Kryeministri Edi Rama në çdo takim elektoral ndalet te reforma në drejtësi, duke u thënë qytetarëve që nëse duan që procesi të ecë përpara të votojnë PS-në, pasi në të kundërt, me ardhjen në pushtet të PD dhe LSI gjithçka që është ndërtuar deri tani do të shembet.
Deputeti Fatmir Xhafaj, i cili kandidon sërish në siglën e PS-së shprehet se reforma është ndërtuar në atë mënyrë që nuk mund të ndryshohet, por nëse vjen PD në pushtet mund të ketë interferenca nga individë të caktuar.
“Para disa kohësh kur policia, Prokuroria dhe Gjykata vendosi të marrë masë sigurie për një administrator lokali e gjithë partia e opozitës shkoi në mbrojtje përballë ligjit dhe përballë Gjykatës.
Nga ana tjetër kemi qëndrimin që kemi mbajtur ne gjithë këto vite që secili mban përgjegjësi individuale përpara ligjit. PS nuk i bëhet mbrojtje publike apo morale kujtdo që shkel ligjin. Janë dy filozofi të ndryshme dhe njëra e frenon drejtësinë dhe tjera e ndihmon drejtësinë.
Prandaj shpesh herë thuhet, çfarë ndodh nëse nuk është PS?
Nuk është se do të ndryshojë gjë te reforma në drejtësi sepse është ndërtuar në mënyrë të tillë, por ama mundet një forcë politike që është në pushtet, mund ta frenojë, ta pengojë apo individë të veçantë duke interferuar apo ndikuar në të, mund ta dëmtojnë apo cenojnë imazhin apo ecjen e këtij procesi”, tha Xhafaj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al