BEHAR GJOKA
Me 26 gusht të vitit 1990, u hodhën themelet e shtëpisë botuese “Buzuku”! Tashmë u mbushen 33 vite punë, mund dhe suksese, në mbajtjen gjallë të librit shqip, në përhapjen vlerave të kulturës dhe letërsisë shqipe. Ky përvjetor i “Buzukut”, të parës shtëpi botuese private, në hapësirat shqiptare, të jep shansin me pa shtegtimin e saj nëpër këto vite, për t’u gjendur tashmë përballë një institucioni jetik dhe tepër të rëndësishëm të librit në gjuhën shqipe. Kur them institucion, kam parasysh arritjet dhe sukseset e shënuar, përvojën e vyer në fushën e botimit, promovimit dhe menaxhimit të librit, gjithnjë në kërkim të lexuesit dhe hapësirave të reja të leximit.
Tiparet e konturimit të një institucioni të librit shqip, materializohen në disa aspekte të rolit dhe të pranisë së veprimit institucional. “Buzuku” qysh në krye u shfaq si një institucion i përveçëm, sepse nëpër këto vite u bë “shtëpia e shkrimtarit shqiptar”, duke hapur dritaret e komunikimit me të gjitha alternativat e shkrimit letrar. Fakti që pranë Fishtës e Konicës, botohet Trebeshina me nëntë tekste, botohet Kadare, Camaj, Pashku e dhjetëra të tjerë, tregon se ka një kontribut të çmuar në shembjen e mureve të moskomunikimit brenda letrave shqipe. Kjo shenjë parake e themeleve të hedhura, projektoi rrugën nga do të lëvizte në këto vite. Po ashtu, “Buzuku” është institucion autentik, sepse u bë porta e komunikimit me letërsinë botërore, me vlerat më të mira, sidomos me letërsinë franceze, me Parisin, kryeqytetin botëror të librit dhe kulturës. Sjellja në gjuhën shqipe, e dhjetëra shkrimtarëve francezë bashkëkohorë, vetëm në pak kohë pasi janë botuar në gjuhën frënge, sidomos të autorëve fituese të çmimeve letrare Gonkur dhe Nobël, dëshmon aftësinë për të vënë në kontakt dhe në marrëdhënie të menjëhershme, lexuesin dhe letërsinë shqipe, me përvojën më të mirë të letërsisë botërore. Mjafton të hedhësh një sy në listën e autorëve dhe të librave të përkthyer për të kuptuar punën e madhe.
Du nisur nga Brigitte Giroud (Goncourt 2022), Claude Arnaud, Edouard Philippe (ishkryeministër i Francës), Edouard Louis (i përkthyer në më se 40 gjuhë, shqipja e para), Eric Faye, Eric Vuillard (Goncourt 2017), Frederic Mistral (Nobel 1904), François-Henri Désérable (promovuar Prishtinë-Tiranë), Giuliano Da Empoli, Hervé Le Tellier (Goncourt 2020), Honore de Balzac, J. B. P. de MOLIÈRE, J. M. G. Le Clezio (Nobel 2008), Jean-Paule Sartre (Nobel 1964, refuzuar), Jacques Baudouin (Promovuar Prishtinë-Tiranë), Jean-Paul Dubois (Goncourt 2019), Jean Racine, Jennie Dorny, Juan Assensio, Laurent Grison, Leila Slimani (Goncourt 2016), Lydie Salvayre (Goncourt 2014), Lucie Léanne, Mathias Enard (Goncourt 2015, promovuar Prishtinë-Tiranë), Maylis de Kerangal, Mohamed Mbougar Sarr (Goncourt 2021), Nathalie Sarraute, Gerard de Nerval, Nicolas Mathieu (Goncourt 2018), Olivier Adam, Pascale Roze (Goncourt 1996), Patrick Modiano (Nobel 2014, 15 romane dhe një dramë), Roland Barthes, Samuel Beckett (Nobel 1969), Sully Prudhomme (Nobeli i parë, 1901), Tzvetan Todorov etj.
Ky kontribut, ndikoi jo vetëm për zgjerimin e kontakteve me letërsinë me të mirë botërore, por zgjeroi hapësirat që edhe letërsia shqipe, të botohej atje, e po kaq, për shkak të zgjerimit të kontakteve, të hynte në hullinë e ligjërimit modern dhe postmodern. “Buzuku” është institucion me shumë vlerë, sepse në këto vite, me pjesëmarrjen e rregullt në Panairet Ndërkombëtare të librit, në Paris, në Frankfurt, e kudo zhvillohen panairet e librit, krijoj mundësitë që libri në gjuhën shqipe, të jetë i pranishëm, duke shënuar kështu “Hapjen me botën” që shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë, ta arrijnë Europën me libra, me kulturë. “Buzuku”, bashkë me botuesit e tjerë të, hapësirave të tjera shqiptare, si mënyrë komunikimi, feste të librit në shqip, kapërcyen dy dekada që zhvillojnë panaire të suksesshme të librit, në Prishtinë dhe Tiranë, duke hedhur urat e komunikimit në mes botuesve, shkrimtarëve, përkthyesve, lexuesve, duke lënë pas periudhën e mureve, ku as miza nuk kalonte.
Në distancë kohore, bindesh së “Buzuku” është institucion serioz dhe me vizion, sepse aktin e nxitjes së shkrimit të romanit, zhanrit të pjekurisë së një letërsie, por edhe të autorëve që shkruajnë romane, në disa edicione konkurrimi, futi garën e hapur, mbi të gjitha ndikoi për të zgjeruar hapësirat e lëvrimit të romanit, zhanrit të hapur, por më së shumti ndikoi në promovimin e shumë autorëve, nëpërmjet kësaj veprimtarie, qysh nga Bashkim Shehu, Roland Gjoza, Besnik Mustafaj, që me veprat e tyre, si pjesëmarrës në këto konkurse letrare, kanë pasuruar pentagramin ligjërimor të zhanrit të romanit. “Buzuku” është institucion tepër i rëndësishëm, sepse duke vënë emrin e autorit të parë të letrave shqipe, Gjon Buzuku, që me librin “Meshari”, e nxori shqipen nga mugullimat e kohës, e përlindi atë si gjuhë e shkruar, pra duke e rimishëruar “Buzukun”, pagëzorin e parë të gjuhës shqipe me libër, e ktheu përjetësisht në shtëpi të librit shqip.
Për të mbërrimet dhe sukseset e shtëpisë botuese “Buzuku”, meritë kanë të gjitha ata që besuan në këtë projekt, të cilët u bënë pjesë e ngrehinës, që rritej dita–ditës, e bashkëpunëtorëve, e autorëve dhe përkthyesve, që gjetën strehë mirëkuptimi për botimin e librave të tyre. Merita kryesore, megjithatë është e ideatorit vizionar, e themeluesit, e botuesit nga më seriozët, e poetit dhe prozatorit, e njeriut që e ka lidhur jetën me librin, i takon Abdullah Zenelit.
Urime në 33 vitet e “Buzukut”! Jetë të gjatë, me më shumë libra me vlerë, për të mirën e gjuhës dhe letërsisë shqipe.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al