CIA në 1954: Britanikët kundër rrëzimit të Enverit

Jan 6, 2014 | 13:41
SHPËRNDAJE

Hasan Dosti
Dokument i Shërbimit të Fshehtë Amerikan për operacionet sekrete.

Qeveria amerikane: Shkëputja e Shqipërisë nga orbita komuniste, objektiv shumë i rëndësishëm psikologjik.

“Ndërhyrja e Komitetit të Prizrenit dhe atij ‘Shqipëria e Lirë’ s’pritet të ftohet për të vepruar nga brenda”

CIA: Hasan Dosti, i zgjedhuri ynë.

“Ndërhyrja nga jashtë krijon probleme me fqinjët e Shqipërisë”

“Nuk jemi dakord që të rrëzohet Enver Hoxha!”.  Ky konkluzion surprizë i Ministrisë së Jashtme Britanike mund të risjellë një përmbysje të shumë analizave dhe konkluzioneve historike mbi operacionet anglo-amerikane kundër Shqipërisë komuniste.  Dokumenti i sotëm, që botohet për herë të parë për lexuesin shqiptar, sjell një dëshmi befasuese. I hartuar vetëm në dy kopje  ky dokument është protokolli i mbajtur nga një takim sekret midis Shërbimit të inteligjencës britanike dhe CIA-s amerikane. Takimi i mbajtur në tetorin e 1953-shit në Londër është  i një niveli të lartë. Dokumentet e këtij takimi  sjellin  për herë të parë edhe këndvështrimin e dy nga shërbimeve  më të rëndësishme, që udhëhiqnin luftën kundër komunizmit ndërkombëtar.  Në këtë protokoll,  ku parashtrohen direktivat e shërbimeve respektive  mbi

Enver Hoxha në një nga daljet publike në vitin 1950
Shqipërinë, britanikët sjellin pjesë nga raporti i Ministrisë së tyre të Jashtme. Me sa kuptohet nga ky pasazh i cituar në këtë takim, Ministria e Jashtme angleze  nuk dëshironte  një ndryshim të regjimit të Tiranës.  Edhe pse britanikët sjellin një justifikim të vagullt, është me shumë interes për historianët e fushës për të parë  arsyet e këtij ndryshim të kursit nga anglezët. Nuk duhet harruar se jemi në vitin 1953, vit kur amerikanët kishin shtuar përpjekjet e tyre për rrëzimin e qeverisë komuniste. Jo më kot në këtë takim amerikanët theksojnë se objektivi i qeverisë së tyre ishte rrëzimi me çdo kusht i Hoxhës edhe me mjete paraushtarake. Shqipëria ishte një objektiv psikologjik, i cili mund të jepte një sinjal  të qartë se Perëndimi mund të destabilizonte shtete komuniste me operacione klandestine.  Për këtë arsye amerikanët kishin gati një numër të madh grupesh të armatosura, të cilat ishin futur apo prisnin të infiltroheshin në Shqipëri. Por, çuditërisht, britanikët theksojnë se qeveria e tyre është e kënaqur me deklaratat e fqinjëve të Shqipërisë për të ruajtur status quonë mbi çështjen shqiptare. Foreign Office nuk mendonte se Shërbimi Sekret britanik duhej të ishte aktiv në dërgimin e grupeve diversioniste në territorin shqiptar. Po përse britanikët papritmas ndryshojnë mendim?  A mos vallë ata  kishin kuptuar se si komiteti “Shqipëria e Lirë”, ashtu edhe Komiteti i Prizrenit nuk kishin asnjë mbështetje reale në Shqipëri?  Mos vallë britanikët ishin realistë në faktin se organizatat  e përdorura nga shërbimet e huaja nuk mund të krijonin një kryengritje popullore?  Ndoshta ishin bindur se regjimi i Enver Hoxhës ishte tashmë i konsoliduar sa të rrëzonte çdo përpjekje nga jashtë?   Deri më sot, nga dokumentet e Shërbimit britanik të deklasifikuara mbi këto operacione nuk ka ndonjë të dhënë specifike. Ndoshta duhet pritur në deklasifikimin e mëtejshëm të këtyre dokumenteve për të kuptuar diçka më shumë.  
Por, fakti se britanikët papritmas kishin vendosur një “paqe” relative me Enver Hoxhën e vë në pikëpyetje politikën angleze ndaj Shqipërisë.
Ndërkohë, në dokumentin e botuar sot, midis të tjerave, të tërheq vëmendjen përmendja e një  organizate të panjohur. Kjo organizatë  që ka tërhequr vëmendjen e shefave të shërbimeve anglo-amerikane njihet si organizata e Hile Shllakut. Deri më sot nga historianët e fushës nuk përmendet një organizatë e tillë anti -komuniste në Shqipëri. Çuditërisht, në protokollin e këtij takimi kaq të rëndësishëm bisedohet edhe për këtë organizatë, e cila mendohej se do të rrëzonte regjimin komunist nga brenda. A mos vallë kjo organizatë ishte një operacion i fshehtë i Sigurimit shqiptar?

TOP SEKRET              
 
Kopje 2
 
KONFERENCA FIEND/VALUABLE
Protokolli i marrëveshjes për veprim
 
Më poshtë janë pikat e veprimit që duhen të ndërmerren si rrjedhim i marrëveshjes së arritur së bashku nga Konferenca e FIEND/VALUABLE.  Minutat janë bashkangjitur
 
1.   Aktiviteti propagandistik
 
a) (artikuj të dobishëm)  paragrafi 14
CIA të shikojë mundësinë e “artikujve të dobishëm” në fondin e vet për të vendosur nëse i duhen artikujt nga fondi i SIS (Shërbimi Sekret Britanik- shën. i ynë) për raste kur nuk mund të hedhë vetë artikujt me avion.
 
b) Fletushkat
Fletushkat dhe revista e përmbledhjes e përgatitur nga CIA të diskutohen së bashku si të përshtatshme apo jo në Romë ose Athinë para hedhjeve, po kështu edhe koha e hedhjes.
 
2.   Komiteti “Shqipëria e Lirë”
 
Riorganizimi (paragrafi)
 
Zoti (emri i fshirë) dhe (emri i fshirë) të takohen në Romë më 9 nëntor 1953 për të rënë dakord përfundimisht me emrat e komitetit konsultativ dhe të përcaktojnë se si dhe sa më mirë të informojnë komitetin mbi planet tona të së ardhmes.
DOSTI të informohet 24 orë më parë mbi ndryshimet përpara informacionit tonë formal të komitetit.
Autoritetet italiane dhe greke të informohen më parë mbi qëllimet tona. Forma e informacionit të vendoset më vonë. Me çdo mënyrë përfaqësuesi jonë në Romë të bëjë të mundur mbajtjen e Ballit Kombëtar në komitetin e reformuar.
 
Sigurimi
 
SIS, jo më si në të shkuarën, të informojë komitetin mbi grupet operacionale.
 
Komiteti i Prizrenit
 
Të shkëmbehen informacione të marra mbi këtë organizatë
 
Inteligjenca
 
Shkëmbim i dyanshëm i përmbledhjeve mbi të gjitha burimet e inteligjencës në Shqipëri çdo 1 maj dhe 1 nëntor të çdo viti. CIA të përgatisë një përmbledhje të shkurtër.
SIS t’i japë CIA-s informacione mbi personalitetet sipas kërkesës së kësaj të fundit.
 
Organizata e Hile Shllakut
 
Të dyja shërbimet të mbajnë njëra-tjetrën të informuar mbi zhvillimet. CIA të informojë SIS mbi hapat e ( emri i fshirë) për të kontaktuar këtë organizatë.
 
SIS të informojë CIA-n mbi refugjatë shqiptarë në zonën britanike të Austrisë si dhe t’i krijojë lehtësira CIA-s për të intervistuar karaktere me interes.
 
 
21-22 tetor 1953
Shënimet e takimit
Kryetari:    CIA. (London)
(London)
                  (London)
                   London)
                  (London)
(emri i fshirë) hapi konferencën, duke u uruar përfaqësuesve të CIA-s mirëseardhjen dhe u kërkoi falje për ndryshimet e datës disa herë, gjë që kishte penguar këtë takim.
DIREKTIVAT E SIS DHE CIA-s
 (emri i fshirë) parashtroi direktivat e 1953 mbi të cilat SIS kishte operuar këtë vit, si dhe kërkesat e përgjithshme të cilat ishin si me poshtë:
 
a.   mbledhja e inteligjencës sipas kërkesave të parashtruara në dokumentin e shpërndarë.
b.   Mbështetje për komitetin “Shqipëria e Lirë” në bashkëpunim me CIA-n.
c.    Hedhje nga ajri të fletushkave në periudha një në tre muaj
 Pastaj (emri i fshirë) tha se direktivat e SIS për 1954 nuk do kishin shumë ndryshim nga ato të 1953, pasi dukej se Ministria e Jashtme nuk dëshironte që SIS t’i përshkallëzonte aktivitetet e saja të Luftës së Ftohtë në Shqipëri.
Ministria e Jashtme ishte pyetur kohët e fundit për të dhënë mendimin e saj në vigjilje të takimit të FIEND/VALUABLE  për aktivitetin e SIS dhe ajo ishte përgjigjur si më poshtë:
 
“Rreziku i një lëvizjeje të brendshme e çfarëdolloj natyre në Shqipëri mund të shoqërohet me ndërhyrjen e Komitetit të Prizrenit apo me pak mundësi nga komiteti “Shqipëria e Lirë”, të cilat nuk do të ftohen nga brenda Shqipërisë për të vepruar. Ndërhyrja e njërës apo tjetrës mund të konsiderohet nga Jugosllavia apo Italia, dhe me shumë mundësi edhe nga Greqia, si një kërcënim i interesit kombëtar. Veçanërisht në rastin e Jugosllavisë apo Italisë, duke pasur parasysh rastin e Triestes, ne nuk na duhet një tjetër sherr. Prandaj mendojmë se ndoshta nuk duhet të kemi një ndryshim të regjimit aktual në Shqipëri. Ne jemi të kënaqur me deklaratat e fqinjëve të Shqipërisë, si dhe atë të Turqisë dhe nuk do të dëshironim të krijonim probleme të reja duke spekuluar apo duke ftuar grupe të interesuara mbi “çështjen shqiptare”; me një fjalë ne favorizojmë një politikë të ecjes me avash për këtë moment”
 3.         ( emri i fshirë) tha se CIA nuk kishte direktiva të shkruara mbi këtë problem, por që pikëpamjet e qeverisë amerikane ishin se Shqipëria ishte një objektiv shumë i rëndësishëm psikologjik dhe shkëputja e saj nga orbita komuniste nuk duhet të pengohet, megjithatë zgjidhja e aksioneve paraushtarake ishte duke u debatuar. CIA ka synim që operacionet e saja kundër Shqipërisë të jenë sa më efektive, ekonomike dhe profesionale.
4.    U ra dakord që e vetmja mospërputhje midis politikave të SIS dhe CIA-s ishte fakti që CIA ishte për veprime më të avancuara se ato që i lejonte Ministria e Jashtme Britanike Shërbimit Sekret Britanik, por u ra dakord që kjo mosdakordësi nuk i pengonte të dyja shërbimet që të bashkëpunonim me njëra-tjetren në praktikë.
vijon

Faksimile e dokumenteve të CIA-s për Shqipërinë, viti 1954
TOP SEKRET
Vetëm për zyrtarët amerikanë
Zyra e Operacioneve Speciale
Uashington D.C.
 MEMORANDUM: Asistenti i drejtorit për Politikat Koordinuese
 Subjekti: Operacioni shqiptar- Kontaktet e Nuçi Kotes dhe Legata Shqiptare në Romë
 1.[….] (emri i fshirë) ka marrë një raport nga një burim relativisht i mirëbesuar se Nuçi Kota është në kontakte të ngushta me Filip Koten, sekretar i Parë i Legatës Shqiptare në Romë. Të dy ata kontaktojnë vetëm me telefon për të evituar mundësinë e të parit së bashku.
2. Në lidhje me këtë çështje është me interes të theksohet se Filip Kota është i vetmi pjesëtar i Legatës Shqiptare që nuk është pjesë e Shërbimit Sekret Shqiptar. Megjithatë, ka ardhur në vëmendjen tonë fakti se Sotir Kozmo, i identifikuar për ju si agjent i Shërbimit Sekret Shqiptar (shikoni memon top-sekret  O D3-211416a, datë 21 dhjetor 1949, Subjekti: Albanian Operation- Aktiviteti i Shërbimit Inteligjent Shqiptar në lidhje me Komitetin Shqipëria e Lirë) ka lënë të kuptohet se ai po tenton që të organizojë arratisjen e Filip Kotes. Në këtë situatë nuk ka asnjë arsye të besohet se thëniet e Kozmos kanë ndonjë vërtetësi.
3.  Ne do t’ju mbajmë të informuar për çdo detaj që mund të mbledhim mbi këtë çështje. Ndërkohë, është urgjente që nga ana juaj të mos ndërmerret asnjë aksion duke pasur parasysh delikatesën e kësaj çështjeje. Po kështu do të ishte një ndihmë e madhe nëse ju të na jepni çdo lloj informacioni që keni mbi natyrën e kontakteve të Nuçi Kotes dhe Filip Kotes.

AURON TARE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura