ANILA DEDAJ/Botimi 37-faqësh i studiuesit Auron Tare, “Dritëhije mbi Martin Camajn dhe Ernest Koliqin”, i servirur fillimisht në trajtën e studimit (ndonëse autori e cilëson si një shkrim të tijin), synon që në krye të herës të na paraqesë një anë të panjohur të këtyre dy personaliteteve.
Copëza arkivore e, siç studiuesit e konsiderojnë, “shumë hamendësime në të”, të cilat tentojnë çmitizimin e personaliteteve si Camaj, që gjendet me hov e në mënyrë të përsëritur në grackën e zhurmës mediatike.
“Panorama”, për të kuptuar më shumë rreth Camajt “të pazbuluar” që paraqitet në këtë shkrim, ka kontaktuar profesor Bardhyl Demirajn, studiuesin albanolog, i cili ka përgatitur për botim të gjithë veprën e shkrimtarit. I cilësuar si “Biri, trashëgimtar në Mynih”, profesor Demiraj, prej 2 dekadash, drejton Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin elitar “Ludwig-Maximilian”, të cilën e konsideron si pjesë të Camajt.
Njohës i mirë i veprimtarisë jetësore të shkrimtarit, si dhe i “fashikullit” të tij, të cilin prej 2 vitesh tregon ta ketë si pjesë të bibliotekës, profesor Demiraj hedh dritë mbi të gjitha fragmentet e dyshimta të shkrimit, që, sipas tij, Tare i ndërton në bazë të interpretimeve individuale. Studiuesi tregon më tej se si Camajn, ndryshe nga ç’thuhet në botimin e Tares, pas pak ditësh arrest e detyruan të firmoste një dëshmi në dialektin tosk e shumë larg stilit të tij gjuhësor.
Ai hedh poshtë mundësinë e një “sponsorizimi” të dyshimtë nga shteti jugosllav (apo UDB) dhe tregon se si Camaj e fitoi bursën universitare, apo sesi nxirrte bukën e gojës me punën e tij si mësues. Hipotezat lidhur me Komitetin e Prizrenit, ai i konsideron si plagjiature të Tares, ndërsa sjell një tjetër version për punësimin e hamendësuar të tij në “Radio Beogradi”. Po ashtu, Demiraj tregon për qëndrimin e tij ndaj komunizmit dhe raportin me Kosovën.
Profesor, pak ditë më parë Auron Tare botoi në “Peizashe të fjalës” një shkrim 37-faqesh lidhur me veprimtarinë e mundshme të Martin Camajt dhe Ernest Koliqit, si informatorë të agjencive të huaja të spiunazhit. Ç’mendoni për një trajtim të tillë të këtyre dy personaliteteve, duke e shkëputur me ftohtësi veprimtarinë e tyre letrare nga ajo jetësore apo politike, shpesh edhe bazuar në aludime apo të dhëna jo të plota?
Më lejoni fillimisht t’ju falënderoj që më vutë më parë në dijeni lidhur me këtë shkrim, çka më zbriti menjëherë në tekst dhe më orientoi natyrshëm edhe në debatin mediatik që ka nxitur. Si shumëkush që pjesëmerr në mënyrë aktive në këtë diskurs social, as unë nuk e kam të lehtë të sillem aq gjakftohtë, sa të shtrohem këmbëkryq duke shkëputur aktivitetin e pazakontë intelektual dhe angazhimin social të këtyre dy personaliteteve në historinë e kulturës shqiptare. Megjithatë, do të provoj një herë, meqë tash edhe mua gjuha më shkon aty ku po më dhemb dhëmbi, pra, do të përqendrohem thjesht dhe vetëm në klasifikimin e dokumenteve arkivore që janë ndërkohë juridikisht të deklasifikuara, por që autori në fjalë i përcjell si sensacione të ditës.
Në këtë botim, Tare paraqet fragmente të dhënash arkivore dhe hamendëson për një lidhje të mundshme mes Camajt dhe UDB-së, si bashkëpunëtor i kësaj të fundit. Diçka të tillë ai e pohon edhe bazuar në “privilegjet” që, sipas tij, ka gëzuar në shtetin jugosllav; si p.sh. mbështetja financiare gjatë studimeve, punësimi në “Radio Beograd”, anëtarësimi në Komitetin e Prizrenit (që ishte i lidhur me UDB-n) etj. Si i komentoni ju këto interpretime të fakteve që ai sjell?
Janë, në fakt, disa pyetje që ju i përmblidhni në një, qoftë edhe për arsye të hapësirës në gazetë. Po lejohem të përgjigjem sa më shkurt: Së pari, me lejoni të theksoj se në këtë shkrim nuk ekziston ndonjë fragment arkivor, me të cilin autori do të mundë të rëndonte sadopak emrin e Camajt si bashkëpunëtor i UDBsë. Në ato faksimile që z. Tare i vë lexuesit në dispozicion, unë nuk lexoj gjëkundi të shkruhet e zezë mbi të bardhë se Camaj qenka rekrutuar dikur nga UDB-ja. Aty përballemi thjesht dhe vetëm me interpretime individuale të një autori të pastërvitur, që rrëmon në informacione operative të dy shërbimeve sekrete: CIA dhe Sigurimi Shqiptar. Ndër to, atë më pikantin, informacionin që kumton anëtarësimin e ri të Camajt në Komitetin e Prizrenit dhe se si ai punuaka ndërkohë në “Radio Beogradi”, lejohem ta konsideroj më fort si plagjiaturë e z. Tare, meqë ka thuajse tre vjet që ka dalë në mexhlis prej sivëllait të tij Salih Memeti (“Panorama”, 31 korrik 2017), i cili po ashtu përzgjedh e seleksionon mbetje arkivore të njërit apo tjetrit shërbim sekret. Së dyti, edhe “privilegjet” që paska gëzuar Camaj në Jugosllavi janë interpretim individual i z. Tare. Camaj, si shumëkush ndër refugjatët shqiptarë të kohës në ishJugosllavi, mund të ketë qenë vazhdimisht nën survejimin e segmenteve të caktuara të UDB-së. Por që të fitoje atëbotë një bursë studimi universitar, nuk ka qenë aq e vështirë sa të ngjishje patjetër në brez lugën e çorbës së prishur. Janë një numër të rinjsh të shkolluar, refugjatë të kohës e miq të kahershëm të Camajt që e gëzuan një bursë të tillë, si p.sh. Hilë Topalli apo Genc Korça. Gjithsesi, secili e kish mendjen t’i linte pendët një orë e më parë atij vendi më synim Perëndimin dhe Amerikën. Po ashtu, në bazë të të dhënave të arkivave shkencore universitare (LMU, Monacensia Munih/ RFGJ), mund të mëtojmë pa rrudhur vetulla e mbyllur sy se Camaj e fitoi atë bursë me këllqet e veta. Të mos harrojmë se, ja ashtu, edhe me status refugjati, Camaj e nxirrte vetë bukën e gojës si mësues në Tuz dhe mori formim të mirëfilltë pedagogjik në shkollën e njohur të Pejës (1950).
Së treti, Camaj i është përkushtuar në Beograd tërësisht jo vetëm studimit universitar në fushat romanistikë dhe sllavistikë, por edhe punës së mirëfilltë shkencore-filologjike. Në një periudhë për më pak se tre vjet (1951-1953), ai i dha dorën e parë edicionit kritik dhe përkthimit në frëngjisht të fjalorit të Kristoforidhit (Athinë 1903). Nuk di ç’shkollë ka bërë z. Tare e sa ia thek në punë shkencore e sa kohë i kanë marrë. Pra, është e kotë të kalosh në debat me të në nivel shkencor-intelektual e të mësosh prej tij se sa është në gjendje sot një student të marrë përsipër tagrin e rëndë të filologut. Pra, jeta e tij në Beograd nuk ka qenë fushë me lule, siç mëton z. Tare.
Së katërti, t’i biesh me një të rënë lapsi Komitetit të Prizrenit (Lidhja e Emigrantëve Politikë Shqiptarë) sikurse të gjitha organizatave të tjera politike shqiptare në mërgim si antishqiptare dhe pjellë e shërbimeve të huaja sekrete, kjo dëshmon thjesht se nuk jeton ende me realitetin bashkëkohor, por je puthadoras i mentalitetit të dikurshëm hoxhian, kur të gjithë jetonim si në rrethim, ndërtonim bunkerë e rendnim drejt pikave të shpërndarjes sapo dëgjonim akronimet UDB, CIA, BND, KGB etj.
Së fundi dua të shtoj atë pasiguri që mbart në vetvete informacioni (edhe) i z. Tare, se Camaj paska punuar në “Radio Beogradi”.
I sigurt është vetëm punësimi i së shoqes në atë institucion, të cilën gojët e liga vijojnë ta “damkosin” si serbe dhe si e bija e ish-nënkryetarit të Bashkisë së Beogradit. Le ta mësojë edhe z. Tare se nëna e saj ishte me origjinë shqiptare, andaj e njihte dhe e studionte gjuhën e nënës njëlloj si Martini. Për më tepër, ç’të keqe do të kishte xhanëm që një i ri me formim intelektual të patëmetë, të merrej edhe me gazetari për do para xhepi. Mos kanë qenë gjë agjentë me lang e me plang të gjithë punonjësit e “Radio Tiranës” në kohën e Dullës? E mbyllim më mirë këtu këtë mesele, duke i rekomanduar z. Tare që t’u kushtojë vëmendje edhe memuareve e shkrimeve që trashëgojmë prej sojit farëmirë shqiptar të asaj kohe, si Genc Korça, Àt Daniel Gjeçaj, Mustafa Merlika (Kruja), Ton Koka etj.
Profesor, nga botimi i Tares, një lexues mund të krijojë gjithsesi idenë mbi Camajn dhe Koliqin si “antiatdhetarë”. Veçanërisht kur në bazë të firmës që Martin Camaj vendos në dëshminë kundër një grupi jezuitësh në 1948-ën, hamendësohet se ai mund të ketë qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Për një të arratisur si Camaj, sa qëndron një interpretim i tillë?
Atë fashikull, me të cilin z. Tare krekoset si kaposhi majë plehut – falja Zot mëkatet! -, unë e kam në bibliotekën time personale prej më shumë se dy vitesh dhe e konsultoj herë pas here e rast pas rasti. Dua të falënderoj me këtë rast Autoritetin e Dosjeve që ma vuri të plotë në dispozicion, madje pa sigël në çdo faqe, meqë pati mirëbesim në personin tim si studiues serioz i Martin Camajt. Sigurisht, duke qenë i tillë, unë nuk kam pasur e hëpërhë as nuk kam ndërmend të prononcohem ndaj fakteve jofatlume në gjithë atë material ogurzi, e jo më t’i botoj dikur si faksimile në publik; qoftë edhe për arsye thjesht etike ndaj personalitetit të papërsëritshëm të Martin Camajt. Sa u përket nënshkrimit të deklaratave dhe formularëve të gatshëm të asaj natyre, le t’i referohemi më mirë poetit dhe shkrimtarit të shumëvuajtur Visar Zhiti në shkrimin e tij në “Peizazhe të Fjalës” (7 korrik). Është ai, si shumë e shumë intelektualë e klerikë të pafajshëm, që ka përjetuar dhe dinë mirë se ç’do të thotë “ferr komunist”. Unë dhe z. Tare nuk kemi të drejtë as morale e as shoqërore të mbledhim buzët e të pështyjmë në supë, se nuk jemi në gjendje as të përfytyrojmë tmerrin dantesk në qelitë e asokohe. Lejohem të shtoj vetëm se kush është në gjendje të lexojë faksimilen e deklaratës së firmosur prej Martin Camajt dhe ka ndopak idenë e gjuhës dhe të stilit të tij, mëson shumë lehtë se Camaj është thjesht personi që pas gjase është detyruar vetëm të firmosë pas pesë ditësh arresti një shkresë të gatshme në dialektin tosk. E theksoj jo vetëm në dialektin tosk, por sidomos pas pesë ditësh, me kuptuar lehtë rrethin “e dhjetë” të ferrit që mund a duhet të ketë përjetuar edhe i riu 22/23-vjeçar Martin Camaj. Siç më kumton gojarisht Visar Zhiti – i cili më përlot, kur më quan mik – dëshmitar okular i atyre ditëve ishte poeti Pano Taçi, i pandehuri i radhës, që ndau atëbotë qelinë me Martin Camajn e pas sa e sa vitesh një tjetër qeli me Visarin. Last but not least, në rast se z.Tare do t’i përmbahej vërtet një detyrimi etik-qytetar ndaj një personi që nuk jeton mes nesh, mund e duhej të kishte botuar së paku paralelisht faksimile të radhës, shi sosh ku hienat e hetuesisë mallkojnë me ofshe e me afshe, se si ua hodhi e u la pendët brezi i kuq [siç! – bregu i kuq: B.D.] e shkoi e na u arratis bashkë me ata, të cilët pritej t’i spiunonte. E kuptoj shumë mirë z. Agron Tufa kur komenton me këtë rast gjithë mllef se Camaj me atë akt u tregoi “gishtin e mes..” Sigurimit Shqiptar dhe sistemit që e polli. E meqë z. Tare aludon shpesh në shkrimin e tij se mos ndoshta Camaj kishte marrë me vete në Jugosllavi edhe lugën e çorbës së prishur të Sigurimit Shqiptar, nuk kemi më asnjë arsye të mos e pandehim z. Tare si manipulues të ndërgjegjshëm të burimeve operative shtetërore të kohës. Të shohim ç’do të shkarravisë në pjesën të dytë të atij shkrimi, bash sipas motos a-machiaveliste “mjetet justifikojnë qëllimin”.
A ka qenë Camaj antikomunist? Nëse po, cilat janë argumentet që ju sillni për këtë?
Më mirë të saktësojmë duke mëtuar se Camaj nuk ka qenë komunist; po ashtu as vepra e tij shkencore e letrare nuk e pranojnë ngjyrën e kuqe. Që Camaj nuk ka dalë atëbotë me pushkë maleve me vrarë e me prerë jetë njerëzish; e që nuk është çjerrë më pas me nëme e me gjëmë ndaj komunizmit aziatik (Gj. Fishta), kjo sjellje e ky qëndrim mund të kenë disa arsye. Ndër to, më e thjeshta, pra, më bindësja, është niveli i tij lartë qytetar-intelektual, por edhe drejtimi redaksional për sa a sa dekada i revistës kulturore-letrare “Shêjzat – le plejadi” e më pas edhe pozicioni i tij si profesor ordinar dhe nëpunës i lartë i Shtetit të Lirë të Bavarisë (RFGJ). Dikush që e ka kaluar nëpër duar atë revistë, e kupton shpejt se si Camaj di të godasë dhe të vrasë me pambuk qoftë komunizmin, qoftë tipiken në letërsinë e realizmit socialit, sikurse edhe heronjtë pozitivë ulokë që solli e polli ideologjia dështake e kohës. Është pikërisht kjo revistë që përfaqësoi denjësisht kulturën qytetare shqiptare në mërgim. Por këto janë gjëra të holla, andaj edhe z. Tare u ka bërë dalje qysh në fillim të shkrimit të vet.
Para largimit për në Itali, Camaj u shkruan një letër dy miqve të tij, ku duket se në njëfarë mënyre është i përndjekur nga regjimi jugosllav. Në dijeninë tuaj, sa i vërtetë mund të jetë ky fakt?
Pretendimi i z. Tare se Camaj nuk hoqi dorë ashtu kot nga puna e rehatshme në Radio, madje duke shtuar se jo më kot nuk paska bërë as “martesë zyrtare në kishë” – pra, sipas kësaj logjike i bie të ketë bërë vetëm martesë jozyrtare në zyrat shtetërore të gjendjes civile (?) -, këto lejohemi t’i klasifikojmë lehtë si ëndrra në diell e me sy hapur. Fakt është që Camaj nuk shihte asnjë të ardhme e karrierë profesionale në atë vend. Dhe Camaj, më shumë se përkthyes dhe spiker në radio – edhe sikur të ketë qenë (???), donte të ishte shkrimtar dhe studiues njëherësh. I vetmi studiues albanolog në Jugosllavinë e asaj kohe ishte Henerik Bari? në Universitetin e Sarajevës. Tek ai u paraqit Camaj menjëherë – e nuk e çoi UDB-ja – pas studimeve dhe falë mbështetjes së tij fatlume që pa te Camaj një albanolog me të ardhme të spikatur, Camaj fitoi një vend doktorature në atë universitet. Ja që fati i pafat e solli që Bari?-i të ndërronte jetë po atë vit, kështu që në punë karriere profesionale Camaj mbeti mes katër rrugëve. Këto rrethana i ka sqaruar thukët dhe bindshëm në kujtimet e tij miku fanmirë i Camajt, Ton Koka, një ish-agjent në profesion i CIA-s, por njëherësh shqiptar dashamir në zemër e në shpirt. Këto rrethana nuk i merr se nuk di as t’i marrë në konsideratë z. Tare, edhe pse kujtimet e Kokës janë bërë publike, madje janë botuar pjesërisht edhe në portalin e Peizazhe të Fjalës (Demiraj: Profesori Zeta, 30 mars 2020). Ndryshe qëndron puna në interpretimin që i bën z. Tare korrespondencës private të njërit apo tjetrit refugjat, edhe pse ajo gjendet e arshivuar bash aty ku s’duhej të ishte. Kjo është një ndërhyrje e dhunshme në sferën private të një qenieje humane. Mendoni sikur z. Tare të kishte në dispozicion e të botonte me radhë deponimet në zyrat e refugjatëve të atyre qindra-mijëra familjeve, të rinjve e të rejave shqiptare që lanë vendin e shumë lanë edhe kokën në vitet 90-të e deri sot e gjithë ditën për një jetë më të mirë në Perëndim. E në këtë rast nuk bëhet fjalë më për lapsus a lajthitje të pavullnetshme, por për mëkat mortor e dhunim të vetëdijshëm të të drejtave elementare, që gëzon çdo qenie njerëzore e kësaj bote. Këtë akt barbar z. Tare nuk ia lan dot as Joni e as liqeni i Butrintit, ku numëron pushtetarët që pjekin qengja në hell.
Bazuar edhe në veprimtarinë e tij letrare e kulturore, ç’mund të na thoni për raportin e Camajt me Kosovën?
Raporti i Camajt me Kosovën është pasqyruar qartë në botimin e veprës së plotë të atdhetarit dhe eruditit Mustafa Merlika; po ashtu është përsëritur në disa revista serioze si “Hylli i Dritës” (3-4 [2014] 176-183). Nuk flas këtu për interpretime dhe komente alla-tarçe, por gjykime të mirëfillta që na ka lënë trashëgim penda e artë e Martin Camajt. Por ja, kështu e solli jeta, për veprën e tij letrare, shkencore dhe qytetare na duhet të mbyllim gojën, meqë z. Tare nuk shfaq interes konkret.
Sa përket veprës letrare të Martin Camaj, a ka pasur ajo elementë antikomunistë?
Po për sa u përket vlerave atdhetare të kësaj vepre, ç’mund të na thoni? Dalim këtu jashtë qëllimit të kësaj interviste, andaj ju lutem vetëm të citoni fjalët e shkrimtarit të madh: “Tiranitë, krahas nervozizmit dhe stuhive kalimtare, janë përpjekur të krijojnë portat e rreme e të gabuara. Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj së madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha”. (Kadare: Camaj. Vepra I. Onufri, Tiranë 2010, 14)
A keni mundur ta njihni nga afër Camajn. Nëse po, çfarë do veçonit nga këto takime?
Camajn nuk kam pasur fatin ta njoh personalisht, edhe pse e takoj shpesh, shumë shpesh, veçse në mënyrë virtuale. Njoh mirë trashëgiminë e tij letrare, shkencore e arkivore dhe angazhimin e tij social. Pjesë e tij është edhe Katedra e Gjuhës Shqipe në Universitetin tashmë elitar Ludwig-Maximilian të Mynihut (RFGJ) e që unë kam fatin e madh ta drejtoj prej vitit 2000. Fryt i këtyre takimeve është përgatitja për shtyp e gjithë veprës së tij letrare në dhjetë vëllime (Onufri, Tiranë 2010), një vëllim përkujtimor në gjuhë të huaj, ku ka pjesëmarrë me artikuj të cemtë ajka e albanologjisë ndërkombëtare në kohën tonë: “Wir sind die Deinen” (= Ne jemi të tutë. Harrassowitz. Wiesbaden 2010, 600 f.). Mund të përmend edhe realizimin e dy simpoziumeve shkencore (2005; 2015), të filmit dokumentar “Martin Camaj i papërsëritshëm” (Radi – Demiraj – Kuri 2012), si edhe diku te 15 artikuj shkencorë e shkrime të natyrës divulgative në revista shkencore, periodikë e gazeta shqiptare. E kuptoni tani besoj se çfarë shije të hidhur më ka lënë shkrimi i mjerë i z. Auron Tare.
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al