Dezinfektohet Galeria e Arteve në fund të gushtit

Jul 28, 2015 | 14:54
SHPËRNDAJE

Galeria e Arteve
Galeria e Arteve

Pas alarmit të dhënë disa herë mbi gjendjen e Galerisë Kombëtare të Arteve, kjo e fundit do të futet në karantinë për 9 ditë. Ky institucion do t’i nënshtrohet dezinfektimit, një proces që në fakt duhet të ishte i zakonshëm çdo vit. Dezinfektimi nuk do të përfshijë vetëm pjesën e fondit, aty ku ruhen rreth 5 mijë vepra arti, por të gjitha mjediset, sallat dhe hapësirat e saj. Karantina për të realizuar këtë proces do të vihet nga data 28-6 shtator dhe paraprakisht mësohet se do të bëhet me “forca vullnetare”.

Duket që kërkesat e vazhdueshme të drejtorit të GKA-së, Artan Shabani, drejtuar Ministrisë së Kulturës për fonde që do të bënin të mundur dezinfektimin nuk kanë marrë përgjigje, pasi, sipas njoftimit të GKA-së, është kompania “Air”, pjesë e “Vinipharma Medical Group”, e cila vullnetarisht është angazhuar të bëjë dezinfektimin e GKA-së. Fondi i Galerisë prej kohësh vuan mungesën e një hapësire më të madhe, apo nevojën për të bërë ndërhyrje te veprat që pas ca vitesh kanë nevojë për t’u restauruar. Shtyrja në kohë e dezinfektimit, që duhet të ishte një proces që bëhej çdo vit në Galeri, e bëri gjendjen e fondit më alarmante. Shumë vepra rrezikojnë të prishen përfundimisht për shkak të dëmtimit nga insektet, apo kushteve jo të favorshme në të cilat ndodhen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura