Dëshmitë e rralla. Kurtizania Ganimet Cuka, flet Maks Velo: Takimi para internimit

Feb 9, 2014 | 18:16
SHPËRNDAJE

Në kinemanë kryesore të kryeqytetit, “17 Nëntori”, në errësirë, tek shfaqeshin filmat e huaj, burrat pëshpërisnin vesh më vesh “Si Ganimeti…”. Në njërin nga rastet, protagoniste në film ka qenë Silvana Pampanini, ajo që u shpall Miss Italia në 1946-n e më pas nisi karrierën kinematografike për t’u konsideruar pak vite më pas, në ’50-n, simbol i bukurisë. Për të rinjtë, që nuk kanë dëgjuar për Pampaninin, mjafton vetëm një klik në imazhet e Google, për të parë se ç’krahasim i bëhej Ganimetit. Sepse kjo fotografi e saja, e vetmja e mbetur, tregon fare pak nga ajo çka ishte. Sidoqoftë, edhe me aq sa panë e lexuan nga e diela e kaluar rreth Ganimetit, mjaftuan, për shkak të kuriozitetit, t’i shkonim më tej historisë së saj. Sidomos pse, fakti në kishte qenë apo jo prostitutë, ngeli i pazbardhur. Historia e saj apo e të ngjashmeve të atyre viteve nuk do zbardhen ndonjëherë fund e krye, ama dëshmitë e plotësojnë figurën. Për të gjithë ata (të shumtë) që u vrau sytë fjala kurtizane e përdorur në titull, njerëzit e kohës, ata që ia kanë njohur “veprimtarinë”, e quajnë pikërisht të tillë. Kurtizane aristokrate. Aktivitet ky të cilin, afërmendsh, Ganimet Cuka e ka ushtruar përpara Çlirimit, por që siç duket, nuk diti o nuk deshi të heqë dorë as më vonë. Mbase për të ruajtur standardin e nivelit të jetesës që ishte mësuar më parë (përpara ’45-s), mbase pse vërtet shijonte shoqërinë e meshkujve, ajo vazhdoi, në mënyrë më të kamufluar, të synojë takime me njerëz që mund t’i siguronin edhe të ardhura. Mundëm të gjejmë dëshminë e një tjetër njeriu që e ka njohur mirë. V. pranoi të na e tregojë me kusht që t’i ruhej anonimati, edhe pse, historia si vijon, nuk është aq e thjeshtë për t’u pranuar nga të gjithë. Babai i saj ka qenë vetëm njëri ndër meshkujt me të ardhura të mira që Ganimeti pati dashnor. “Ashtu siç ju paskan thënë edhe të tjerë përpara meje, Ganimeti ishte vërtet shumë e bukur. Kur unë kam dëgjuar krahasimin që u bënin femrave me këmbë të bukura me shishen e shampanjës, vetëm atë kam sjellë ndërmend. Kishte vërtet këmbë si shishe shampanje. Por, përveç bukurisë së dukshme e të lakmuar nga të gjithë, ishte edhe sjellja e saj krejt ndryshe nga ajo e grave të kohës. Ganimeti kishte udhëtuar jashtë, kishte qenë pjesë e ambienteve aristokrate falë të atit si oficer i lartë i kohës së Zogut, dhe kishte fituar një sjellje elegante. Mund të ishte e të bënte ç’të donte, veç këtë e kishte, ishte femër me klas. Nga sa di, nisi Institutin “Nëna Mbretëreshë”, por nuk e përfundoi. Ama kishte një zgjuarsi natyrale, që i dallohej që në vështrim. Dinte të sillej me njerëzit. Të shpërfillte pa bujë ata që e fyenin e që nuk ishin të pakët, dhe të ruante një mirësjellje në distancë me ata që, edhe pse nuk mund t’i afroheshin, e respektonin. Shtëpitë tona ishin afër, e shihja gjithnjë Ganimetin. Përveç xhirove me të ëmën apo vetëm, ajo ishte gjithnjë e pranishme nëpër dasma e në ato ceremonitë që dikur bëheshin me po kaq zhurmë sa dasma, kur fëmijët bëheshin synet. Nuk ngrihej të kërcente siç bënin gratë e tjera, vetëm rrinte, vështronte. Për mua, ishte mirëfilli kurtizane. Historitë me oficerët italianë e anglezë, njerëzit ia njihnin dhe sigurisht që e përndiqte imazhi i dikurshëm që në fakt ajo e zbehu, por nuk hoqi dorë. Kaloi në një kategori tjetër; synonte burrat me të ardhura më të mira se të të tjerëve asokohe. Mbase për të siguruar jetesën, nuk e di, sado që punonte edhe me rregullime nusesh. Bënte trëndafila artificialë me dorë, vërtet shumë të bukur, ishte duarartë. Në shtëpinë e saj, meshkujt nuk është se hynin pa hesap, ama hynin.

Natën apo ditën, por hynin. Arsyeja pse unë e di mirë këtë gjë, ishte se im atë ishte njëri nga ata dhe kjo gjë u mësua nga të gjithë asokohe. Njerëzit e dinin. Ne e dinim. Veçse të dyja, me të ëmën, i bënin gjërat të matura. Ishte mamaja e saj ajo, që piketonte burrat, e me ta bërë këtë, ato u shkonin të dyja për vizitë. Si për t’i thënë botës se ne me këtë familje kemi marrëdhënie familjare, nuk është ashtu siç mund të mendohet. E kanë bërë këtë gjë edhe me ne. Por s’dua të them me këtë që ishte faji i tyre, mund të ishte edhe im atë apo të tjerë si ai që u shkonin pas. Nëse keni lexuar romanin e Kadaresë, “Përballë pasqyrës së një gruaje”, historia është pak a shumë ashtu, mund të ketë teprime, por thelbi është ai. Ganimeti ishte vërtet e ëndërruar nga të gjithë. Nën zë, njerëzit në lagje flisnin për të, edhe pse ajo nuk shkonte nëpër ambiente, ku ishin gratë për të biseduar, siç bënin të tjerat. Ato më shumë se të tjerat e ngacmonin. Kujtoj një herë, në një dasmë, ishte njëra që i hidhte fjalë të ndryshme e, duke e ngacmuar, i ngriti fustanin. E kishte këmishën të grisur nga fundi. E kam parë me sytë e mi këtë dhe u bëri habi të gjithave. Në përfytyrimin tonë, ne kishim veshjet joshëse e të bukura që u pëlqenin burrave, por atëherë që e pashë nuk ishte ashtu. Pasi e motra iu burgos e i mbajti ajo me mamanë dy djemtë e saj, Ganimeti hoqi dorë nga ato që kishte bërë më parë, o së paku i rralloi. Iu kushtuan atyre dy fëmijëve dhe duhet të them që i kanë rritur e edukuar më së miri. Të dy ata u bënë njerëz të nderuar e të shkolluar. Sepse në fund të fundit, edhe ato zonjllëkun e kishin, kulturën e edukatën. Ganimeti fliste gjuhë të huaja, dukej si italiane. Pastaj patën fundin që njihet, u vetëvarën të dyja dhe mendoj që në këtë fund ka ndikuar edhe lagjja. Njerëzit që kanë folur e i kanë dëmtuar, sepse për këtë u dënuan, për moral jo të mirë. Por dua ta mbyll me një të vërtetë, sido që ish, kishe kënaqësi ta shihje…”. Sipas V., kjo është Ganimet Cuka që njihnin të gjithë në Tiranën e vjetër. Marramendëse për të gjithë…

Maks Velo: Takimi para internimit

Në një formë o një tjetër, të gjithë e njohin padurimin për të parë njeriun e dashur. Ca më keq nëse ai është i paarritshëm. Kurrë! Ganimet Cuka ishte e “ndaluar me ligj”. Prandaj edhe bëhej më e dëshirueshme. Nga të gjithë. Ka të ngjarë që edhe gratë, po të shohësh përtej fjalëve të V., nëse do të guxonin të mendonin organikisht, do ta ëndërronin. Gjithsesi, “ëndrra Ganimet” ishte asokohe stafeta e burrave. Aq e “dëmshme” ka qenë, sa, megjithëse e ndaluar, të gjithë e dinin për të gjithë. As që vihej në dyshim. “Loznin” burrat me veten, qosheve të shtëpisë së tyre, sikur të ishin në dhomën e Ganimetit. Si uji që pinin, kërkonin ta shihnin. Pjesë e tavolinave ku trokitja e gotave nuk thoshte gëzuar, po Ganimet, ishte edhe arkitekti e piktori Maks Velo. Gjithashtu pjesë e Tiranës së vjetër, Velo e kishte parë e njohur Ganimetin rrugicave të lagjes. Siç edhe thotë në tregimin e shkurtër të tij me titull emrin e saj, një ditë guxoi ta ndalte. Përtej tregimit, i pari kushtuar Ganimetit, qysh në vitin 1994 (tregim prej të cilit u bazua edhe Kadare në romanin e mëvonshëm) na tregon vetë…

Që Ganimet Cukën e paskan njohur të gjithë, kjo u mësua. Por shumica janë mjaftuar duke e parë së largu. Si ka qenë njohja juaj? Nuk ishte shumë e vështirë të njihje njerëzit atëherë, aq ishim, pak. Pastaj Ganimeti nuk kishte se si t’i shpëtonte syrit. Ishte mjaft e bukur, me trup të jashtëzakonshëm, këmbë, bel e vithe të bukura. Pastaj edhe qëndrimi elegant e pamja prej të huaje, çka tani mund të mos i bëjë përshtypje askujt, të bënin të mos ia hiqje sytë. Unë e kisha parë disa herë të shëtiste, gjithnjë e veshur me të zeza, me atë ecjen e saj elegante. Së largu ne njiheshim, së pari sepse ajo e dinte që të gjithë e shihnin, pastaj kur shkëmbimet në rrugë bëheshin të shpeshta, domosdo që të dyja palët e vënë re. Një ditë e ndalova, e përshëndeta. Ishte mjaft e sjellshme. Madje, edhe në rastet kur e fyenin, dinte të mbante qëndrim të zgjuar. Bëmë një bisedë të shkurtër formale, e pas kësaj përshëndeteshim gjithnjë.

Ju i keni kushtuar një tregim, që sipas vitit që mban, i takon të ketë qenë i pari…
Po, është përkthyer edhe në vëllimin e tregimeve në frëngjisht madje, parathënien e të cilit e ka bërë Ismail Kadare. Edhe Ismaili, si të gjithë, e njihte patjetër, por kur mori tregimet në dorë, më pati thënë se do bënte edhe ai diçka për të. Ca vite më vonë, siç e keni lexuar, bëri “Përballë pasqyrës së një gruaje”.

Ndonjë episod tuajin me Ganimetin, një ngjarje për t’u veçuar?
Në fakt, gjithnjë kujtoj me të takimin e fundit. Mbaj mend edhe vendin ku kam qenë ulur, te një kafe përjashta, aty ku është sot Teatri i Komedisë. Kaloi aty, ishte duke shkuar për shtëpi dhe u ngrita ta takoja. Më tregoi që sapo i kishte ardhur letra për internim dhe, teksa largohej, kthente sytë nga Ministria e Brendshme. Të nesërmen e asaj dite i morën i çuan në Lushnjë.

Ç’thuhej në letër?
Nuk më kujtohej se ç’thuhej në letër, por di që për qëndrim të keq moral i kanë internuar.

Ç’dini për këtë “qëndrim të keq moral”?
Po atëherë thuhej që kishte qenë kurtizane në kohën e Zogut, tregonin histori me oficerët italianë. Kishte pasur marrëdhënie që në moshë të vogël, 14-15 vjeç. Pas Çlirimit edhe u reduktuan, por vazhdonte gjithsesi. Flitej për lidhjet e saj me burra shumë më të mëdhenj në moshë se ajo.

Ndërkaq, ju apo të tjerë djem të rinj që flasin sot për të, ishit më të vegjël. Megjithatë, a tentonit të shkonit përtej përshëndetjes?
Unë nuk e mohoj dot, e të them që nuk doja apo nuk donim, të gjithë donim. Sa herë ajo kalonte, po i evitoj shprehjet popullore, por atje i kishim sytë të gjithë. Fakti që nuk mundeshim, nuk ishte çështja e moshës më shumë, sesa e imazhit të saj. Po të bëje diçka me të, do rrezikoje edhe veten e pastaj nuk dihej si të merrte fati. Sado që fati njësoj keq na mori, po kush i mendonte?! Fakti që më vonë, me t’u ndier i lirë, shkrova për të, tregon vetë që Ganimeti ishte nga ato që nuk harrohet kurrë nëse e ke parë, qoftë edhe një herë…

Tregimi i Maks Velos
Ganimeti
Të rinj rreth tavolinave me një shishe birrë përpara, në vitet ’60, bisedat përfundonin se kush ish më e bukura e qytetit. Vajza në qarkullim nuk kish sa tani dhe, ato që dilnin në xhiro, mund t’i klasifikoje lehtë. Por ish edhe një kuriozitet tjetër, kush kish qenë më e mira para 20 vitesh, në vitet ’40? Çdo brez njerëzor ka një kuriozitet të natyrshëm për atë që lë pas. Djemtë më të pashëm thoshin, qenë Alfred Ashiku dhe Tika Tezha, kishin bërë përshtypje të madhe dhe kur kishin shkuar në Itali, madje dhe në Cine-cita, italiankat ishin marrosur. Të dy kaluan burgjet politike. Tikën e njoha në plazh nga Pjetri, kurse Alfredin ma prezantoi vëllai, Pirroja, në Vlorë. E patën torturuar keq në ’46-n. Kur vdiq në Vlorë, e përcolli tërë qyteti. Për femrat thoshin se më e bukura kish qenë Ganimeti. Tani ish rreth të 35-ave, por tregonte se kish qenë klas bukurie. Si kuajt e racës që ecin rëndë, edhe ajo e dinte çmimin e kaluar dhe, në çdo hap që hidhte, lëshonte lavdinë e vështrimeve të kaluara të grumbulluara nga djemtë për dhjetëra vjet. Kinemaja kryesore e qytetit ish “17 Nëntori”. Në këtë kinema kam parë qindra filma, kjo ka qenë një nga qendrat që na dha kënaqësi dhe kulturë kinematografike. Këtu kam parë tërë filmat rusë, polakë, hungarezë, spanjollë, italianë, francezë. Filma amerikanë sillnin vetëm Hollivudin historik. Kur një mbrëmje po jepej “Gruaja më e bukur” me Silvana Pampaninin, dëgjova një zë në errësirë: “Si Ganimeti”. Zëri ish i dobët, i përmalluar, si zëri i ndonjë pasionanti. Ganimetin e shihja shpesh, madje një pasdite dhe e njoha. Thoshin se ish një kurtizane aristokrate. Vishej gjithmonë me të zeza dhe në gjoks mbante një trëndafil të kuq artificial. Me këtë rast bënte reklama dhe për gjoksin dhe për trëndafilin, se ajo prodhonte lule artificiale që i shiste. Kish për dashnor një burrë të martuar, hekurpunues, dhe rronte me të ëmën. Kur ecte, peshonte mbi këpucët me taka dhe trupi i dredhur dridhej pak si nga një pasion i pandërprerë, si nga një energji e brendshme që e prodhojnë vetëm ato, gratë më të bukura. Një ditë dëgjova që e kishin internuar bashkë me të ëmën në një fshat të Fierit. Dhe pastaj mora vesh se kish varur veten në internim bashkë me nënën plakë. Këtu në kamp në Spaç, e pyeta Paulinin dhe ai më tregoi: “Unë isha internuar po aty që më përpara. I sollën dhe, meqenëse të gjitha barakat ishin të zëna, nga të internuarit e ardhur më parë, u dhanë një barakë me llamarina fuçish që shërbente për të ruajtur karburantin e SMT-së, fuçitë e naftës së traktorëve. Dega urdhëroi SMTnë që ta lironte. Përreth dhe dyshemeja e barakës ishin baltë, e gërryer dhe e gatuar nga zinxhirët e traktorëve. Aty i futën. Ganimeti kish një shoqe. Ajo e gjeti e para në mëngjes. Ulëriu. Nuk kishin veçse pak ditë që kishin ardhur. Në fillim ishte varur e ëma, ish e rëndë në peshë dhe duket që Ganimeti ta ketë ndihmuar, madje mund të jetë ajo që e ka hequr mbështetësen, pastaj është varur vetë. Të internuarit u grumbulluan. Asnjëri nuk fliste. Erdhi polici i postës. Lajmëruan Tiranën dhe nga Ministria e Brendshme erdhi Kadri Ismailati. I varrosën aty”. Paulinin e kisha në lagje, afër shtëpisë, një rrugicë më poshtë. Kish studiuar në Moskë për ekonomist. Tërë faji i tij ish se kish zë të shkëlqyer spikeri. Në fillim, ish-folës i filmave dokumentarë në Kinostudio, pastaj shkoi për studime në Moskë; Njëkohësisht fliste dhe në Radio Moska në orën e shqipes. Më kujtohet kish një zë kumbues dhe dallohej nga gjithë spikerët e tjerë. Kjo ish e keqja, nuk duhet të dallohesh nga të tjerët. Një zë kumbues basi të shkoqur e plot timbër autoritar. Nga kjo e pësoi. Kur u prishën me Rusinë, tërë jetën nuk ia falën, që fliste nga Moska. Mirë kur ishin miq me Kampin dhe zëri i Paulinit ish miqësor, por kur u prishën me Kampin, zëri dhe personi u bënë armiq. U nda nga rusja me të cilën ish martuar, nuk mjaftoi. Në fillim e internuan 6 vjet. I bëri ato dhe u kthye, i dërrmuar. U martua prapë. E arrestuan dhe i dhanë prapë 6 vjet. Kur vajta e gjeta aty, në Spaç. Më përpara nuk kishim pasur ndonjë shoqëri. Aty ish shumë i kujdesshëm, nuk bisedonte me njeri, dhe të gjithë e dinin këtë. Ishte koha e ridënimeve në kamp dhe ai donte të lirohej patjetër. Komanda e kish vënë llogaritarin e kampit, dhe ai ish i sjellshëm me të gjithë. Ruhej shumë, se dhe pak i kishin mbetur. Bëri gjithë dënimin, kish dhe një ditë. I vëllai kish ardhur nga Tirana, i solli rrobat që do të vishte dhe e priste të shkonin bashkë. Atë natë do të flinte në fshat. Ish e diel, do të lirohej të nesërmen. Kish sport, futboll, dhe unë jashtë sallës, nga dritaret, po shihja ndeshjen. Paulini ish në bangon e parë. Vjen tellalli dhe e thërret “Të kërkon oficeri i rojës”. Ai i qetë del e shkon lart portës së vogël, se kish vazhdimisht punë me oficerët e komandës, sidomos tani që kish dorëzuar llogarinë. Nuk u kthye më. I kishin vënë hekurat në vend. “Në emër të popullit, je i arrestuar”. E ridënuan 10 vjet. Asnjëherë nuk arrita të kuptoj mekanizmin e ridënimeve. Por fati i keq ish se Paulini ishte i fundit që u ridënua. Mbas pak kohe vrau veten Mehmet Shehu, kryeministri dhe ridënimet në kampe u ndërprenë. Si çdo gjë, që këtu fillonte pa asnjë kuptim të vërtetë, ashtu mbaronte papritur. Ndofta Ganimeti kish të drejtë, që i dha fund sa vajti në internim. Nuk ma merrte mendja që ajo femër aq e bukur, me aq dobësi njerëzore, të ish aq e fortë, aq e vendosur. Ajo bëri menjëherë atë që nuk kemi guxim ta bëjmë as ne këtu. A ia vlen të rrosh gjatë me vite të tëra në këto burgje? Apo t’i japësh fund si Ganimeti?!

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura