Përballë boom-it të kërkesës për shërbimin data të internetit në cilësi dhe sasi, fjala kyçe në ditët e sotme në biznesin e telekomunikacionit mbetet investimi në sistemin e fibrave optike
Tashmë është e padiskutueshme se ne jetojmë në një epokë mjaft dinamike, ku kërkesat për përdorimin intensiv të smart-phoneve dhe për rrjedhojë internetit në sasi dhe cilësi të vazhdueshme mbetet një domosdoshmëri. Kërkesa për përdorim të shërbimeve data po rritet me ritme të paimagjinueshme në botë, por edhe në Shqipëri. “Përdorimi i internetit është dyfishuar krahasuar me një vit më parë” – thotë Drejtori Ekzekutiv i ALBtelecom, Z.Tahsin Yilmaz në një intervistë për revistën Monitor.
Tashmë është e qartë që sfida e kompanive të telekomunikacionit është më e madhe për investime dhe për sigurimin e një rrjeti që mund të përballojë boom-in e kërkesës. “Për rrjedhojë infrastruktura e linjës fikse merr një vlerë të pakrahasueshme përballë kërkesës në rritje për sasi dhe cilësi të të dhënave përmes celularit apo pajisjeve të tjera elektronike.” – thotë Z. Yilmaz, drejtuesi i kompanisë më të madhe të fiksit ALBtelecom, duke shpjeguar se kjo kompani zotëron një avantazh të dukshëm konkurrues për shkak të rrjetit themelor të fibrave optike që ka aktualisht në përdorim si dhe të investimeve të vazhdueshme në këtë drejtim. “Një “pasuri” teknologjike kjo që garanton cilësi dhe sasi më të lartë të shërbimit të internetit dhe që është garanci për zhvillimet e rrjetit të së ardhmes 5G.” – shpjegon Z. Yilmaz në intervistën e tij të parë që prej emërimit në krye të ALBtelecom rreth një vit më parë.
ALBtelecom ka në zotërim rrjetin kryesor të fibrave optike në të gjithë vendin. Aktualisht janë në shfrytëzim mbi 2,000 km fibra optike që shtrihen në të gjitha qytetet e vendit, duke i lidhur ato në të paktën dy rrugë/alternativa të ndryshme, që mundësojnë ofrimin e shërbimeve tek abonenti me një disponueshmëri në nivelin 99.9%.
Nëpërmjet këtij rrjeti bëhet e mundur edhe lidhja tokësore ndërkombëtare me të gjitha vendet fqinje si: Greqia, Maqedonia, Kosova e Mali i Zi , si dhe me Italinë me anë të sistemit me fibra optike nëndetare, e cila është dhe e vetmja lidhje nëndetare e Shqipërisë me Italinë. Ky sistem siguron cilësinë më të lartë të transmetimit, si dhe kapacitetet e nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm, duke ofruar shërbim bashkëkohor dhe të pandërprerë në çdo kohë.
Është interesante të vërehet se ALBtelecom realizon lidhjen e rreth 80% të të gjithë përdoruesve të internetit në Shqipëri me rrjetin ndërkombëtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë për abonentët e saj, si edhe për operatorë të tjerë, që i drejtohen për të blerë internet me shumicë.
Zhvillimet në rrjet dhe sigurimi i teknologjisë 5G, që shënon edhe kulmin e zhvillimit teknologjik sot në botë kërkojnë një mbështetje të fuqishme mbi një rrjet fiks.
Një avantazh tjetër i ALBtelecom, i mundësuar nga posedimi i rrjetit të fibrave optike mbetet edhe lidhja e stacioneve të telefonisë së lëvizshme (mobile) 3G&4G me fibrat optike. “Mbi 200 km fibër optike është e destinuar për lidhjen e stacioneve të telefonisë së lëvizshme (mobile), që garanton kapacitet më të lartë” – shpjegon Z. Yilmaz gjatë intervistës, ku nuk heziton të shprehë ambicien tij që ALBtelecom pas disa vjetësh të ketë një rrjet fiks që mbështetet i gjithi te fibrat optike, deri tek abonenti fundor, por njëkohësisht edhe një rrjet të telefonisë së lëvizshme (mobile) që gjithashtu do të mbështetet më së shumti mbi kapacitetin e fibrave optike. “Investimi drejt kësaj ambicieje bëhet më qëllim ofrimin e shërbimeve të internetit me brez të gjerë (broadband) për çdokënd në çdo cep të vendit.” – përfundon Z. Yilmaz.
Lëvizjet në këtë industri kanë filluar përballë sfidës për të siguruar cilësi dhe sasi të internetit, pasi rrjetet celulare mbeten të kufizuara. Sfida është e madhe pasi investimet në rrjetet e fibrave optike janë shumë të larta, ndërkohë që fitimet e kompanive celulare kanë shënuar vlerat më të ulëta historike gjatë viteve të fundit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al