Në librin e tij “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, i cili është një ditar politik, profesor Servet Pëllumbi sjell përplasjet e brendshme në PS të vjeshtës 1995, që kërkonin ndryshime në drejtimin e kësaj partie.
Sipas Pëllumbit, pas dështimit të referendumit të vitit 1994, Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, kishte nisur të punonte për të dobësuar forcën e opozitës, e cila kishte rrëzuar projektin e PD-së për Kushtetutën.
Në ditarin e tij, profesor Pëllumbi shkruan se kundër drejtuesve të kësaj partie, atij vetë, Gramoz Ruçit dhe Namik Dokles, ishin hedhur akuza nga një grup anëtarësh të Kryesisë, kritika të aktivizuara nga brenda me ideator Sali Berishën.
Ai tregon se si kërkoi votëbesimin e Kryesisë së PS-së në mbledhjen e KPD-së, e ku disa nga kritikët mbetën jashtë saj, si Bashkim Zeneli, Maqo Lakrori, Fatmir Kumbaro, Xhevat Lloshi, Luan Shahollari.
E HËNË, 16 TETOR 1995
Para disa ditësh, Fatosi më dërgon një letër, brenda saj edhe një letër që i kishte shkruar Leontjev Çuçi, në të cilën ky e informonte dhe bënte vërejtje të rënda për Kryesinë dhe për drejtimin e saj nga unë, Gramozi dhe Namiku. Madje, i sugjeronte kryetarit që të kërkonte shkarkimin tim si konservator dhe ngritjen në këtë detyrë të Luan Hajdaragës si i moderuar. Fatosi më porosiste që ta thërres Çuçin në emrin e tij, ta njoftoj që kryetari porosit që letra të lexohet dhe të diskutohet në Kryesi.
E thirra në zyrë dhe e pyeta:
– Ç’vërejtje ke për punën tonë në Kryesi dhe a i ke shkruar Fatosit për to? M’u përgjigj prerë, duke thënë se Kryesia punon shumë mirë, nuk ka vërejtje dhe se nuk i ka shkruar ndonjë letër kryetarit. Edhe pas insistimit tim nuk ndërroi qëndrim, prandaj u detyrova të nxjerr letrën nga sirtari i tavolinës. Ai u pre dhe filloi të qante duke m’u lutur që të mos e çoja për ta lexuar në Kryesi.
I thashë prerë:
– E çmoj shumë veprimin e kryetarit, është vërtet i rëndësishëm për të ruajtur kohezionin midis nesh, por edhe për ty që nuk na bën asnjë vërejtje, duke qenë përditë me ne dhe i shkruan Fatosit në burg “letër urgjente për të ndryshuar gjendjen”! Megjithatë i bëra një lëshim, fillimisht do ta lexojmë e diskutojmë letrën pa prezencën e tij në kuadër edhe të një ripërtëritjeje të përbërjes së Kryesisë. Kështu vepruam sot.
Nga diskutimet e sotme do të veçoja: F. Kumbaro vlerëson idenë e mbështetur nga Fatosi për ripërtëritjen e Kryesisë, duke zgjedhur edhe shokë nga rrethet, por pa shkurtuar asnjë nga këta që janë. Për letrën e Çuçit tha se “nuk është dakord me vërejtjet që bën për shokë konkretë dhe se nuk ka probleme për t’u marrë me veten tonë”.
E. Meksi: “freskim në Kryesi, po. Rivotim të gjithë Kryesisë, jo”.
A. Dade: “KPD të rivotojë Kryesinë, të pakësohen nënkryetarët dhe propozoj që L. Hajdaraga të mos jetë më nënkryetar”.
S. Poçi: “Problemet që mund të kemi thuhen në Ambasada, në letra si e Çuçit, duke mënjanuar forumet e partisë. Kjo është tepër shqetësuese”.
G. Ruçi: “Ato që shkruan Çuçi në letër janë të njëjta me ato që janë hedhur nga kundërshtarët tanë politikë… ka frymë egoizmi dhe karrierizmi. Për votëbesim e gjithë Kryesia”.
S. Brokaj: “Rritja e figurave të PS-së, e S. Pëllumbit, G. Ruçit, N. Dokles… është në interes të PS-së, goditja që kërkon Çuçi është e gabuar…”
M. Ulqini: “Çuçi shtron një platformë tjetër. Nuk duhet të jetë hera e parë dhe duket u mbush kupa, prandaj Fatosi dha porosi për ta parë këtu në Kryesi…”
L. Shahollari: “Fakti që Leontjevi kërkon që letra të mbetet konfidenciale e shton dyshimin. Ne të mbrojmë ata që po sulmon Berisha”.
E. Ruka: “Çuçi ka të drejtë t’i ngre problemet, rruga e zgjedhur e gabuar…
F. Nano është ngritur mbi marrëdhëniet e ngushta shoqërore…”
M. Lakrori: “Rivotimi do të ketë efekt negativ, ne i hapim probleme vetes, sulmet nga kundërshtari janë rreziku kryesor…”
I. Meta: “Letra e Çuçit-rrugë normale e shtrimit të problemeve. Në Kryesi dhe në KPD të vijnë të rinj”.
L. Hajdaraga: “Letra e Leontjevit ka vlerësime shumë të gabuara: Rezerva nuk kam për shokët… Nuk bashkohem me asnjë etiketim që bën për shokët…”
B. Zeneli: “Ideja e votëbesimit nuk më duket e goditur, mund të kthehet në bumerang. S’kemi ardhur as për njërin, as për tjetrin në parti. Për letrën e Çuçit nuk kam ditur gjë… nuk kam asnjë rezervë për shokët…”.
Duke qenë i bindur për mungesën e sinqeritetit dhe për takime të fshehta të tij, e pyeta drejtpërdrejt:
1. Do të bëje mirë të sqaroje pak anëtarët e Kryesisë për deklaratën që ke bërë këtu se në Kryesi ka nga ata që “u tunden kartat”.
2. A ke qenë në takime të fshehta me Berishën dhe pse? Anëtarët e Kryesisë po prisnin përgjigje, por Bashkimi mendoi që në vend të përgjigjes të bënte akuza për “trockizëm”, për “qëndrime të poshtra” apo duke “kërcënuar” se do t’i drejtohet publikisht Berishës të prononcohet…! Ndërhyri Fatmiri me pyetjen: “Po pse, ç’do të thotë ai? Ilaritet. Kur unë i thashë që “më ke thënë edhe vendtakimin konkret të ndonjërit…” ai shpejtoi ta mohonte: “Ehu, kokë më kokë… s’kam thënë gjë…”. Shokët e Kryesisë u revoltuan. Mbledhja vazhdoi edhe pasdite.
I pari fola unë, vlerësova letrën e kryetarit, metodën e shtrimit të problemeve dhe propozimeve. Theksova: Patëm rastin të njihemi me forma të diversionit që përdor Berisha kundër nesh. Letra e Çuçit për të hequr “shefin konservator” dhe për të venë të “moderuarin”, në thelb reflekton atë që kërkon përditë Berisha.
Zgjidhja: Të bëhet votëbesimi i Kryesisë në KPD. Nuk shoh rrugë tjetër. Bashkimi dhe Maqo të mos votëbesohen, por të japin dorëheqje të parevokueshme para votimit…! Pas kësaj filloi diskutimi nga e para. Shënova në ditar disa hollësi nga procesverbali i marrë me stenogram nga Kristina, sepse mendoj se kjo mbledhje do të ketë rëndësi të veçantë në të ardhmen e afërt të PS-së për të ndarë siç thotë filozofia e popullit “shapin nga sheqeri”. Është fakt që lufta e pushtetit kundër nesh që shihemi prej tij si armiq po zhvillohet deri dhe në “strofkën tonë”, për më tepër edhe me ndihmën e njerëzve tanë “që mbajnë mikrofona në xhep” për të lehtësuar regjistrimin e mbledhjes së Kryesisë nga “Volvo” me xhama të zinj e me targë TR 1928 Z.
E MARTË, 17 TETOR 1995
Mbledhja e planifikuar e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues me rend dite:
1. Informim nga aktivet e PS në rrethe për propozimet e KPD-së.
2. P/vendimi për thirrjen e Kongresit të II-të të PS-së dhe mënyra e zhvillimit të tij.
3. Propozimi i Kryesisë dhe i kryetarit të PS-së, F.Nano, për ripërtëritjen e Kryesisë. Votëbesimi i Kryesisë. Dy pikat e para kaluan shpejt dhe pa probleme, kurse për pikën e tretë pati shumë diskutime. Që në fillim të diskutimit lexova letrën e F.Nanos me propozimin përkatës.
F.Kumbaro që foli i pari kundërshtoi votëbesimin e Kryesisë dhe deklaroi se po të bëhet kjo, ai jep dorëheqjen. Dritëroi u kuptua që ishte kundër nëpërmjet pyetjes: Ç’do të thonë kundërshtarët? Ne të tjerët mbështetëm vendimin e Kryesisë dhe letrën e kryetarit. Pati ndonjë mendim që unë si drejtues i partisë në mungesë të Kryetarit të mos përfshihesha në votëbesim, por e kundërshtova prerë.
Votimi u bë i fshehtë para të gjithëve dhe rezultati i komunikuar nga komisioni ishte:
1. Nuk fituan votëbesimin: Bashkim Zeneli, Maqo Lakrori, Fatmir Kumbaro, Xhevat Lloshi, Luan Shahollari.
2. U zgjodhën nga rrethet: Eduard Alushi (Vlorë), Bardhyl Agasi (Durrës), Kadri Rrapi (Dibër).
E MËRKURË, 18 TETOR 1995
Them se votimi i djeshëm është një tërheqje vëmendjeje edhe për ata që ende vazhdojnë të qarkullojnë skenarin me dy faza apo etapa. Në këtë “histori” skenarësh, përvijohen për nga qëllimet dhe taktikat dy krahë dhe dy etapa.
E para, synon mënjanimin e F.Nanos nëpërmjet ngritjes së problemit të shkuarjes së tij në SHBA, organizuar nga lobi ballisto-legalist dhe “rugovist”, që mbështet Berishën dhe që Fatosi e mbajti të fshehtë nga Kryesia (fillimi i dhjetorit 1991), si dhe i marrëveshjes së fshehtë të Triestes (shkurt 1992).
E dyta, F.Nano të shndërrohet në simbol dhe të përdoret për të ndryshuar drejtuesit e PS-së. Dështimi i Berishës në Referendumin e 6 nëntorit dhe rritja e prestigjit të S.Pëllumbit imponoi ndryshime në skenarin dhe “aleancat” e arrivistëve. Berisha ndërmori sulme ndaj “konservatorëve”: Pëllumbi, Ruçi e Dokle. Kjo vuri në lëvizje (e koordinuar ose jo) të “moderuarit”: Zeneli, Hajdaraga, Çuçi.
Më vonë u bashkëngjiten Lakrori me të rinjtë Meta, Majko, Legisi. Këta të fundit në fillim dolën si kundërshtarë të Nanos, Pëllumbit e Ruçit dhe përdorën si taktikë çështjen e heqjes së Marksit nga programi, diskutimin kundër propozimit të Nanos për përbërjen e delegacionit për në Bruksel etj. Ndërkohë vazhdonte reklamimi i Lakrorit si “njeriu i statutit”, i “komisioneve”, i futjes së “mendimit të ri” në parti.
Poshtë e lart servilët nga radhët e freshistëve deklaronin: “Në PS ka vetëm një intelektual dhe ky është M.Lakrori”! Në këtë rrafsh mbase ishte dhe letra e R.Alisë drejtuar D. Agollit kundër udhëheqjes së PS-së. Gjithsesi u përdor prej tyre, madje bënë përpjekje për të përdorur edhe Dritëronë nëpër rrethe. Këta luftonin tani edhe kundër “pisave”, ku fusnin Zenelin, Hajdaragën dhe Çuçin. Pra luftë në dy fronte, se filluan ta reklamojnë edhe FRESH-in si strukturë më vete.
Kjo “pavarësi” dhe heqja e “Marksit nga programi” po reklamohen nga Majko dhe Legisi si linjë kryesore e Kongresit të FRESH-it (korrik, 1995). Meta fillimisht i paraqitet Fatosit i pakënaqur nga “pavendosmëria” e Pëllumbit dhe “ashpërsia” e Ruçit për çka i shkruan Fatosit një letër dorëheqjeje, të cilën e tërheq pas kthimit të delegacionit nga Brukseli (që kryesoja unë), në të cilin Iliri ishte pjesë e tij. Madje, i këshilluar nga unë, në një letër të shkurtër që i ka dërguar Fatosit është shprehur se do të shkëputet edhe nga ndikimi Lakrorit, Majkos dhe Legisit.
Dy krahët në luftë kundër njëri-tjetrit, kurse ne të tjerët (përfshi dhe Fatosin), quhemi “qendër”. Veçse Fatosit i venë informacione kontradiktore nga të dy krahët: dikush i shkruan apo i transmeton nëpërmjet Xhinës se Pëllumbi nuk drejton dot, se ka dobësi organizative, është teknik, ka ambicie për t’i zënë vendin Fatosit! Krahu tjetër, se partia “është në krizë”, “mbytet në një pikë ujë” (Zeneli), se “Pëllumbi e ka lënë pas dore çështjen Nano (Hajdaraga). Shumë nga këto mbase janë edhe pasojë e besimit të Fatosit se “Partia drejtohet edhe nga burgu”!
Në këto kushte Fatosi do të bënte mirë që të vazhdonte të kishte si më parë besim te treshja: Pëllumbi, Ruçi, Dokle që sulmohet nga të dy krahët që janë përvijuar në PS. Ka gjëra që bëhen prapa shpinës sonë dhe kundër nesh. Tani për tani Xhina na informon për vajtjet e të “rebeluarve” veç e veç në shtëpinë e Fatosit dhe për letrat që i shkruajnë atij. Vetë kryetari, siç del nga disa letra që më dërgon, reflekton një lloj mosbesimi dhe shkruan për “krizë drejtimi”, për “krizë iniciativash”, nuk më diferencon më si z/kryetar të parë po jep udhëzime përmes të tjerëve etj.
Rrezik që kjo prirje të thellohet, se unë ia kam bërë të qartë që nuk i shkruaj letra në burg dhe komunikoj kryesisht nëpërmjet Xhinës dhe Gramozit. Dhe të mendosh që kemi përpara Kongresin dhe zgjedhjet parlamentare, prioritetin e ardhjes në pushtet!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al