Çfarë mund të mësojnë të rriturit nga fëmijët?

Nov 4, 2020 | 14:47
SHPËRNDAJE

Bebet vijnë në botë si një ‘libër i zbrazët’. Të rriturit duan të mbushin faqet bosh sa më shpejt të jetë e mundur.

Duam t’i bëjmë fëmijët të rritur dhe të përsosur dhe i mësojmë si të veprojnë në çdo situatë, raporton “Psychology Today”.

Por a janë të rriturit kaq perfektë? A është vërtet e mirë ajo që u mësojmë? Apo janë ata njerëz të vegjël, të cilët nuk janë të ndikuar nga mjedisi i jashtëm, në të vërtetë, shumë më të përsosur se të rriturit?

Çfarë mund të mësojmë nga fëmijët?

Ndihuni të lirë

fëmijët (2)

Fëmijët vrapojnë, kërcejnë, bërtasin dhe këndojnë, pavarësisht ku janë dhe si janë. Ata ndihen të lirë ta bëjnë këtë dhe nuk e mendojnë shumë gjatë. Nuk ka rëndësi për ta se kush është pranë tyre.

Nuk befasohemi kur fëmijët kanë një sjellje kaq të lirë, por për të rriturit do ishte një çmenduri të kënduarit në rrugë me zë të lartë. E pranojmë që është një sjellje e çuditshme.

Por a nuk do të ishte mirë që të shprehnim ato që ndjejmë? A nuk do të ishte mirë që të bërtisnim kur zemërohemi apo kur gëzohemi?

Ndjenja e turpit, shpeshherë na bën të mos jemi vetvetja apo të mbajmë brenda vetes shumë ndjenja, të cilat më pas mund të shkaktojnë ankth dhe stres.

Një jetë pa barriera

fëmijët (1)

Të rriturit vendosin rregulla, kufij, kanë norma dhe vlera. Fëmijët nuk i kanë këto. Një fëmijë nuk e merr asgjë si të mirëqenë. Nuk e mendojnë të sillen në një mënyrë të caktuar, sepse ashtu duhet.

Fëmijët mund të na mësojnë të mos e pranojmë gjithçka siç është. Ata mund të na bëjnë të mendojmë për pyetje si “pse vazhdoj ta bëj këtë punë kur nuk më pëlqen”?

Të zbulosh botën pa frikë

Fëmijët nuk mendojnë: “A mundem unë?”. Ata thjesht e bëjnë pa u shqetësuar dhe pa frikë. Nëse janë kureshtarë për diçka, pyesin ose e provojnë. Jetojnë një ‘udhëtim eksplorimi’.

Të rriturit e bëjnë këtë, por vetëm në një masë të caktuar. Nëse nuk jemi të sigurt që mund të bëjmë diçka, shpejt vendosim frenat ose heqim dorë. Kemi frikë nga dështimi. Fëmijët bëjnë gabime, por mësojnë prej tyre, kështu që të rriturit duhet të ndjekin shembullin e tyre.

Ndershmëri

fëmijët (3)

Kur të rriturit thonë diçka, shpeshherë nuk jemi të sigurt nëse ajo është e vërteta. Ata mund “t’i shtrembërojnë” gjërat, sepse nuk duan të lëndojnë të tjerët ose sepse kanë diçka për të fshehur.

Fëmijët e vegjël, gjithmonë guxojnë të thonë të vërtetën. Për shembull, një fëmijë mund t’ju thotë: “Flokët e tua janë shumë të shëmtuara”, duke mos e menduar aspak se si do të ndihet personi tjetër. Por të qenit i vërtetë në ato që thua mund të ndryshojë shumë gjëra në jetë.

Ndjenja të pastra

Kur një fëmijë dy vjeç është i zemëruar, ai mund të shtrihet në dysheme duke bërtitur, duke goditur këmbët dhe duke përplasur duart. Një fëmijë i lumtur, entuziast, do të shkëlqejë nga lumturia.

Kur një fëmijë është i trishtuar, ai do të qajë dhe dëshiron të ngushëllohet. Ata e tregojnë qartë për botën e jashtme se çfarë ndjejnë.

Natyrisht që është më mirë që të rriturit mos të shtrihen në dysheme duke bërtitur kur janë të mërzitur, por gjithashtu do të ishte më mirë që ata ta ndajnë me botën e jashtme atë që ndjejnë. Kjo do të parandalonte keqkuptimet, do të siguronte mirëkuptim dhe dhembshuri.

Koha nuk është flori

Koha – fëmijët e vegjël nuk janë ende të njohur me këtë koncept. Ata bëhen të vetëdijshëm nga prindërit e tyre se duhet të nxitojnë për të qenë diku në kohë. Fëmijët nuk nguten, e marrin lehtë.

Ata nuk duan të drejtohen nga koha. Dhe të rriturit duhet të kuptojnë që duke vrapuar pas kohës, humbasin shumë gjëra në jetë. Në disa momenti duhet të ecni me hapin e fëmijës.

Shijojnë

fëmijët (1)

Bëjini një fëmije një dhuratë të vogël dhe ai do të ‘fluturojë’ në ajër. Me një tullumbace ose një çokollatë, ju e bëni atë aq të lumtur sa me një biçikletë të re.

Ata kënaqen kur shohin një aeroplan, një autobus dhe një kamion plehrash, kur janë në supermarket apo kur ushqejnë rosat nga afër. Ata nuk gjejnë asgjë të mërzitshme ose të zakonshme. Bota jonë do të ishte shumë më e bukur përmes syve të një fëmije.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura