Ditari i Llambi Ziçishtit: Enveri urdhëroi kurimin e Hysni Kapos në Paris

Aug 26, 2013 | 15:42
SHPËRNDAJE

Llambi Ziçishti
Kujtimet e ish-ministrit të Shëndetësisë, nga klinika “Broussais” në Paris.

Ditari i Llambi Ziçishtit: E vërteta e sëmundjes së Hysni Kapos.

Udhëtimi drejt Francës me urdhër të Enverit dhe konstatimi i kancerit të pankreasit pas operacionit të parë në Paris.

Llambi Ziçishti, ish-ministri i Shëndetësisë, ishte një nga mjekët kryesorë që shoqëroi Hysni Kapon për t’u kuruar në një klinikë franceze në vitin 1979. Në ditarin e tij përshkruhen me detaje të dhënat e ekzaminimeve në spitalin “Broussais” të Parisit dhe situata dramatike pas dy ndërhyrjeve kirurgjikale të realizuara aty.
Plot 53 ditë pa ndërprerje, kreu i Shëndetësisë së regjimit komunist ka dokumentuar me imtësi ecurinë e sëmundjes dhe parametrave mjekësorë të shëndetit të Kapos, konsultat e përditësuara çast pas çasti me grupin e mjekëve francezë dhe shqiptarë, bisedat me funksionarë të lartë të Tiranës dhe familjarë të pacientit VIP, rrethanat si u shua Kapo e deri te rikthimi në Shqipëri. Pjesa që publikojmë  sot përfshin kujtimet e Ziçishtit, nga çastet kur mësoi sëmundjen e papritur të Kapos   kur ishte duke pushuar në vilën qeveritare në Pogradec, mënyrën e diagnostikimit nga mjekët më në zë të vendit, përkeqësimin e beftë të shëndetit të tij dhe deri te udhëtimi me urdhër të Enverit drejt klinikës “Broussais” në Paris, në shoqërimin e dy profesorëve të shquar të mjekësisë shqiptare…

Ditari
E hënë 30.7.1979
Në pasdite më njoftuan për një përkeqësim të papritur të shëndetit të shokut Hysni(Kapo), që ndodhet me pushime në Pogradec. Nga shpjegimet e mjekut personal mësova se bëhej fjalë për një kolecistit akut. Në vlerësim të situatës lajmërova për të shkuar aty profesor Hoxhën dhe doktor Papariston. Ata mbërritën afër mesnatës. Shoku Hysni kishte rënë në gjumë dhe kishte lënë porosi ta vizitonim mëngjesin e së nesërmes. Profesor Gaçja (Petrit Gaçe-shënim i red.), që ndodhej aty, më shpjegoi për komplikacionet që kishte pësuar shëndeti i shokut Hysni dhe mjekimin që kishin filluar t’i bënin.

E martë 31.7.1979
Nga konsulta e bërë paradite me praninë e profesor Fejzi Hoxhës, profesor Petrit Gaçes, Paparistos dhe Dine Abazit (mjeku personal i Kapos-shënim i red.) u konkludua se bëhej fjalë për një kolecistit akut. U përcaktua terapia dhe filloi mjekimi me antibiotikë (gentamicinë).

E mërkurë 1.8.1979
Nga telefonata me profesor Geçen mësova se gjendja e shokut Hysni, edhe pas mjekimit intensiv me antibiotikë, vazhdon të mbetet e njëjtë. Çuditërisht, kur pritet efekti i gentamicinës për uljen e temperaturës, ajo rritet. Sot në mëngjes arriti 40 gradë. Ndërkohë kanë filluar të rriten dhe leukocitet e transaminazat. Siç duket, kemi të bëjmë me një komplikacion kritik. Kështu konkluduan në konsultën e tyre profesor Gaçe, profesor Popa (Ylli Popa), profesor Hoxha dhe Dine Abazi. Me kërkesën e tyre lajmërova për të shkuar aty doktor Paparisto. Në këto rrethana, pacienti duhet ndjekur nga një konsultë më e gjerë për të parë evoluimin e sëmundjes dhe për të përcaktuar taktikën e mjekimit. Konsulta u bë pasdite. Të dhënat e para nuk janë shumë optimiste…

E enjte 2.8.1979
Gjendja e shokut Hysni mbetet shqetësuese. Natën pacienti ka pasur temperaturë shumë të lartë. As kombinimi me antibiotikët e tjerë (rifocina) nuk dhanë efektin e pritur. Profesor Gaçe më njoftoi se grupin e mjekëve që ndjek situatën, e kishte thirrur shoku Enver. Ata e kanë sqaruar gjerë e gjatë rreth sëmundjes dhe i kanë thënë se, nëse temperatura nuk ulej, pacienti do të shkonte në Tiranë për një ndërhyrje kirurgjikale urgjente. Shoku Enver porositi që ekzaminimet e mëtejshme të bëheshin në një nga klinikat e Parisit. Filluam përgatitjet për të realizuar transportin e pacientit drejt Tiranës. Ndërkaq, kontaktova me Ministrinë e Jashtme për mundësitë e lëvizjes drejt Francës.

E martë 7.8.1970
Shoku Hysni, i shoqëruar nga një grup mjekësh të klinikës speciale, mbërriti në Paris dhe u sistemua në spitalin “Broussais”. Në konsultën e parë u vendos që pacienti të qetësohej atë pasdite dhe të operohej të nesërmen. Meqenëse në mbrëmje vonë krizat e dhimbjes u shtuan, u vendos të ndërhyhej menjëherë. Operacioni u krye nga profesori i njohur, Aleksandër, me asistencën e një stafi të zgjedhur. Nga pala shqiptare asistuan profesor Petrit Gaçe dhe mjeku personal, Dine Abazi. Kur u hap, u konstatua se kishim të bënim me një kancer të pankreasit me metastaza të shumta në mëlçi, një diagnozë kjo e paparashikuar, me një prognozë të keqe. U njoftua për këtë shoku Enver. Ai, sa mori vesh lajmin e keq, më thirri mua me profesor Hoxhën dhe na urdhëroi të niseshim urgjent në Paris. Veç të tjerash, na porositi për ta mbajtur diagnozën sekret që të mos e  merrte vesh as shoku Hysni e as familjarët e tij që ndodheshin aty…
 
E mërkurë 8.8.1979
Mbrëmë arritëm vonë. U drejtuam menjëherë në spitalin “Broussais”, në klinikën e prof. Aleksandrit. Petriti (Gaçe-shënim i red.) na vuri në dijeni mbi gjithçka, si për problemet e diagnostikuara, ashtu dhe për vështirësitë e ndërhyrjes, e cila vazhdoi për rreth 10 orë. E patëm të vështirë të komunikonim me Tiranën për arsye të ruajtjes së sekretit. Unë natën fola me telefon me sh. N. (Nesti Nase-shënim i red.)) dhe sh. K. (Kadri Hazbiu-shënim i red.). Në lajmin që dërgova, u mundova që të jem edhe i kuptueshëm e të mos lëshoj fjalë të pakontrolluara. Propozova që të nis një shok për të dërguar një letër me hollësira. Shoku K.(Kadri Hazbiu) ishte dakord. Sot në mëngjes, para konsultës, Petriti na raportoi për gjendjen. Pacienti e kaloi natën relativisht i shqetësuar, por me parametra kardiovaskularë dhe një bilanc elektrolitik të mirë. Hollësitë i shënoi dr. Dino (Dino Abazi-mjeku personal i Kapos) në kartelën e tij. Është e qartë që pacienti e superoi mirë një traumë jashtëzakonisht të madhe. Në konsultën e mëngjesit erdhën prof. Aleksandri, prof. Guize, prof Assan dhe prof. Samama. Nga ana jonë Hoxha, Gaçja, Dauti, Dinua dhe unë. Të dhënat e para tregojnë se i sëmuri mbahet mirë. Prof. Aleksandri na bëri një përshkrim të ndërhyrjes. Nga ana kirurgjikale, gjendjen e konsideronte të kënaqshme. Prof. Samama është i preokupuar për numrin e trombociteve, i cili rrezikon të rritet dhe rrezikon të japë tromboza. Ky është problemi kryesor, sepse përdorimi i ilaçit për parandalimin e trombozave rrezikon të japë hemorragji. Jemi përpara një thike me dy presa, prandaj specialistët po mendojnë me kujdes. Ekipi i mjekëve është shumë kompetent. Shërbimi i shkëlqyer dhe i vazhdueshëm. Prof. Aleksandri merret në mënyrë të veçantë me këtë patologji. Është njeri shumë i komunikueshëm dhe i respektueshëm. Patëm vështirësi vetëm për ta bindur të mos tregojë. U bind kur i thamë që po vija unë në Paris dhe i merrja unë të gjitha përgjegjësitë. Dhe kështu u veprua.
12 ditët e para janë kritike dhe në mënyrë të veçantë 5-6 ditët e para. Nga ana jonë, këtu në Paris këtë problem e dinë vetëm mjekët e lartpërmendur. Porosia kategorike: Asnjë fjalë. Mendojmë që sot të nisim në Beograd Idajetin (Idajet Hoxhën, punonjës i ambasadës shqiptare në Paris-shënim i red.), i cili ka një hall familjar. Nesër ai është në Tiranë. Përpiluam një informacion të hollësishëm. Idajeti niset pasdite. Pasdite gjendja e pacientit është e kalueshme. Të gjithë parametrat mbahen mirë. Në konsultën e pasdites formuam bindjen se nuk ka ndonjë përkeqësim.
Mendimi i konsultës, gjendja e pacientit e kënaqshme. Milezi është jashtë Parisit me pushim dhe i pamundur. Sot pasdite nuk kemi pasur ndonjë problem të veçantë. Tirana më njofton që të bëjmë çmos që Idajeti të jetë nesër në Tiranë. Kur njoftova për gjendjen, njoftova edhe për Idajetin. Pacienti është i mërzitur.

