Debati në Kuvend/ Dita e veteranëve përplas Alimadhin me Ballën: Po vazhdoni përçarjen. Deputeti i PS: Po jua them shumë troç…

Sep 20, 2019 | 16:47
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Projektligji për një shtesë në statusin e veteranëve të Luftës së Dytë Botërore ka sjellë përplasjen në Kuvend mes sekretarit të përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe kreut të Partisë së Ballit Kombëtar Shqiptar, Adriatik Alimadhi.

taulant balla

Projektligji që synon të vendosë 20 korrikun si datën e përkujtimit të veteranëve, për Alimadhin është një nismë jo e duhur për momentin që po përjeton vendi. Kreu i grupit parlamentar të partive të djathta tha se kjo lloj sjelljeje e thellon më tej përçarjen mes shqiptarëve dhe nuk ndihmon në pajtimin kombëtar të vendit.

Deputeti i opozitës së re u kërkoi deputetëve të maxhorancës që të shkëputen nga e kaluara e tyre, pasi në të kundërt, socialistët sipas tij, do të konfirmonin edhe një herë trashëgiminë e tyre komuniste. Kjo kërkesë e Alimadhit hasi në kundërshtinë e Taulant Ballës, i cili u shpreh se kjo nismë që po merr Shqipëria është e ngjashme me atë që ka bërë SHBA me dëshmorët dhe veteranët e saj të Luftës së Dytë Botërore.

alimadhi-kuvend

Sipas numrit 2 të PS-së, kjo nismë ligjore mbush një boshllëk që për momentin ua kemi borxh të gjithë veteranëve dhe vjen në momentin më të përshtatshëm, kur vendi po përgatitet të festojë në mënyrë sa më të denjë 75-vjetorin e Çlirimit të vendit.

Adriatik Alimadhi: Duke parë se jemi në një situatë shumë të vështirë, pasi 50 vjet në komunizëm dhe 30 vjet në demokraci, shqiptarët vijojnë të jenë të ndarë në ballistë dhe patriotë, tradhtarë dhe jotradhtarë. Do t’ju kërkoja që ta hiqni nga axhenda e kalendarit projektligjin e veteranëve, për shkak se jemi në një situatë përballjeje dhe në një moment jo të duhur politik, por edhe juridik. Them juridik, pasi shqiptarët janë të ndarë dhe nëse ju vazhdoni kështu, ata do të vazhdojnë të jenë të ndarë edhe për shumë kohë. Nuk do të kemi asnjëherë një pajtim kombëtar. Doni ta përcaktoni si datën e çlirimit të Shqipërisë, që është bërë në një mënyrë krejtësisht e padrejtë. Si mendoni ju, se Shqipëria është çliruar në 29 nëntor? Po si mo qenka çliruar Shqipëria në 29 nëntor?! Po Shqipëria është pushtuar në 29 nëntor mo, për shkak të krimeve që të parët tuaj kanë kryer historikisht në këtë vend për 50 vjet. Unë edhe një herë do t’ju kërkoja që, nëse procedurat e këtij Kuvendi e lejojnë, do t’i kërkoja zotit Balla, zotit Ruçi, juve të gjithë, që nëse është e mundur ta hiqni nga rendi i ditës, për të mos i mbajtur shqiptarët të ndarë. Nëse nuk e bëni ju dhe e them me ndërgjegje që do të vazhdoni të jeni pasues të origjinës suaj, të jeni pasues të ideologjisë dhe mendësisë kriminale komuniste.

Taulant Balla: Po jua them shumë troç. Argumenti juaj z.Alimadhi nuk qëndron aspak. Nuk ka vënë njeri në dyshim në Shqipëri gjithë këto vite, edhe pse ka pasur ndonjë përpjekje të dështuar që Shqipëria është çliruar në 29 nëntor 1944 me gjakun e 28 mijë dëshmorëve, që ranë për lirinë e vendit. Dhe në këtë 75-vjetor të Çlirimit, ajo që po bëjmë ne është e njëjta gjë, siç kanë bërë SHBA për dëshmorët e tyre në Luftën e Dytë Botërore. Pra, ne po bëjmë siç kanë bërë të gjitha vendet e renditura në aleancën antifashiste, antinaziste, ku ne shqiptarët patëm nderin të ishim për krah vendeve fituese të Luftës së Dytë Botërore. Dhe ka një koincidencë që në ato pak ligje të legjislaturës 92/96, të miratuara edhe më një konsensus të partisë së djathtë që ka qenë këtu, Partia Demokratike, ka qenë pikërisht ky ligj i vitit 1994. Sa për procedurën tuaj, ju keni gjithë të drejtën të bëheni pjesë e diskutimeve, por Kuvendi ka një maxhorancë, e cila dëshiron që t’u japë organizatave të veteranëve të LANÇ-it diçka që ua kemi borxh, për të pasur edhe veteranët ditën e tyre për të përkujtuar të gjithë ata që kanë luftuar në atë luftë. Më vjen keq, z.Alimadhi, por kërkesa juaj nuk miratohet.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura