Dhunoi bashkëshorten me të cilin ishte në proces divorci, procedohet 27-vjeçari. E pëson edhe babai i të riut pasi posedonte në banesë armë zjarri e lëndë plasëse

Jun 27, 2024 | 9:47
SHPËRNDAJE

Policia e Elbasanit ka proceduar penalisht një 27-vjeçar për dhunë në familje dhe ka arrestuar babain e tij pasi posedonte në banesë armë zjarri dhe lëndë plasëse.

Elbasan

Gjithçka nisi me një kallëzim të bashkëshortes së 27-vjecarit se ishte dhunuar psikologjikisht nga bashkëshorti i saj me të cilin ishin në proces divorci.

Gjatë këtij operacioni rezultoi se babai i 27-vjeçarit posedonte në banesë armë zjarri dhe lëndë plasëse.

“Blutë” në shtëpinë e 56-vjeçarit në Labinot Mal gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 6 granata dore, 8 kapsolla detonatore, 16 krehëra dhe 330 fishekë luftarak.

Njoftimi i policisë:

Elbasan/Angazhim maksimal për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe reagim profesional e në kohë ndaj rasteve të dhunës në familje dhe denoncimeve të adresuara nga qytetarët.

Si rezultat i inteligjencës së menjëhershme policore, finalizohet operacioni policor i koduar “Next”.

Posedonte në banesë armë zjarri kallashnikov, granata, kapsolla detonatore dhe municion luftarak, vihet në pranga 56-vjeçari.

Procedohet penalisht djali i tij, për dhunë në familje.

Menjëherë pas administrimit të kallëzimit të një shtetasje se ajo ishte dhunuar psikologjikisht nga bashkëshorti i saj, 27 vjeç, me të cilin ishin në proces divorci, Komisariati i Policisë Elbasan, bazuar në inteligjencës policore se babai i 27-vjeçarit posedonte në banesë armë zjarri dhe lëndë plasëse, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Next”.

Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e babait të tij, shtetasit B. Ç., në fshatin Qerret, njësia administrative Labinot Mal, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, 6 granata dore, 8 kapsolla detonatore, 16 krehëra dhe 330 fishekë luftarak.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua poseduesi i armës së zjarrit dhe lëndëve plasëse, shtetasi B. Ç., 56 vjeç.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. Ç., 29 vjeç, djali i shtetasit B. Ç., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, me të cilën janë në proces divorci.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura