Dënohet me 5 vjet burg i dashuri i Tunës, por Cozman s’kthehet në qeli

Apr 17, 2016 | 10:28
SHPËRNDAJE

TIRANE – Ylber Abdullahu, reperi kosovar i njohur me emrin e artit Cozman, u shpall fajtor nga Gjykata e Tiranës për mbajtjen e një sasie prej 18 gramësh kanabis sativa, që iu gjet me vete më 4 korrik 2015 në kryeqytet. Të mërkurën, në përfundim të katër seancave të procesit gjyqësor në ngarkim të tij, gjykata vlerësoi të provuar akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie.

Rreperi Cozman
Rreperi Cozman

Artisti përfitoi uljen e një të tretës së këtij dënimi, për shkak se gjykimi ndaj tij u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Me gjithë uljen, që ia ka çuar masën e dënimit në 3 vjet e 4 muaj burg, Cozman nuk do të kthehet asnjë ditë në qeli.

Përfundimisht Gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg për të, duke e lënë në liri me kusht për një periudhë 3- vjeçare. Referuar vendimit të Gjykatës, për një periudhë trevjeçare Cozman nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale dhe duhet të mbajë kontakte me Zyrën e Shërbimit të Provës në Tiranë.

Po ashtu, në zbatim të vendimit gjyqësor, ai nuk duhet të shoqërohet me persona të dënuar dhe duhet të heqë dorë nga përdorimi i lëndëve narkotike.

Në të njëjtin vendim, trupi gjykues shfuqizoi vendimin caktimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për Abdullahun, e cila iu dha atij kundrejt një garancie pasurore prej 5 mijë eurosh. “Garancia pasurore, në shumën 5 mijë euro t’i kthehet personit që e ka depozituar për llogari të vendimit datë 06.07.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi vendimi të marrë formë të prerë”, thuhej në dispozitivin e vendimit të gjykatës.

Ndryshe nga vendimi i gjykatës, në fazën e konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Prokurorisë kërkoi dënimin e të pandehurit Abdullahu me 6 vjet heqje lirie. Reperi Cozman u ndalua më 4 korrik 2015, pak pasi kishte siguruar lëndën narkotike te një grup personash që po mbaheshin në vëzhgim nga policia, si të dyshuar për shpërndarje droge në Tiranë.

Shërbimet policore i bënë shenjë “stop” automjetit të tij tip “Range Rover” në rrugën “Asim Vokshi”, në afërsi të Dispanserisë dhe pas kontrollit fizik i gjetën këngëtarit sasinë e drogës, që, sipas tij, e kishte për përdorim vetjak. Gjatë gjykimit, ai shfaqi pendesë për veprën penale të kryer dhe premtoi para trupit gjykues që nuk do ta përsëriste më.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura