Çfarë ndodhi me Ervis Martinajn? Oficeri i Policisë që e shoqëroi në hotelin luksoz “kyç gojën”! Merren dëshmitë e të dashurës dhe Endrit Dokles

Aug 26, 2022 | 9:44
SHPËRNDAJE

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Kurbinit që kanë realizuar arrestimin e oficerit të Policisë, Jeton Lami si përkrahës të Ervis Martinajt, kanë pamjet e një hoteli të njohur në Durrës, në të cilin dyshohet se ai qëndroi një natë para zhdukjes.

Ervis Martinaj13

Ervis Martinaj që është shoqëruar me mjetin luksoz në drejtim të të cilit ka qenë Jeton Lami, ka qëndruar aty për gjatë gjithë natës deri orëve të paradites së të nesërmes, kur sërish sipas të dhënave të Policisë e ka shoqëruar për në largim nga efektivi i arrestuar. Policia dhe Prokuroria nuk dihet ende nëse kanë nisur verifikimet në lidhje me vendqëndrimin e tij, ku sipas të dhënave dhoma, në të cilën ka qëndruar Martinaj, ka qenë e prenotuar me të dhënat e Lamit.

Ndonëse i riu nga Kamza ka mbyllur gojën duke refuzuar të flasë për grupin hetimor në lidhje me akuzën e ngritur, Policia dhe Prokuroria ende nuk kanë në duar ndonjë pamje tjetër, nga ku ka lëvizur mjeti pasi është larguar nga hoteli i njohur në Durrës, hotel që disa muaj më parë u godit nga Policia durrsake për shkak të një kazinoje të hapur brenda ambienteve të brendshme dhe madje u tha se u arrestuan tre shtetas të huaj, të cilët ishin menaxherë të importuar nga një tjetër kazino e njohur në mes të Tiranës.

E ndërkohë që fati i 40- vjeçarit nga Laçi nuk dihet ende, Lami, oficeri i Policisë që doli në pamjet e shoqërimit të Martinajt në hotel, ka dalë para Gjykatës së Kurbinit. Ai nuk ka folur, ndërkohë që Prokuroria ka marrë dëshminë e Endrit Dokles, ish-anëtarit të Bandës së Durrësit. Ndaj tij ka drejtuar gishtin familja e Martinajt, por Endrit Dokle ka depozituar alibi për gjatë gjithë javës së humbjes së kontakteve me Martinajn.

Është lënë i lirë pas dëshmisë, ndërkohë që Prokuroria e Laçit kërkon të mbahen nën hetim, përgjim dhe vëzhgim mbi 100 persona, të gjithë lidhje me të zhdukurin pa gjurmë. Një pikë e fortë lidhjeje me fatin e tij është edhe një femër që pretendohet që ka qenë me të natën që ka qëndruar në Durrës. Prokuroria pretendon se ajo është e dashura e Martinajt dhe se ka dëshmuar për ngjarjen.

SEANCA

Agjenti i Forcës së Posaçme Operacione në Policinë e Shtetit, Jeton Lami, i cili dyshohet se ka transportuar të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, do të qëndrojë në burg. Nën masa sigurie dhe me jelek antiplumb, 28-vjeçari me banim në Tiranë u njoh këtë të enjte me rivlerësimin e kushteve të masës së sigurisë, të dhënë në mungesë ndaj tij. Sipas burimeve në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, agjenti i Policisë ka kyçur gojën para togave të zeza, ndërsa gjyqtari Aurel Arapi pranoi kërkesën e prokurorit Bardhyl Shehu dhe vendosi masën e sigurisë arrest me burg pa afat ndaj 28- vjeçarit Jeton Lami për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Në përfundim të seancës gjyqësore, avokati i të akuzuarit, Gentjan Rumano, paralajmëroi ankimim të vendimit në Gjykatën e “Qëndrimi ynë në seancë ka qenë vetëm në lidhje me kushtet e dhënies së masës së sigurimit. Lidhur me rrethanat e tjera do sqarohen gjatë hetimit. Deri tani, klienti im nuk ka dhënë asnjë sqarim në lidhje me akuzat, por ne e konsiderojmë të papërshtatshëm faktin që duhet të qëndrojë në burg, ashtu siç u vendos nga ana e Gjykatës dhe do ta ankimojmë këtë vendim. Janë rrethana të paqarta pretendimet e Prokurorisë që do të sqarohen gjatë hetimit”, thotë avokati.

Agjenti i Forcës së Posaçme Operacione në Policinë e Shtetit, Jeton Lami, u arrestua të martën nga Policia, pasi në kuadër të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Kurbinit për rrëmbim ka rezultuar se ai ka transportuar të shumëkërkuarin Ervis Martinaj. Referuar dosjes hetimore, agjenti i Policisë u zbulua nga pamjet filmike të një hoteli në Durrës, ku mbrëmjen e 5 gushtit shfaqet me një automjet “Audi” e më pas të nesërmen e merr sërish të shumëkërkuarin nga hoteli dhe largohet po me të njëjtën makinë.

Të dhënat për vendndodhjen e Ervis Martinajt dhe të fatit të tij janë të shumta, kontradiktore dhe shpeshherë edhe horror, por policia dhe grupi hetimor, kanë mundur të kenë në duar elementët e duhur për të shkuar së paku te dyshimi kryesor i asaj çka vërtet mund të ketë ndodhur me Martinajn. Emri i tij, në fakt, është i lidhur me një mori ngjarjesh dhe konfliktesh në vend, por ai rezulton i zhdukur dhe i pagjurmë prej më shumë se dy javësh dhe Policia dhe Prokuroria ende nuk kanë një pistë të saktë hetimi dhe kërkimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura