Cilën parti do votojnë të dielën, 150.000 shqiptarë në Gjermani?

Sep 23, 2021 | 15:59
SHPËRNDAJE

KRESHNIK SPAHIU

NGA KRESHNIK SPAHIU

Të dielën, Gjermania mbyll kapitullin dhe ciklin e fenomenit Merkel, duke votuar për hapjen e një etape të re. Pensionimi i Zonjës Merkel nga çdo funksion politik, ka krijuar një garë të barabartë dhe ka hapur të gjitha alternativat zgjedhëse dhe vizionin për një Gjermani ndryshe.

Pas 18-muajsh krize pandemike, nga e cila afro 30% e bizneseve të vogla rrezikuan falimentimin, 12% e koorporatave u futën në procedura mbylljeje apo kolapsi financiar dhe 7% e ndërmarrjeve të ndërtimit u pezulluan në aktivitet.

Nga sondazhet e javës, koalicioni CDU/CSU, dukshëm nuk mund të jetë lokomotiva e një qeverisjeje të re, madje rrezikon që mos të jetë fare pjesë e qeverisjes. Kandidati Laschet, ka mungesa të theksuara karizme dhe mbetet një hije e lideres Merkel.

Të dielën, së paku 150.000 shqiptarë (shifër jo zyrtare) nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva me pasaportë gjermane, kanë të drejtën të bëjnë zgjedhjen e tyre për 6 partitë kryesore gjermane.

Ndonëse, 1 në 4 shtetas gjermanë ka një origjinë të huaj, në pushtetin legjislativ, ata nuk përfaqësohen as me 8%. Kryesisht partitë politike gjermane nuk i kanë dyert e hapura të përfaqësimit për të huajt, jo ekuivalente me dieversitetin multinacional dhe multikulturor të një Gjermanie, e cila është shndërruar në një metropol mini “America” të dekadave të fundit në Europë… Shqiptarët, pavarsisht se janë një nga kombet më të mëdha në numër, (minimalisht 600.000 nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia) nuk përfaqësohen aktualisht aspak në organet e zgjedhura.

Edhe në këto zgjedhje, shqiptarët nuk janē tërësisht unik në votën e tyre, por ndryshe nga zgjedhjet e tjera, ka një prirje ndryshe. Dhjetëra intelektulë dhe biznesmenë në Hamburg po mbështesin në një fushatë aktive, Partinë Social-Demokrate dhe kandidatin Metin Hakverd.

Dafina Berisha dhe Kastriot Krasniqi kandidojnë në listat e SPD në dy qytete të ndryshme.

Disa shqiptarë të tjerë në Kiel, me origjinë nga Gjakova janë rreshtuar pro CDU. Ndue Oroshi përfshihet në listat e demokristianëve dhe është një aktivist i njohur në zonë.

Të Gjelbrit, edhe për shkak të gabimeve të kandidates së tyre Baerbock, kanë vetëm rreth 15 përqind të votave. Një rezultat i mirë ky për të Gjelbrit, por larg ëndrrave të së kaluarës.

Shqiptarja Lendita Musliu ka shance të jetë një kandidate pretendente për Bundestag.

Gjithësesi, me sa duket, shumica e shqiptarëve këtë radhë po tregohen pragmatistë dhe po orientohen në disa qarqe elektorale drejt votës për SPD për disa arsye: – sepse kandidati Scholz ka më shumë shanse tē jetë kancelari i ri i Gjermanisë

– sepse SPD dhe deputetët e saj, ishin nxitësit dhe promotorët e votës pro Shqipërisë në BE.

– sepse kandidati Scholz është një kopje dhe vazhdimësi e politikave të Kancelares Merkel, si një homolog i saj prej vitesh në qeverisje – sepse SPD dhe Scholz kanë programin më  të hapur dhe më integrues për të huajt

– sepse SPD garanton një pagë minimalisht 12 euro/ora, pension stabël dhe ndërtimin e 400.000 banesave për nevojtarët. – sepse, në SPD garojnë në lista dy shqiptarë, pavarsisht se mund mos kenë shanse për t’u zgjedhur deputetë. Shqiptarët në Gjermani, në këto zgjedhje, për herë të parë po ndikojnë fortë me votën e tyre në rezultat.

Shqiptarët në Gjermani, me shumë zgjuarsi nuk kanë treguar preferencë për ideologjinë e djathtë apo të majtë, por po orientohen drejt fituesit. Shqiptarët në Gjermani, të dielën do zgjedhin, por edhe do zgjidhen, duke qenë në lista. Shqiptarët në Gjermani, këtë muaj i shihje kudo, në krah të disa protagonistëve në zgjedhje.

Gjermania voton të dielën dhe sipas të gjitha studimeve rezultatet mund të jenë dy:

– ose kolaicioni do jetë i njëjtë, por me rotacion brenda llojit, që nënkupton, SPD kalncelarin dhe CDU/CSU në bashkëqeverisje FDP

– ose tre parti të majta SPD-Të majtët-Të Gjelbërit në bashkëqeverisje

Të dielën voton Gjermania, por edhe një pjesë nga Shqipëria.

Sot Bundestagu ka 709 deputet dhe vetëm 59 prej tyre kanë pjesërisht origjinë të huaj por asnjëri shqiptar. Shumë pak në raport me numrin e migrantëve në tërësi. Kjo i shtyn migrantët në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti që të votojnë për atë parti e cila ka hapur më shumë deputet në lista të huaj dhe që ka një program barazie sociale, por dhe strategji integruese.

Zgjedhjet e së dielës janë ndryshe, sepse Gjermania dhe Europa nuk janë njësoj si 4-vite më parë. Prandaj, vota për Gjermaninë e 4-viteve të ardhshme, mund të ndryshojnë të ardhmen e një Europe tjetër, ku shqiptarët mos kapërcejnë murin e Berlinit, por muri Europian të ndërtohet përtej Ballkanit dhe pasaportat e BE-së të kenë flamurin me 32 yje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura