Diferencimi i pensioneve në Shqipëri

Jul 3, 2024 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA MIMOZA DAJÇI MIMOZA DAJÇI

Jo vetëm pensionistët që jetojnë në Shqipëri edhe ata jashtë kërkojnë vazhdimisht informacion rreth rritjes së pensioneve. Qeveria shqiptare po shikon mundësinë, që krahas rritjes së pagave të ulëta, të ketë edhe rritje të pensioneve minimale. Si tregues mbështetës për vendosjen e masës përkatëse, rol luan edhe turizmi. Mirëpritja e turistëve shënon sukses në vend. Pas negociatave me Bankën Botërore, rritja e pensioneve minimale pritet të fillojë në vjeshtë.

“Shifrat janë të kënaqshme dhe pozitive”, – thotë për median shqiptare deputetja Pranvera Resulaj. Por, shtetasit shqiptarë nuk janë duke parë gjë akoma. Flitet që të mos ketë pension nën 15.000 mijë lekë në muaj dhe kjo mbetet për t’u konkretizuar brenda vitit duke bërë dhe një diferencim të pensioneve në fshat dhe qytet, si dhe të rezidentëve brenda dhe jashtë vendit, ku prioritet do të kenë ata që jetojnë në Shqipëri.

Tërheq vëmendjen fjala diferencim i pensioneve për pensionistët që jetojnë jashtë vendit, “ku prioritet do të kenë ata që jetojnë në Shqipëri”. Lirisht lind pyetja pse pensionistët shqiptarë që jetojnë jashtë (dikur jetuar në fshat apo qytet) nuk do të jenë prioritet i qeverisë e për ta duhet të bëhen diferencime. Mos vallë ata ushqehen me lugë floriri jashtë, apo iu bien paratë nga qielli?! Emigracioni nuk është fushë me lule. Të punësuarit jashtë nuk është e lehtë, nëse nuk të mbështet dikush, për pak kohë e shikon tjetrin në rrugë të madhe e në mjerim.

Në një bisedë mes biznesmenit Saimir Mane dhe gazetarit Berat Buzhala, milioneri i tha: “Apartamentet në Shqipëri së shumti blihen nga të huajt”. Çfarë tregon se edhe pensionistët shqiptarë që jetojnë jashtë nuk janë pasuruar aq, sa të blejnë një apartament në vendin e tyre të lindjes. Një pensionisti jashtë, edhe pse në moshë madhore, i duhet të bëjë punë të dytë për mbijetesë, apo jetë më të qetë se sa në Shqipëri. Ka raste kur fëmijët kanë të ardhura të mjaftueshme, ndihmojnë financiarisht edhe prindërit e tyre, por jo të gjithë. Pasi si në Shqipëri e kudo ka shumë prindër që abandonohen nga fëmijët e tyre.

Vendimet nga ana qeverisë nuk mund të merren apriori. Në negociatat për përfitime, ligje dhe vendimmarrje të rëndësishme, të pranishëm në Shqipëri duhet të jenë edhe përfaqësues të diasporës. U përket atyre të ngrenë zërin edhe për të drejtat e pensionistëve, të tregojnë standardet e jetës në emigracion, si zhvillohet jeta jashtë, sa janë të punësuar, sa janë në pension, sa janë të pa aftë për punë etj..

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura