Censi i popullsisë dhe mirëqeverisja

Jul 8, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

NGA PROF. DR. ARBEN MALAJ arben-malaj

“Faktori më vendimtar i prosperitetit të çdo vendi është rritja e numrit të banorëve të tij”

Adam Smith libri “Pasuria e Kombeve”

Censi i popullsisë ndihmon analizën e trendeve demografike për të vlerësuar përmasat e sfidat dhe risqet sociale, ekonomike, buxhetore dhe politike. Perandoria Babilonase kreu një numërim rreth vitit 3800 p.e.s, megjithëse kjo u përqendrua te bagëtia dhe burimet natyrore dhe jo te njerëzit. Dinastia Han në Kinë (206 p.e.s – 220 e.s.) ka të dhënat më të vjetra të regjistrimit të mbijetuar, duke regjistruar një popullsi prej 57.7 milionë në vitin 2 pas Krishtit. Evropa në 1086 (Angli), vëzhgoi pronësinë e tokës, por ofroi njohuri edhe për shpërndarjen e popullsisë.

Regjistrimi i vitit 1790 kishte vetëm gjashtë pyetje. Statistikat e para zyrtare të popullsisë për Shqipërinë janë regjistrimi i vitit 1923, kur vendi kishte gjithsej 823,000 banorë. Maddisoni në databazin më të gjatë dhe më të mirë vlerëson se në Shqipëri jetuan rreth 200,000 njerëz deri në vitin 1600 dhe popullsia u rrit në 300,000 në 1700. Angus Maddison është studiuesi që ka ndërtuar të dhënat statistikore për të gjitha shteteve duke filluar nga viti zero. INSTAT duhet të plotësojë periudhat pa të dhëna për Shqipërinë në këtë vjetarë statistikore të jashtëzakonshëm. Ky mund të jetë një projekt kombëtare me ekspertët më të mirë i financuar nga donatorë dhe qeveria. Lagarde, Presidente e Bankës Qendrore Evropiane këshillon se: “Qeverisja pa statistika është si të ngasësh një makinë me dritat fikur në një tunel”.

Përfitimet kryesore nga regjistrimet e popullsisë? Regjistrimet e popullsisë janë vendimtare për një qeverisje efektive, sepse ato ofrojnë një pamje të qartë të sfidave dhe trendeve demografike të një vendi. Ndikimet pozitive në mirë-qeverisje materializohen në formulimin e politikave ekonomike dhe formulimin e politikave sociale, të cilat përfshijnë:

(i) Përmirësimi i shpërndarjes së burimeve: Duke ditur shpërndarjen e popullsisë dhe demografinë, qeveritë mund t’u japin përparësi zonave me përqendrim të lartë të fëmijëve për shkollat e reja, ose zona me popullsi të moshuar për objekte shtesë të kujdesit shëndetësor:

(ii) Përfaqësimi më i drejtë: Numërimi i saktë i popullsisë siguron që çdo qytetar të ketë zërin e duhur në qeveri duke përcaktuar ndarjen e vendeve në organet legjislative;

(iii) Politika e drejtuar nga të dhënat: Të dhënat e regjistrimit informojnë vendimet e politikave për çdo gjë, nga financimi i arsimit te programet sociale, duke siguruar që politikat janë e nevojshme dhe efektive për popullatën;

(iv) Planifikimi për të ardhmen: Tendencat e popullsisë si plakja e popullsisë ose urbanizimi në rritje i lejojnë qeveritë të planifikojnë për infrastrukturën e ardhshme dhe nevojat sociale. Disa nga kufizimet e regjistrimeve të popullsisë? Mos përfshirja – jo të gjithë numërohen, veçanërisht popullsitë e margjinalizuara ose ato me akses të kufizuar në burime. Kjo mund të çojë në të dhëna të pasakta dhe të shtrembërojë vendimet e politikave sidomos të politikave sociale.

Kostoja: Kryerja e një regjistrimi mbarëkombëtar është e shtrenjtë, duke kërkuar fuqi punëtore dhe burime të konsiderueshme- kjo ndikon në periodicitetin e censeve, duke krahasuar dobishmërinë e kostos së freskimit të të dhënave me koston e censit. Kohëzgjatja: Popullatat ndryshojnë vazhdimisht, kështu që të dhënat e regjistrimit mund të vjetrohen relativisht shpejt. Sidomos sot me flukset e mëdha emigatore brenda dhe jashtë vendeve.

Shqetësimet për privatësinë: Disa njerëz janë të kujdesshëm ndaj ndarjes së informacionit personal, gjë që mund të ndikojë në normat e pjesëmarrjes dhe saktësinë e të dhënave. Teknologjia moderne dhe metodat e kampionimit po ndihmojnë në adresimin e disa prej këtyre kufizimeve, por regjistrimet e popullsisë mbeten një mjet jetik për qeverisjen e mirë. Përfitimi kryesore i regjistrimit të popullsisë është ndikimi i tij në politikë-bërjen kombëtare, sociale, sektoriale dhe gjeografike. Ndërsa ndikimin më të madh pozitiv censi e ka tek forcimi i kritereve përzgjedhëse për investime të reja në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë. Investimet dhe politikat sociale nuk duhen përcaktuar nga përzgjedhja spontane e influencuar nga politikanë apo grupe interesi, por vetëm nga statistikat/impulset që ofron censi i popullsisë.

Një përvojë pozitive për Ministrinë e Financave është modeli austro-hungarez në investimet e tyre ushtarake jashtë vendit gjatë luftërave ballkanike. Në tavolinën e vendimmarrjes ishin pesë ministra. Vendimet nuk merreshin vetëm nga ministri i luftës. Propozimet e tij për rrugët ushtarake ballafaqohen me ministrin e tregtisë pasi synohej rritja e influencës nëpërmjet rritjes së vëllimeve tregtare. Ministri i Arsimit synonte rritjen e ndikimit austro-hungarez në këto ato zona ku do kalonin rrugët e ushtrisë. Fjala e fundit për të zgjedhur opsionin më efektive në aspektin shumëdimensional ishte e ministrit te financave, të cilët duhet të zbatojnë rregullin e artë të menaxhimit të financave publike: “Me më pak para nga taksapaguesit të realizohet sa më shumë përfitime për ta”.

Fati më ka ndihmuar që gjatë pushimeve verore universitare 1982-1986 të punoja në zyrën e Planit të NB-së, Llakatund, e cila drejtohej nga Luan Cipi një prej ekonomistëve dhe ekspertëve më të mirë edhe në nivel kombëtarë. Ish-ministri i Bujqësisë, Pirro Dodbiba, i internuar në Llakatund që ishte diplomuar për statistika në Rusi mbulonte zyrën e statistikave. Ndoshta edhe për këtë fakt Ministria e Bujqësisë, e cila mbulonte rreth 50% të ekonomisë shqiptare, deri në mesin e viteve ‘90-të kishte “Vjetarin Statistikore” më të mirë. Dobishmëria e censuseve kushtëzohen nga cilësia e mbledhjes, përpunimit dhe përdorimin e të dhënave të grumbulluara. Kujdes me mossaktësinë e mbledhjes dhe (keq)përdorimin e statistikave. Ka disa deklarata paralajmëruese për risqet potenciale të keqpërdorimit të statistikave. Disa paralajmërojnë se: “Ka gënjeshtër, ka gënjeshtër të madhe dhe ka gënjeshtër edhe më të mëdha që quhet statistikë”.

Të tjerë theksojnë se: “Politikanët i keqpërdorin statistikat sikurse një i dehur përdor një shtyllë elektrike, jo për të parë rrugën e ndriçuar, por për t’u mbajtur që të mos bien/ politikisht”. Deklarata e fundit është edhe më domethënëse: “Statistikat janë si rrobat intime, janë më të rëndësishme për atë që fshehin, jo për atë që tregojnë”. Rreziqet për keqpërdorimin e të dhënave makroekonomike shfaqen kur tentohet të ndryshohen treguesit e rritjes reale të ekonomisë, të ardhurat reale si pagat, pensionet dhe përfitimet nga programet sociale dhe të nivelit real të inflacionit për pensionistët dhe për inflacionin ushqimore për shtresat e varfra, si edhe kur tentojnë të shtrembërojnë treguesit e deficitit buxhetorë dhe të borxhit publik në raport me PBB-në. Vetëm statistikat e sakta, sa më të gjata në seritë e tyre kohore dhe sa më të detajuara mund të ndihmojnë mirëqeverisjen e një vendi. Metodat statistikore janë në dinamikën e tyre të përhershme të përmirësimit. Demokratizimi i burimeve statistikore është një arritje e madhe.

Avancimi i metodave te bazuara tek ekonomia e dijes do të përparojnë dhe lehtësojnë sfidat e mbledhjes, përpunimit, përdorimin dhe publikimin e të dhënave stastistikore. “Big date” është kthyer në një garë midis kompanive më të mëdha globale për të pasur sa më shumë të dhëna statistikore se konkurrentet e tyre. Por përfitimet prej statistikave nuk do të jenë të dobishme nqs nuk përzgjedhim njerëzit e duhur, në vendin e duhur për sfidat e duhura dhe sidomos për integritetin e lartë njerëzorë dhe profesional në çdo hallkë të qeverisjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura