Del raporti/ OKB, kritika Qeverisë: Nuk respektohen të drejtat e PAK

Oct 14, 2019 | 14:53
SHPËRNDAJE

Asnjë hap përpara në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe një mori rekomandimesh që i adresohen qeverisë.

okb-1

Vlerësimi i bërë nga Kombet e Bashkuara për respektimin e të drejtave të PAK, është një dokument që në çdo rresht të tijin ka fjalën shqetësim. Kështu, Komiteti ngre shqetësimin për përjashtimin nga jeta publike të personave me aftësi të kufizuara, për mungesën e masave specifike dhe të vlefshme të marra për të siguruar akses gjithëpërfshirës në sistemin e drejtësisë të tilla si ndihma juridike falas, shërbimet juridike të aksesueshme dhe interpretët e gjuhës së shenjave në dhomat e gjyqit, stacionet e Policisë etj. Këto u vunë në dukje edhe nga eksperti për çështjet e aftësisë së kufizuar, Sinan Tafaj.

“Komiteti i Kombeve për të drejtat e PAK, në raportin e hartuar, ka ngritur vetëm shqetësime. Në pikën 47 thuhet konkretisht se personat me aftësi të kufizuara janë të përjashtuar nga jeta publike. Kjo vjen në formën e një akuze shumë të rëndë. Komiteti po ashtu ka bërë vërejtje të rënda për ligjin 93 të 2019-ës. Një tjetër problem i ngritur po ashtu është edhe çështja e aksesit në sistemin e drejtësisë.

Mbrojtja e të drejtave nëpërmjet sistemit të drejtësisë është një shans shumë i madh që ka çdo qytetar për të qenë i barabartë para ligjit, por për hir të së vërtetës, edhe këtu nuk është marrë ndonjë masë konkrete e qenësishme. Nëse e shikoni të plotë raportin, do të vini re që Komiteti është i shqetësuar për mosrespektimin e të drejtave të PAK dhe ka vetëm rekomandime për çdo fushë të jetës”, tha Tafaj në aktivitetin e organizuar nga Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, ku ishin të pranishëm edhe nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, zvministrja e Shëndetësisë, Bardhylka Kospiri, ish-deputetja e PD-së, Oriola Pampuri, dhe përfaqësues nga organizatat e PAK, shoqëria civile dhe media.

HYSA

Presidenti i Shoqatës së të verbërve, Ardjan Hysa, tha se problematikat e evidentuara në raport janë pasqyrë e realitetit, me të cilin përballen personat me aftësi të kufizuara. “Problematikat dhe shqetësimet e paraqitura nga Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara nuk janë gjë tjetër veçse pasqyrim i problematikave, të cilat organizatat kanë ngritur. Nuk janë gjë tjetër, veçse ato që ne kemi kërkuar në mënyrë insistuese pranë qeverisë dhe organeve kompetente. Nuk janë gjë tjetër, veçse pasqyrim i legjislacionit të hartuar për personat me aftësi të kufizuara”, tha Hysa. Lidhur me shqetësimet e ngritura dhe rekomandimet e bëra, nënkryetarja e Parlamentit, Vasilika Hysi, tha se do të merren në konsideratë.

“Mendoj që kemi shumë për të bërë në njohjen më të mirë të paketave ligjore të miratuara jo vetëm nga personat me aftësi të kufizuara, por nga ata që duhet t’i zbatojnë. Pika 6 e këtij vlerësimi do të jetë në vëmendjen e qeverisë, ku thuhet që Komiteti i kërkon shtetit tonë, që të miratojë modelin e të drejtave të njeriut me aftësi të kufizuara të parashikuar në Konventë. Megjithatë, përmbushja e kësaj pike nuk kërkon vetëm angazhimin tonë, por gjithëpërfshirje dhe bashkëpunim nga të gjitha organizatat”, theksoi Hysi.

PAMPURI

Nga ana tjetër, ish-deputetja e PD-së, Oriola Pampuri, akuzoi qeverinë se nuk ka bërë asnjë hap përpara në drejtim të punësimit të personave me aftësi të kufizuara. “Shqetësimet e ngritura nga Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e PAK nuk janë veçse realiteti, që personat me aftësi të kufizuara jetojnë. Nuk është bërë absolutisht asnjë hap përpara për pagesat, për përfshirjen e tyre në tregun e punës. Prej vitit 2013, deri në 2019, numri i të punësuarave nga personat me aftësi të kufizuara është inekzistentë, pra nuk ka asnjë lloj rritjeje”, vuri në dukje Pampuri.

Disa nga shqetësimet e ngritura nga Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

Përpjekjet e pamjaftueshme për të rishikuar legjislacionin ekzistues dhe për ta sjellë atë në përputhje të plotë me Konventën.

Mungesa e një mbështetjeje të rregullt dhe të qëndrueshme financiare për organizatat e personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht në nivelin lokal.

Mungesa e një plani gjithëpërfshirës të veprimit kombëtar në zbatimin e ligjit për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara dhe vendimin e qeverisë nr. 1074 për heqjen e barrierave mjedisore dhe infrastrukturore në ofrimin e shërbimeve publike.

Komiteti është i shqetësuar për mungesën e masave specifike dhe të vlefshme të marra për të siguruar akses gjithëpërfshirës në sistemin e drejtësisë, të tilla si ndihma juridike falas, shërbimet juridike të aksesueshme dhe interpretët e gjuhës së shenjave në dhomat e gjyqit, stacionet e Policisë etj.

Komiteti është i shqetësuar që legjislacioni aktual lejon privimin e lirisë, shtrimin e detyruar në spital dhe trajtimin e detyruar të personave me aftësi të kufizuara. Komiteti është i shqetësuar për përjashtimin në praktikë të personave me aftësi të kufizuara nga jeta publike.

Komiteti vëren me shqetësim raportet e dhunës dhe abuzimit ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe mungesën e masave efektive për kompensime.

Komiteti është i shqetësuar që personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht fëmijët përballen me pengesa për të marrë pjesë në jetën kulturore, argëtim, sporte etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura