Dashnor Sula ka shtënë në ajër dje gjatë ndeshjes Shkumbini-Flamurtari 1-0.
Tension i lartë para fillimit të takimit. Presion i ashpër mbi gjyqtarët.
Të shtëna armësh, presion arbitrave në dhomat e zhveshjes, sharje dhe kërcënime pa fund në adresë të skuadrës kundërshtare.
Kjo ka qenë situata para fillimit të ndeshjes në stadiumin e Peqinit, ku luajt ndeshja Shkumbini-Flamurtari 1—0. Burime pranë skuadrës vlonjate deklaruan për “Panorama Sport” se persona të armatosur kanë hyrë në dhomat e arbitrave para se të fillonte ndeshja dhe kanë kërcënuar gjyqtarët, më pas kanë shtënë edhe me armë.
Ngjarja
Pak minuta para se të fillonte ndeshja, deputeti i zonës së Peqinit, njëherazi edhe drejtues i lartë i klubit të Shkumbinit, mësohet të ketë hyrë në dhomat e zhveshjes i shoqëruar edhe nga tre persona të tjerë. Zyrtarë të Federatës dhe përfaqësues të klubit të Flamurtarit, të pranishëm në vendngjarje, kanë treguar për “Panorama Sport” me detaje ngjarjen e ndodhur në ato minuta. Në fillim ka pasur presion verbal, ku personat kanë sharë me libër shtëpie lojtarët dhe stafin e Flamurtarit. Më pas ata u janë drejtuar arbitrave, por nuk i kanë prekur ata për asnjë moment. Janë goditur muret me shkelma, është përdorur fjalor i rëndë në adresë të tyre dhe kërcënime verbale. Delegati i ndeshjes, së bashku me vëzhguesin, i kanë kërkuar Sulës dhe personave të tjerë të largohen nga sektori i gjyqtarëve. Burimet konfirmojnë se në këtë moment, Dashnor Sula ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar në ajër. Ai ndodhej pranë dhomës së arbitrave dhe ka zgjatur dorën në krahun e kundërt, në adresë të banjave, duke qëlluar me dorën lart vetëm një herë. Zyrtarët e FSHF-së nuk kanë mundur të dallojnë nëse bëhej fjalë për plumba manovër, sikundër pretendohet jozyrtarisht nga pala peqinase, apo për plumba të vërtetë. Pas daljes nga ambientet e brendshme mësohet se Dashnor Sula ka qëlluar edhe dy herë të tjera.
Tensioni
Në fund të pjesës së parë tensioni ka qenë sërish i lartë në stadiumin e Shkumbinit. Është tentuar t’u bëhet presion lojtarëve të skuadrës vlonjate dhe arbitrave. Mësohet se janë thyer xhamat e dritares së skuadrës së Flamurtarit, por askush nuk ka mundur të hyjë në dhomat e zhveshjes së tyre pasi kanë qenë të rrethuar nga dy gardhe policësh të forcave speciale. Të tronditur psikologjikisht kanë qenë edhe arbitrat e ndeshjes, pavarësisht se në adresë të tyre mësohet se nuk është përdorur dhunë fizike. Kjo nuk është hera e parë që në stadiumin e Peqinit ndodhin trazira të tilla.
PRECEDENTËT
6 shkurt 2010/
Ndeshja Laçi-Shkumbini
Në fund të ndeshjes krijohet tension, ku në fushë zbret deputeti i Peqinit, Dashnor Sula, me një pjese të stafit peqinas, duke akuzuar dhe ofenduar gjyqtarin e takimit që me vështirësi ka arritur të dalë nga fusha e blertë.16 prill 2011
Ndeshja Shkumbini–Flamurtari
Lorenc Jemini dyshohet se goditet me shkelm nga deputeti Dashnor Sula sapo zbret nga furgoni i FSHF-së. Ai merr vendimin për të mos e gjykuar ndeshjen dhe ka hipur përsëri në furgon. Por Sula ka ndërruar mënyrën e sjelljes, madje ka bërë gjeste përgjërimi që treshja të gjykojë.31 tetor 2011
Ndeshja Shkumbini-Laçi
Dashnor Sula bëhet protagonist i dhunës në futbollin shqiptar. Në pushim të ndeshjes Shkumbini-Laçi i lëshohet arbitrit të ndeshjes, Albano Janku, të cilin ka tentuar ta godasë me grusht, por që për fat, punonjësit e Policisë kanë reaguar në kohë.29 prill 2012
Ndeshja Tirana-Shkumbini
Dashnor Sula, deputeti i Peqinit, bëhet sërish protagonist. Emocionet e tij i shfaq me kritika, por edhe me hedhjen e katër karrigeve nga nervozizmi. Madje ai pati edhe një përplasje verbale me shefin e klubit të peqinasve, Astrit Isaji.
Skeda
Shkumbini – Flamurtari 1-0
Goli: Diop 58’ (11-m)
Shkumbini: Kotorri, Salliu, Ramazani, Isaji (Xhyra 82’), Pasha, Sulkja, Mustafaji, Kafazi (Lluca 72’), Shenaj, Dervishi (A.Magani 85’), Diop.
Trajner: K.Mile
Flamurtari: Koliqi, Arbëri, Sakaj, Brahja, Rajoviç, Pezo (Muça 51’), Telushi, Lena, Progni (Liçaj 74’), Çela, Pejiç (Selimi 46’).
Trajner: Sh.Muça
Gjyqtarë: D.Jubica, M.Dervishi, M.Qeseri (Shkodër);
Kartonë të verdhë: Mustafaji 84’, Kafazi 67’, Lluca 90’ / Arbëri 15’, Brahja 58’,
Vëzhgues: A.Mema
Delegat: P.Brahja
Plumbat në zarf
Gjyqtari Lorenc Jemini është kërcënuar me plumba në Peqin para ndeshjes Shkumbini-Apolonia (3-0, java 14, në dhjetor të vitit 2009). Persona të paidentifikuar i kanë dhënë një zarf gjyqtarit, brenda të cilit ndodheshin dy plumba. Gjyqtari Jemini ka bërë një denoncim jo vetëm pranë FSHF-së, por dhe në Polici. Shefi i klubit të Shkumbinit, Astrit Isaj, e dënoi incidentin dhe kërkoi zbardhjen e ngjarjes. Nga FSHF-ja ende nuk ka ndonjë reagim.
Bumçi: Sajesë, nuk kam folur për ngjarjen
Menjëherë pas lajmit se në Peqin kishte pasur një incident dhe se ishin dëgjuar të shtëna armësh, është përhapur lajmi se ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, kishte qenë në stadium dhe deklaruar për çështjen se kishin qenë vetëm fishekë manovër. “Kjo është një shpifje dhe një sajesë shumë e ulët. Gjatë gjithë ditës së sotme kam qenë në Tiranë dhe kam marrë pjesë në disa aktivitete publike. Nuk e di se çfarë ka ndodhur në Peqin, dhe jo më të jem prononcuar për ndonjë ngjarje që mund të ketë ndodhur atje”, ka deklaruar ministri për “Panorama Sport”.
Gjyqtarët kthehen në Shkodër të shokuar
Gjyqtarët e ndeshjes Shkumbini-Flamurtari, Ditmar Jubica, Melis Dervishi dhe Marian Qeseri, kanë qenë të traumatizuar për atë që ndodhi në Peqin. Megjithatë, ata nuk kanë pranuar të tregojnë për gazetën realisht atë që ndodhi. “Na lini të qetë, nuk mundemi, jemi të shokuar”, kanë thënë njëzëri arbitrat e Kolegjiumit të Shkodrës. Nga sa mësohet, treshja e gjyqtarëve është shoqëruar me dy furgonë policie deri në Durrës. Më pas, makinës së arbitrave shkodranë u është bashkuar edhe kryetari i Kolegjiumit, Mëhill Shkëmbi.
FSHF-ja, asnjë qëndrim zyrtar
“FSHF-ja nuk ka dalë ende me një qëndrim zyrtar për incidentin e ndodhur në stadiumin e Peqinit. Jo se nuk kemi informacion, por më parë presim raportin e delegatëve, gjyqtarëve, por edhe vëzhguesve, të cilët kanë qenë atje. Vetëm pasi të njihemi zyrtarisht me një gjë e tillë, do të dalim me një deklaratë”, ka deklaruar zëdhënësi për shtyp i Federatës Shqiptare të Futbollit, Lirim Zalla. Nuk ka dashur të prononcohet as përgjegjësi i sektorit të garave, Ilir Shulku.
Dashnor Sula: Mashtrim, nuk ndodhi asnjë incident në stadium
“Kanë ngatërruar fishekzjarrët me pistoletat. Skandaloze”
Deputeti i Peqinit, Dashnor Sula, ka reaguar ashpër ndaj akuzave në adresë të tij, duke thënë se është çmenduri gjithë ajo që është përhapur në media. “Nuk ka kurrfarë të vërtete në këtë mes. Kjo është skandaloze. Festën që u zhvillua në stadium duan ta nxijnë dhe ta përbaltin. Nuk pati asnjë incident në ndeshjen e Peqinit, dhe për këtë dal unë garant. Ju lutem, mos i bini më qafë më kot një qyteti sportdashës, sepse asgjë nuk ka ndodhur nga ato që thuhen”, ka deklaruar Sula për “Panorama Sport”, pak orë pas ndeshjes që u luajt dje në Peqin.
Sqarimi
Sipas Dashnor Sulës, bëhet fjalë për një ngatërresë banale, pasi zhurmat që janë dukur si krisma pistolete u shkaktuan nga shpërthimi i fishekzjarrëve. “Ishim përgatitur për festë dhe çdo gjë shkoi shumë mirë. Mendoj se dikush ka ngatërruar zhurmën e fishekzjarrëve me krisma pistolete, por ju siguroj se nuk ka pasur asnjë të shtënë armësh. Ishin marrë masa të ashpra sigurie dhe gjithashtu drejtuesit e Shkumbinit janë përpjekur maksimalisht që situata të ishte nën kontroll. Personalisht mendoj se ajo e djeshmja ishte festë për një qytet të tërë dhe nuk pashë askund ndonjë shkelje, abuzim apo incident. Nuk ka ndodhur asgjë”, ka deklaruar Sula.
Ngatërresa
Sipas Sulës, ata që pretendojnë se kanë dëgjuar krisma armësh, thjesht kanë parë ndonjë pistoletë lodër prej kauçuku dhe kanë bërë më pas lidhjen me krismat e fishekzjarrëve. “Është abuzim total, e them edhe njëherë. Ndonjë tifoz mund të ketë pasur ndonjë lodër nga këto të zakonshmet apo ku di unë, por kurrsesi që nuk ka pasur armë. Është skandaloze të mendosh se pati incidente. Ju betohem për djalin tim. Nuk ka pasur asnjë incident”, ka përfunduar deputeti.