Çufo e Bubi Kaçurrel rikthehen si vepra arti

Dec 18, 2018 | 15:06
SHPËRNDAJE

251454AGIM JANINA

Në fundin e viteve ’80, në libraritë e kryeqytetit u shfaq një libër i ri, romani për fëmijë “Aventurat e Çufos” e shkrimtarit Gaqo Bushaka. Në një hark të shkurtër kohor, libri që ishte në duart e shumë fëmijëve do të ndizte fantazinë e tyre, duke i zhytur në një botë përrallash kaq të bukur e mahnitëse sa nuk e lëshuan nga dora. Personazhet e përrallave me ndodhitë e bukura u bënë miq e shokë të fëmijëve, jetonin me ta. Ishte koha kur ende nuk kishte dalë celulari dhe magjia e librit ishte ngjitëse. Brezi i viteve ’80 është rritur me personazhet e Gaqo Bushakës.

Çufo, Bubi Kaçurrel, Tipi etj., etj. ishin një botë e dashur. Kanë kaluar 40 vjet dhe papritur dy nga personazhet e librit, Çufo dhe Bubi Kaçurrel shfaqen në një prej lulishteve në kryeqytet. Artistit Eljan Tanini i lind ideja e rindërtimit artistikisht të dy figurave emblematike. Bota e fëmijëve është një mrekulli të jetuari dhe shijuari.

Në fëmijëri gjithkushi ka luajtur me balona, një letër e palosur, e cila me një bisht po letre si zinxhir ngrihej shumë lart në qiell, apo ka ndërtuar një aeroplan me letër dhe pasi e ka terezitur, e ka lëshuar në ajër, duke ndjekur fluturimin e saj të bukur. Por jo vetëm kaq. Me duart e vogla çdo fëmijë ka ndërtuar varkën, aeroplanin, freskoren, kriporen, kapelën. Kjo e fundit të sillte në mendje ardhjen e bojaxhiut në shtëpi. Ai ishte i zoti, që bashkë me përzierjen e bojërave do të nxirrte një gazetë dhe si e shtronte mbi tavolinë, niste e paloste, ndërtonte një kapele me strehë për të mbrojtur fytyrën dhe flokët kur zinte të lyente me pompë. I vogël, Eljani ka mësuar përmes një fqinje shumë të mençur ndërtimin e këtyre letrave dhe ndoshta dëshira i vjen nga kjo kohë e vegjëlisë.

Artistit gjithmonë i vijnë në mendje vegimet e fëmijërisë kur me romanin në dorë harronte të hante. Personazhet u bënë të gjallë, u futën nëpër bisedat me shokë, bënin shaka me ta, duke përsëritur fjalët e veprimet e tyre. Çufo dhe Bubi Kaçurrel, por edhe të tjerët ishin bërë personazhe të gjallë të bisedave. Ata dolën jashtë librit, ishin futur në mendimet dhe arsyetimit e fëmijëve, të miqve dhe shokëve me të cilët rrinte dhe luante. Çdokush i kthehet fëmijërisë, sepse është pjesa më e pastër dhe më joshëse e njeriut, kur nuk kanë filluar ende djallëzitë, ku dhe gëzimi, inati dhe mospëlqimi shprehen ballazi, hapur. Fëmija ta thotë fjalën ashtu si e mendon, aty për aty.

Zihen, por të nesërmen pajtohen. Nuk ka stërhollimin e të rriturit, që fillon e paragjykon, tjetër mendon e tjetër gjë thotë. Fëmijëria e gjithkujt lidhet me personazhe të ndryshëm si “Pinoku”, “Tomi dhe Xheri”, “Sandokan”, “Pokeman”, “Mbreti Luan”, “Mogli”, “E bukura dhe Bisha”, “Shreku”, “Sailor Moon”, “Hajdi”, “Borëbardha”, “Picuruku”, “Hirushja” e deri në ditët e sotme me “Peppa Pig”, “Masha dhe ariu” etj., etj.. Është një botë e mahnitshme, e besueshme, ndjekëse! Krijojnë një lojë aq të bukur ato personazhe domethënës. Siç është i pastër fëmija, të tillë e do edhe veprën e artit. Nga rrëfimi i shkrimtarit në ilustrimin e piktorit dhe deri në realizim kaloi një rrugë e gjatë. Secili ka sjellë përfytyrimin e vet mbi personazhet.

Tanini i risjell në një gjetje origjinale. Jo në vizatim ilustrues, jo në skulpturë tradicionale, por si origame. Ëndrra dhe përfytyrimi i vjen si një rikujtim i fëmijërisë, kur përpinte me orë të tëra faqet e librit. Gjen mbështetjen e një mendjeje të bukur si ajo e Mira Zenelaj dhe vendosi t’i dhurojë kryeqytetit dy personazhet, konceptuar dhe ideuar prej tij. Bëjnë një skicë, origam në letër, në studion e arkitekturës të Zenelajt. Ajo është mbështetje financiare dhe artistike, ka zgjedhur edhe projektin artistik se si do të duket, por ka bërë edhe mbështetje financiare, me të cilën ka bashkëpunuar edhe për “Aeroplanin”, vendosur ne Fushën e Aviacionit.

Po pse i ka ndërtuar e shndërruar personazhet në origame? Arti i palosjes së letrës për të ndërtuar figura të ndryshme quhet origam dhe është shumë i vjetër. Emri vjen nga Japonia e largët. U shtri në Kinë, Egjipt dhe më pas u përhap kudo në botë. Në një farë mënyre, origamet mund të quhen edhe skulptura të krijuara me letër.

Plastika dhe forma krijohen nga mjeshtëria e palosjes, e cila kërkon, që mendja të punojë në plane, duke parashikuar në vijueshmëri, kur pas disa palosjesh, të arrish të krijosh figurën e kërkuar dhe të dëshiruar. Kjo kërkon fantazi dhe imagjinatë krijuese. Ku më bukur se si origame mund të krijoheshin personazhet e Bushakës. Vjen edhe si një përthyerje e monumenteve të tjerë në kryeqytet. Janë pranë botës fëmijërore, të prekshëm, ndërtuar me material të fortë, vendosur pranë një këndi lojërash përballë hyrjes së Presidencës.

Pak më tutje, fëmijët koloviten në shilarës nën shoqërinë e miqve të tyre të dashur… Për një kohë të gjatë studion ndërtimin e origameve. Shikon se njihen katër-pesë lloje të ndryshme derrkucësh. Zgjedh njërin. E emërton Çufo dhe është më estetiku dhe më popullori, e bënin të gjithë fëmijët. Mendon se nuk ka asgjë të keqe të marrësh një figurë estetike dhe shumë të këndshme për ta kthyer në një lëvizje kulturore edukuese për fëmijët shqiptarë, duke kapërcyer ndërtimet e thjeshta.

Origami i jep një përfytyrim të ri të skulpturës të parkut, duke thyer linjat tradicionale për të dhënë diçka tjetër dhe origjinale. Edhe pse mendon që mund të ishte shumë mirë të ishin dy vepra të derdhura në bronc, por do mbeteshim sërish te skulptura e parkut me po ato lloj formash dhe atë lloj mendimi që ne kemi për skulpturën e parkut. Figura e Çufos dhe Bubit Kaçurrel i vjen si një thirrje dhe tërheqje ngjitëse.

“Të gjithë personazhet e krijuar nga Gaqo Bushaka,- shprehet artisti,- mund të bëhen origame dhe të vendosen diku në një park fëmijësh, ku ata do të ishin pranë personazheve të dashur, do t’i preknin me dorë dhe do të ‘bashkëbisedonin’ me ta. Dy personazhet janë në hartën botërore, pranë gjithë personazheve të animuar nga librat. Me to përfaqësohet Shqipëria. Vepra është edhe një nderim ndaj shkrimtarit Gaqo Bushaka, i cili i ka dhuruar aq shumë botës së fëmijëve”.

Si u plazmua ideja, i duhej të merrte miratimin e shkrimtarit. Me të ishte përshëndetur në një panair libri dhe kishin biseduar pak. “Kisha kohë që doja t’ia thosha, shiko po bëj një gjë, por nuk dija se si do ta mirëpriste. Kisha shumë merak, është një njeri që ka një formim tjetër, një shkollë tjetër. Do të më vinte shumë zor, nëse nuk do ta pranonte idenë dhe pastaj do të më binte poshtë gjithë ajo që kërkoja. Por ia arrita ta bindja. Nuk kam asnjë qëllim që t’i marr atij krijesën. Ka ca njerëz që e meritojnë shumë të rikthehen prapë. Janë gjallë mes nesh dhe duhen vlerësuar tani sa janë te ne. Bushaka na ka dhënë kaq shumë, pse të mos japim edhe ne për të”.

Kur skicë-ideja shkon për miratim në Këshillin Bashkiak të Tiranës, “Po”-ja ishte e plotë. Gjë e bukur. Emocionale. Të gjithë këshilltarët buzëqeshën dhe ngritën kartonin miratues. Asnjë kundërshtim. I njihnin personazhet, disa i kishin lexuar, të tjerë ua ishin lexuar fëmijëve dhe të gjithë ishin dashuruar me ta.

Tani fëmijët do t’i kishin të përjetësuar edhe në një vepër arti. Artisti mendon se rrugëza pranë tyre të emërtohet “Rruga Çufo dhe Bubi Kaçurrel” dhe do të jetë ndoshta më e vogla dhe më e veçanta rrugëz. Eljan Tanini është i lumtur që Çufo dhe Bubi Kaçurrel gjenden në Bulevard, i ftojnë fëmijët dhe të rriturit. Gjithkush ka diçka për të kujtuar dhe jo thjesht nostalgji.

Janë personazhe që i kanë rritur dhe edukuar. Janë bërë të duken si prej kartoni, edhe pse janë ndërtuar mjeshtërisht prej llamarine hekuri. Pranë është edhe Këndi i Lojërave, ku fëmijët koloviten duke hedhur ndonjë sy nga “miqtë” e tyre të dashur. Tanini ka dhe një brengë. “Jemi bërë kaq të pandjeshëm në ditët tona. Kemi harruar të gjitha kukullat, me të cilat jemi rritur, apo animacionet e Kinostudios. Po të kisha mundësi financiare do i shfaqja të gjithë si origame apo sipas ndonjë forme tjetër, sepse nuk ka rëndësi t’i përmbahesh origjinalit të veprës.

Rëndësi është të ngacmosh fëmijët në radhë të parë. Me ta duhet punuar më shumë. T’u ndryshosh kureshtjen të rriturve. Duhet investuar pak më shumë se sa një instalacion. Është fëmijëria e një brezi dhe po nuk u kujtua, do të zhduket, do harrohet. Do të mbesin shumë gjëra nëpër arkiva. Por arkivat nuk kanë për t’u hapur ndonjëherë”. Në pllakën shoqëruese shkruhet, “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel.

Kushtuar fëmijëve, që u rritën me përrallat dhe letërsinë e gjuhës shqipe. Në nder të shkrimtarit Gaqo Bashaka, që krijoi këto personazhe të mrekullueshme. Për Çufon dhe Bubin Kaçurrel, që vazhdojnë të na edukojnë dhe zbavitin me aventurat e tyre të bujshme”.

*Studiues arti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura