Tri histori krejt të ndryshme që i bashkon origjina, pikëmbërritja dhe sigurisht dashuria. Tamara Gaci, moskovitja e bukur që duroi përndjekjen e diktaturës komuniste për dashurinë e kompozitorit Pjetër Gaci; Afina Afraamova e ardhur në vitin 1994, tashmë nuse në Selitë, ku iu desh të punonte tokën e të tundte dybekun dhe Tatiana Chernova, me një jetë më pak të ndërlikuar se dy të parat, që ndoqi të shoqin në Durrës
Dashuri-urrejtje, lot, koka të kthyera pas, pengje, ndarje… vite malli dhe sërish rigjetje. Kjo është historia shqiptaro-ruse. Ajo e ndikuara nga politika e madhe, e diktuar nga drejtues shtetesh, që futej thellë te jetët e njerëzve, te përditshmëria, tek intimiteti i tyre. Vitet e dashurisë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik do të përfundonin në një mënyrë më dramatike nga ç’pritej, jo vetëm vendi i vogël, që “guxoi” të ngrinte krye kundër Hrushovit, do të izolohej përgjithmonë nga pjesa tjetër e botës, por jetët e njerëzve do të shkërmoqeshin, familje të ndara, prindër e fëmijë që do të duhej t’u thoshin lamtumirë njëri-tjetrit. Pas viteve ’90, të gjithë ata ish-studentë që kishin gratë e fëmijët diku në tokën e largët, fluturuan t’i gjenin. Shumë u takuan, të tjerë u kthyen me shpresa shuar. Jetët e të gjithëve kishin ndryshuar. Por, bashkë me vitet ’90, në Shqipëri ia behën sërish sykaltrat. Nisën të lidheshin martesat e reja. Çuditërisht, gratë e stepave ruse vazhdonin të tërhiqeshin nga meshkujt shqiptarë. Kështu rinisi të marrë formë komuniteti shqiptaro-rus në Shqipëri. Brezat e atyre që erdhën në vitet ‘40’-50 u thurën me ato të pas viteve ’90. Çdokush ka histori personale, të cilat i bëjnë edhe më të ndryshme vitet. Të tjera histori ka jetuar Tamara Kudrickaja, bashkëshortja e kompozitorit Pjetër Gaci, e cila për hir të dashurisë duhet të përballonte përndjekjet e regjimit, zhvendosjet nga njëri qytet në tjetrin, ndjekjet e Sigurimit të Shtetit… Ndryshe e kanë njohur Shqipërinë Afina Afraamova e Tatiana Chernova, njëra nuse në Selitë të Tiranës, e tjetra në Durrës. Ato janë nuse “demokracie”, askush nuk i pengon që të takojnë prindërit… Historinë e Tamarës ato e kanë vetëm me të dëgjuar
Tamara Kudrickaja, bashkëshortja e kompozitorit Pjetër Gaci
Si na goditën pas Festivalit të 11-të të Këngës
Në Shkodër, e njohin si Tamara Gaci… Vetë ajo gati e ka fshirë mbiemrin e vajzërisë, Kudrickaja, sidomos pas ditës kur në Shqipëri iu hoq nënshtetësia ruse. Në dheun e të shoqit, ku erdhi në vitin 1957, nuk ishte parajsa mbi tokë, e disi ajo ishte përgatitur për atë çka e priste. Pas transferimeve nga Tirana, në Elbasan, Vlorë, e në fund në Shkodër, vendim i cili erdhi menjëherë pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH, ku Pjetër Gaci u akuzua për krijime artistike me frymë moderniste, Tamarës iu desh të fshihej për disa muaj rresht, pa dalë as edhe një ditë të vetme nga shtëpia. Ndërsa në Tiranë kish lënë një emër në historikun e punonjësve pranë RTSH-së… Për 16 vite me radhë, në zyrën e marrëdhënieve me jashtë, e survejuar nga përgjues, e shpesh vizita të papritura nga Kadri Hazbiu dhe gjithë blloku i udhëheqësve ish-komunistë që u jepnin porositë përkatëse sipas vijës së Partisë, ajo ndihej e kërcënuar. E në këtë përvojë jete, nuk vuajti vetëm ajo… Edhe i shoqi, kompozitori Pjetër Gaci, shpesh u godit profesionalisht për hir të një krijimi muzikor, apo edhe pas porosive të vetë Enver Hoxhës për të krijuar këngë për Partinë e vijën marksiste-leniniste. Tamara, një zonjë mirëpritëse dhe e pashme, tregon jetën e saj në Shqipëri…
Si e shpjegoni që edhe pas 20 vitesh ka ende kureshtje për historitë shqiptaro-ruse?
Sepse besoj se gratë ruse kanë përbërë gjithmonë kuriozitet, jo vetëm për shqiptarët. Historitë e tyre të dashurisë me meshkuj shqiptarë, kryesisht ato gjatë regjimit komunist, por edhe më vonë, kanë gjalluar kurdoherë kureshti për mënyrën si janë ngjizur këto raporte, por edhe goditjet që morën, sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me ish- Bashkimin Sovjetik, në vitin 1961. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me mua… Jetën nuk e kam pasur të lehtë, shumë peripeci na kanë ndjekur familjarisht, por kjo nuk ishte arsye e mjaftueshme për mua që të dorëzohesha, sidomos pas momentit kur ndjenjat dhe zemrën time ia fala Pjetër Gacit…
Na flisni pak për veten, nga është origjina juaj?
Kam lindur në Moskë. Edhe pse të gjithë më njohin si Tamara Gaci, mbiemri im i vajzërisë është Kudrickaja. Fëmijëria ime ka qenë shumë e zorshme. Kuptohet, fill pas luftës, viti 1937,… Vendi ishte i shkatërruar nga lufta, pasojat ishin të dukshme, e bashkë me nevojën për rindërtim të vendit, njerëzit në ato vite nuk mund të plotësonin as kërkesat minimale të jetës. Uria, mungesa e ushqimeve etj. Prindërit e mi ishin shtresë e mesme, babai teknik në uzinën e sahateve në Moskë, ndërsa nëna punonte në një fabrikë buke. Studiova për Kontabilitet, por nuk i çova deri në fund studimet, sepse erdha në Shqipëri…
Ç’ju tërhoqi kaq shumë te djaloshi shqiptar, Pjetër Gaci, sa latë familjen e shkollën për të ardhur në Shqipëri?
Mund të them me siguri që ka qenë dashuri me shikim të parë. Njohja ime me të ishte një nga periudhat më të bukura, prej nga ruaj dhe kujtimet më të vyera, që natyrisht nuk kanë të krahasuar me gjithçka hoqëm më pas… Në ato vite, në Moskë çdo artdashës, apo individ i interesuar për artin, kishte të drejtë të blinte një abone, të cilën mund ta shfrytëzoje për të parë të gjitha shfaqjet e mundshme gjatë një sezoni të plotë artistik. Pjetri ishte pjesë e trupës artistike që vinte nga Shqipëria, ndonëse ishte student në Moskë me bashkëkohësit e tjerët Avni Mula, Xhoni Athanas etj. Pjetri ishte ngjitur në skenën e konservatorit “Çajkovski” për të interpretuar si violinist, ndërsa unë isha në skenë, spektatore. Ndryshe nga Xhoni, shtatlartë, me flokët me brilantinë, simpatik, i cili kishte vëmendjen e gjithë shoqeve të mia, mua më tërhoqi Pjetri. Edhe pse ishte më shtatshkurtër, kishte tipare burrërore, që më bënë për vete. Shkova e para për t’u përshëndetur me të, me idenë e përgëzimit për interpretimin. Komunikuam në rusisht, e më pas e pashë Pjetrin edhe në shumë shfaqje të tjera. Kështu nisi njohja jonë, deri ditën kur do t’i shfaqnim hapur ndjenjat për njëri-tjetrin.
Nuk duhet ta keni pasur të lehtë ta linit vendin, besoj?
Ishte një nga vendimet më të vështira të jetës sime! Mua më interesonte të jetoja në Moskë, sepse po ndiqja studimet, ndërsa Shqipëria në kokën time ishte një pikë e vogël në hartë, aq e vogël sa vështirë mund të shkruhet edhe Albania në të… Doja të jetoja pranë familjes sime, në vendlindjen time, por ishte Pjetri që këmbënguli për të kundërtën me argumentet e tij. Ai më thoshte se aty në Rusi do të vdiste artistikisht. Vërtet kishte kryer studimet, kishte krijuar një rreth njohjesh, por sërish ndihej i huaj, në një vend të huaj. Duhet të ndërronte identitet artistik nëse do të jetonim përgjithmonë në Rusi, ngase Pjetri ndiente nevojën e të interpretuarit të veprave shqip. Kështu, të gjitha këto ishin arsye të mjaftueshme që më bënë të besoj se Pjetri e donte shumë artin e tij, dhe unë nuk mund të bëhesha pengesë për të. Nuk ishte vendim i lehtë, por e doja Pjetrin, ndaj dhe e ndoqa prej ditës kur vendosëm të vinim në Shqipëri.
Si e kujtoni ditën e parë në Tiranë?
Ishte viti 1957. Mbaj mend që kemi udhëtuar me një avion të vogël nga Rusia për në Beograd, e prej andej zbritëm në fushën e druve në Laprakë. I thashë tim shoqi që nuk doja asnjë bisedë, sepse shpërqendrohesha… Doja të fiksoja detajet e para nga Tirana. Tirana ishte si fshat, rrugët bosh, makina thuajse nuk lëviznin fare, ndërsa gratë ishin të veshura me ca rroba të zeza të gjëra, ndërsa meshkujt me qeleshe me majë mbi kokë. Përshtypje më bënin edhe nallanet e drurit që kërcisnin nën këmbët e njerëzve. U vendosëm në Tiranë për shkak të punës së Pjetrit pranë Teatrit të Operës dhe Baletit.
A mbanin kontakte me prindërit?
Natyrisht që nuk i pashë më prindërit e mi. Sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik. Përpiqesha të ruaja një korrespondencë të rregullt me letra, por edhe kjo mënyrë ishte shumë falsitet. Duhet të përmbahesha në gjithçka shkruaja, sepse e dija që fillimisht letra do të lexohej nga Sigurimi i Shtetit këtu në Shqipëri, dhe do rihapej sërish në Rusi. U shkruaja vetëm fjalë të bukura, që isha mirë, që gjërat shkonin për bukuri, që Shqipëria ishte “parajsa” mbi tokë, por brenda ndihesha ligsht. Është e dhimbshme për një vajzë të mos shohë më prindërit, të cilët edhe kur vdiqën, e kur mora vesh lajmin e ndarjes nga jeta, nuk kisha mundësi t’u vendosja lule mbi varr, por thjesht u mbylla në dhomën time e qaja me dënesë.
E megjithatë ju duhej të përshtateshit, ku punuat?
Kur erdha në Tiranë, ndoqa dy vjet studimet pedagogjike. Një ditë një punonjës i Ministrisë së Jashtme më kërkon t’i përkthej disa materiale nga rusishtja në shqip, pa e ditur se ai po testonte njohuritë dhe shkathtësinë time në të përkthyer. Të nesërmen më erdhi thirrja që të paraqitesha në RTSH, në zyrën e redaksisë për marrëdhëniet me jashtë, ku edhe punova për 16 vjet.
Radio Televizioni Shqiptar ishte vendi ku “gatuheshin” informacionet dhe lajmet e ditës. A ju vizitonin shpesh njerëz të udhëheqjes, bashkë me porositë përkatëse të tyre sipas vijës së Partisë?
Në ambientet tona të punës kishim përgjues, e kjo ishte e ditur. Bënim shumë kujdes në materialet që përkthenim. Një ditë na vijnë në zyrë Dashnor Mamaqi dhe Kadri Hazbiu dhe na bënë një mbledhje për të na bërë me dije se duhej shumë kujdes në materialet që përkthenim, dhe asgjë e paautorizuar nuk duhet të dilte jashtë ambienteve të punës. Unë tregohesha tejet e kujdesshme në punë. Çdo ditë duhet të merrja shtypin e huaj, ta lexoja, e t’i sqaroja redaktorëve përgjegjës temat që trajtoheshin në mediat e huaja, qëndrimet e tyre ndaj Shqipërisë, e normal ato shkrime që mendoja se minonin raportet mes vendeve tona nuk i përktheja.
Por kur u bë zyrtare prishja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë e BS-së, çfarë ndodhi me ju?
Si qytetarë të përhershëm me banim në Shqipëri, ne na thirri Ambasada Ruse në Tiranë për të na bërë të ditur prishjen e raporteve diplomatike mes vendeve tona. Gjithashtu na paralajmëruan se nuk do ta kishim më përkrahjen e ambasadës sonë, ndaj duhet të zgjidhnim: të qëndronim në Shqipëri, ose të ktheheshim pas në Rusi. Ishte presion i jashtëzakonshëm…,familja jonë ishte në pragprishjeje. Vendimi më takonte mua. Dhe duke i marrë përsipër të gjithë pasojat, vendosa të mos kisha më kthim pas… Kisha zgjedhur Pjetrin dhe me të do të qëndroja deri në fund të jetës, me çdo lloj çmimi.
Por nuk do të ishte e thjeshtë…
Ka pasur shumë situata delikate, që ia kanë vështirësuar sidomos procesin e krijimtarisë. Sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik, atë e spostuan nga Tirana, në Elbasan, më pas në Vlorë etj. Ndiente mungesën e lirisë në procesin e të krijuarit… Një mbrëmje vonë, na troket në derë një gazetar i gazetës “Bashkimi” dhe thotë se me urdhër të Enver Hoxhës, Pjetri duhet të shkruante notat e një këngë për deklaratën e Partisë së Punës, me idenë se ne jemi nderi dhe mbrojta e vijës marksiste-leniniste. Pjetri nuk e kishte bërë më herët këtë gjë. Ai kishte shkruar për dashurinë, për lirinë, atdheun, por jo për Partinë, ndaj dhe u shqetësua shumë. Ndërsa, nga ana tjetër, gazetari i tha që pa zbardhur dita do të dukej në derë për të marrë notat e këngës që do të botoheshin në faqen e parë të gazetës “Bashkimi”. Përveshi mëngët dhe për gjithë natën mundi të bënte një krijim shumë të mirë, sipas porosisë së udhëheqjes.
Pas Festivalit të 11-të Pjetri gjithashtu nuk do të shpëtonte pa u prekur, ishte vetëm për shkak të krijimeve të tij, apo edhe sepse kishte një grua ruse?
Asnjë nga arsyet nuk është e përjashtuar, sepse i tillë ishte edhe sistemi. Por, Festivali i 11-të ka qenë vërtet një goditje e rëndë. Ai kishte kompozuar këngën “Kur vjen pranvera”, e interpretuar nga Tonin Tërshana. Kënga u cilësua nga Partia me përmbajtje e frymë moderniste të tepruar, prirje erotike etj. Menjëherë pas festivalit mua më hoqën nga puna dhe bashkë me Pjetrin na transferuan këtu në Shkodër, ku tre muajt e parë kam qëndruar te kunata ime e maskuar, dhe pa dalë asnjë ditë nga shtëpia. Edhe në Shkodër gjërat nuk ishin më të lehta. Në dosjen time kishte ardhur edhe urdhri që t’i qëndroja sa më larg auditorëve të universiteteve, domethënë që të mos i rikthehesha më përkthimit e mësimdhënies. Më vonë u sistemova në punë si llogaritare në një qendër shëndetësore të Shkodrës, deri edhe sa dola në pension.
Zgjedhja juaj, pra ardhja në Shqipëri pati jo pak kosto, por a ju ngushëllonte fakti që të paktën nuk u dergjët burgjeve apo kampeve të internimit?
Nuk ka vuajtje më të madhe për një vajzë që ndahet me prindërit për së gjalli, që nuk i takon më deri ditën kur ata ndërrojnë jetë. Madje, edhe për së vdekuri, në të tilla momente hidhërimi nuk mund të jesh aty si bijë për t’u vendosur një lule në kryet e varrit. Momentet më të rënda të jetës i kam kaluar vetëm, edhe pse kisha dashurinë dhe përkrahjen e tim shoqi. Të dy kemi hequr në kurriz pasojat e atij sistemi, ndërsa në fillim të demokracisë, në vitin 1991, kam qenë ndër të parat ruse që i hipa avionit dhe shkova në vendlindje, ku gjeta vetëm tim vëlla. Nuk kisha rrugë të mesme… Dashuria për Pjetrin më bëri që më pas të doja edhe vendin tuaj, njerëzit dhe gjithçka tjetër që mbushte jetën time, edhe pse me një çmim të shtrenjtë. Kanë kaluar gati 18 vite nga vdekja e Pjetrit, por unë sërish i gëzohem familjes sime, tim biri me nusen dhe mbesën time të vogël.
Nga Shkodra/ Ermira Isufaj
Afina Afraamova nga Kaukazi, “nuse shtëpie” në Selitë të Tiranës
Dashuria ishte diçka, por realiteti e befasoi… Bashkë me familjen ishte për pushime në Selanik të Greqisë, gjatë kohës që do të njihte edhe Bashkimin, djalin shqiptar. Ndodhi kaq shpejt, brenda dy javëve, pas propozimit të dashurisë, erdhi edhe kërkesa për martesë. “Ndonjëherë gjërat vijnë të pamenduara, varësisht edhe nga zgjedhja që bëjmë’, thotë Afina Afraamova. Familja që gjeti, pikërisht ajo e të shoqit, ishte tipike shqiptare. Katër kunetër dhe dy prindërit e bashkëshortit. “Në Tiranë erdhëm në vitin 1994, dhe të jem e sinqertë m’u duk një vend i varfër, pa lëvizje makinash, njerëzish… Shtëpia e tim shoqi ishte në Selitë, fshat pranë kryeqytetit. Ishte e vetmja shtëpi në majë të një kodre, sepse në ato vite nuk kishte shumë ndërtime rrotull. Përditshmëria i ngjante një jete fshati.. Punoja bahçen, kujdesesha për agrumet, lulet, tundja qumështin në dybek. Vetëm te stallat e lopëve nuk kam punuar, sepse vjehrra e bënte vet këtë pjesë”, thotë Afina, e cila në moshën kur u martua ishte vetëm 24 vjeçe. Jeta që kishte lënë pas krahëve i ngjante më shumë normalitetit. Pas shkollës tetëvjeçare dhe një kursi rrobaqepësie, ajo kish nisur të punonte në një fabrikë në vendlindjen e saj, por kushtet ishin të tjera. Jeta sociale, rrethi shoqëror natyrisht që ishte edhe më i zhvilluar, ndërsa pas martesës me Bashkimin, ajo duhet të kryente të gjitha detyrat si nuse shtëpie. “E kisha nuhatur që në fillim që vjehrrit nuk donin nuse të huaj për djalin e tyre, ndërsa shprehja e parë që mbaj mend nga im vjehërr ka qenë: ‘dardha e ka bishtin mbrapa’. Nuk e kuptova atëherë pse ma tha, e kuptimin e kësaj fjale e kam mësuar vonë. Bashkëbisedimi im me familjen e tim shoqi ishte tepër i kufizuar, edhe pse fjalët që dija në shqip ishin ‘Po’ dhe ‘Jo’ “, vijon Afina. Por, ajo që nuk e kishte menduar ndonjëherë për Shqipërinë ishte rreziku i jetës, e sidomos përjetimi i vitit të vështirë 1997, kur ajo ndodhej në maternitet për të lindur djalin e parë. Fërshëllimat e plumbave nga xhamat e dritares, breshëritë e armëve ia kallnin datën, por dukej se ky ishte një tjetër risk që ajo duhet të ndërmerrte për hir të dashurisë me aromë shqiptare. Me kalimin e viteve, ajo vetëm i mëshonte rolit të saj si nuse, në një shtëpi të madhe me hyrje-dalje të përditshme. E një nga ato zakonet me të cilat Afina nuk u përshtat kurrë, edhe sot kur djali i madh është 18 vjeç, ishte të qëndruarit në këmbë e qerasja e mysafirëve me tabaka në dorë. Vjehrra natyrisht që nuk e honepste dot këtë qëndrim të nuses së të birit, por tek e fundit ajo ishte një e huaj në vend të huaj. Mosmarrëveshjet nuk vinin vetëm nga moskuptimi i gjuhëve, por edhe nga ndasitë e kulturave, traditave përkatëse, ato ruse me ato alla shqiptare. Shpesh i ka sfiduar me kokëfortësinë e saj zakonet tona, siç ishte edhe ai i të bërit të kafesë në mëngjes për prindërit e të shoqit. “Në vitet kur erdha në Shqipëri, funksionin tradita të tjera, e sidomos në një shtëpi në fshat. Asnjëherë nuk ia bëra kafenë prindërve të Bashkimit, edhe pse e dija se ata nuk e përtypnin dot këtë fakt. Nuk jam pajtuar me shumëçka që kish të bënte me stilin e jetesës, por për mua nuk kishte kthim pas”, cilëson Afina, e cila prej vitesh punon në një biznes familjar, bashkë me të shoqin dhe tre djemtë.
Tatiana Chernova (Balliu), mbesa e dekanit të Fakultetit të Matematikës: Për dashurinë, nga Rusia në Durrës
Një student me kombësi të huaj, në mes të një qyteti me një milion banorë, ku asnjëri nuk fliste gjuhën e tij, e ku temperaturat shkonin në -30 gradë celsius. Shumë herë i kishte ardhur në majë të hundës, i gatshëm për të braktisur edhe studimet, vetëm për t’u kthyer pas në Shqipëri, pa e ditur se në mes të Tulës, atij qyteti që gëlonte nga zërat studentorë, ai do të lidhej fort shpirtërisht, duke gjetur edhe njeriun e zemrës. Tatiana Chernova ishte një nga vajzat bukuroshe të universitetit Pedagogjik, mbesa e dekanit të një tjetër universiteti të rëndësishëm të zonës, e natyrisht nuk mund t’i shpëtonte interesit të shumë syresh, por fatlumi ishte Aldori, djaloshi nga Durrësi i cili ishte ndër të parët studentë shqiptarë në atë zonë të Rusisë. Takimi i parë me sy ndodhi në universitetin e Tatianës, ndërsa më pas ata do të forconin njohjen e tyre përmes miqsh të përbashkët. Ishin ndjenjat mes të dyve ato që e mbajtën në studime djalin nga Shqipëria, ndërsa Tatiana, pas propozimit për martesë, duhet të bënte edhe sakrificën: të linte gjithçka për të jetuar pranë të shoqit. “Hera e parë në Shqipëri ndodhi në vitin 2006. Fillimisht, shijova ca ditë pushime në plazhin e Durrësit, por ende nuk e kishim ndarë mendjen nëse do të jetonim përfundimisht këtu… Më joshi deti, koha e bukur, njerëzit dashamirës dhe të gjitha këto, përpos dashurisë për tim shoq, ishin arsye të mjaftueshme për të qëndruar këtu”, thotë Tanja. Ajo kishte dëgjuar më parë për martesat e ndërprera ruso-shqiptare, për sakrificat e mundimshme e vuajtje në kampe internimi. Rruga për Tatianën ishte më e shtruar, ndërsa pesha e fajit që e mundoi për disa vite me radhë ishte fakti i të lënit vetëm të së ëmës në Rusi, deri përpara një viti kur ajo erdhi përfundimisht në Shqipëri. Thotë se erdhi me dëshirë të madhe në vendin tonë, duke anashkaluar edhe të gjitha “paralajmërimet” e miqve që në Shqipëri nuk jetohet, është vështirë të gjesh punë, ka mungesë sigurie etj. Nëse do t’i kishte marrë në konsideratë të gjitha këto, me siguri që nuk do të kishte bërë hap për t’u larguar nga vendlindja. Por, tashmë, pas stabilizimit edhe me punë, mund të thotë me gojën plot që gjithçka ia ka vlejtur. “Ne kemi një aktivitet tonin familjar, ku ofrojmë konsulenca dhe asistencë juridike për investitorët rusë në Shqipëri. Bashkë me disa shoqëri ruso-shqiptare dhe agjenci turistike, unë dhe im shoq jemi ndër të parët që jemi munduar të rilidhim marrëdhëniet midis Rusisë e Shqipërisë, fillimisht në fushën e turizmit e tani në sferën e investimeve ruse në ekonominë shqiptare”, përfundon Tatiana Balliu.