“Denoncim për shpërdorim detyre ndaj…”/ Presidenti Meta kërkon llogari për milionat në arbitrazh. Ja pyetjet për Avokaturën

Nov 2, 2020 | 8:12
SHPËRNDAJE

Ardit Hoxha/Presidenti Meta i është rikthyer edhe një herë tjetër çështjes së gjyqeve në arbitrazhin ndërkombëtar.

meta dokumente

Kreu i shtetit i ka dërguar një letër të tretë Avokaturës së Shtetit, ku i kërkon llogari për mënyrën se si kanë shkuar proceset gjyqësore, në të cilat është përfshirë Shqipëria. Kjo është letra e tretë në radhë që Meta i dërgon Avokaturës, pas atyre që kishte dërguar në fillim të muajit shtator dhe në mesin e tetorit.

PYETJET

Në letrën e bërë publike për Avokaturën e Shtetit, Meta ngre disa pyetje, ku kërkon të dijë numrin e proceseve gjyqësore ku është përfshirë shteti ynë dhe sa është fatura financiare që është shkaktuar nga këto procese. “Numrin e çështjeve në proces pranë Gjykatave të Arbitrazhit, ku Republika e Shqipërisë është palë dhe të dhënat rreth tyre, përfshirë strukturën që ndjek këto çështje. Nëse për çështjet në proces në Gjykatat e Arbitrazhit janë kontraktuar shërbime të përfaqësimit dhe të konsulencës, përfshirë të dhënat mbi mënyrën e përzgjedhjes, kontraktimit, shpenzimet dhe pagesat e kryera për to, apo në pritje për t’u kryer; numrin e çështjeve të fituara nga shteti shqiptar në gjykatat e arbitrazhit; numrin e çështjeve të humbura në gjykatat e arbitrazhit, me të dhëna mbi efektin financiar (detyrimin) për shtetin shqiptar sipas vendimit; shpenzimet administrative për mbulimin e kostove të procesit, përfshirë shpenzimet për kontraktimin e shërbimeve të përfaqësimit dhe të konsulencës, si dhe mënyrën e përzgjedhjes dhe kontraktimit të tyre”, thuhet ndër të tjera në letrën e Metës.

PARALAJMËRIMI

Më tej Presidenti Meta bëri edhe një paralajmërim në pyetjen e tij për Avokaturën e Shtetit, ku paralajmëron se nëse vazhdon e njëjta neglizhencë ndaj pyetjeve të tij, ai do t’u drejtohet organeve ligjzbatuese për të vënë para drejtësisë personat përgjegjës.

“Nëse informacioni i kërkuar, shoqëruar me kopje të dokumentacionit të plotë, nuk depozitohet në Institucionin e Presidentit të Republikës brenda ditës së hënë, datë 02.11.2020, ju bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për referimin e rastit të shpërdorimit të detyrës në organet ligjzbatuese, për secilin prej personave që, me veprime apo mosveprime, është bërë pengesë për dhënien e këtij informacioni, dhe që po krijon edhe më shumë bindjen e arsyeshme të bazuar në prova dhe ligj se po bëhen përpjekje për të mbuluar veprime të tjera të dënueshme që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare për shtetin shqiptar”, shkruhet në letrën e Presidentit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura