stafit të Elenit, ata pranuan menjëherë, pasi projekti ishte më parë në shqip. I pëlqeu tepër dhe Eleni e pa veten shumë si pjesë të tij. Puna ka qenë e gjatë dhe me shumë faza, deri sa arritëm në projektin final, i cili u xhirua në Athinë, dhe për të cilin u kujdes një staf i madh.
Çfarë bashkëpunimesh të tjera ke planifikuar, cilat janë femrat e muzikes shqiptare që të tërheqin për duete?
Unë gjithnjë kam qenë i hapur për bashkëpunime dhe propozime kam shpesh. Me disa prej tyre kemi punuar edhe në studio, deri sa kemi kuptuar që nuk kombinohemi. Dua të kem bashkëpunime të pakta në numër, por të mira në materiale muzikore. Ende nuk e di se cila është femra që më tërheq për duet. Hahah. E kam shprehur disa herë që nuk do t’i thoja jo një bashkëpunimi me Elvana Gjatën.
Fitimet e tua në muzikë ecin paralelisht me famën tënde?
Nëse flasim për fitime monetare, dhe duke e ditur që të vetmet të ardhura të artistëve në Shqipëri janë koncertet, atëherë të miat janë 0. Kam vendosur kështu, pasi dua që koncertet e mia të jenë të veçanta në performancë dhe të gjata në kohë. Nuk më duket e saktë të këndoj për pak minuta para një publiku që ka ardhur të më dëgjojë. Kështu që për momentin jam fokusuar shumë në projekte muzikore, dhe së shpejti do të nis edhe me koncerte.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al