Biografia, Llambi Ziçishti
Ziçishti, një nga kirurgët e parë të regjimit komunist, lindi në vitin 1923 në Devoll të Korçës. Mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare që në ditët e para të rezistencës kundër okupatorit. Në vitin 1953 përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Mjekësisë në Rumani. Pas diplomimit punoi për disa vite në Spitalin e Tiranës në profesionin e kirurgut. Në vijim kreu detyrën e drejtorit të Spitalit Numër 2 në kryeqytet dhe atë të dekanit të Fakultetit të Mjekësisë. Në periudhën 1975-1982 kreu detyrën e ministrit të Shëndetësisë. Në vitin 1982 u arrestua si një nga pjesëtarët e grupit armiqësor të drejtuar nga Mehmet Shehu dhe u akuzua se në vitin 1973 kishte tentuar të helmonte Enver Hoxhën. U dënua me vdekje(pushkatim) dhe u ekzekutua më 17 shtator 1983.

“Kapo vuante nga zemra dhe diabeti”
Rrëfen profesor Dine Abazi, ish-mjeku personal i Hysni Kapos, aktualisht president i Urdhrit të Mjekut.

“Shfaqja e kancerit të pankreasit  në korrik ‘79 ishte e papritur”

Dine Abazi duke rrëfyer për gazetën “Panorama”
“Te Kapo kanceri i  pankreasit u shfaq papritur. Më herët, ai vuante nga zemra dhe diabeti”. Përtej asaj që përshkruan në ditar Llambi Ziçishti, ish-ministër i Shëndetësisë, që ka ndjekur çast pas çasti gjendjen shëndetësore të numrit 2 të regjimit gjatë ditë-netëve dramatike kur kurohej pa shpresë në Paris, profesor Dine Abazi, ish-mjeku personal i Kapos, sjell një retrospektivë të plotë të përballjes qysh në minutën e parë me diagnozën vrastare. Në pjesën e parë të rrëfimit, mjeku i njohur, aktualisht president i Urdhrit të Mjekut, tregon rrethanat si është përballur me shenjat e para të sëmundjes së rëndë te pacienti i tij, mënyrën e ekzaminimit nga emrat më të njohur të bluzave të bardha në Shqipëri dhe nisjen me urgjencë me urdhër të Enverit për trajtim të specializuar në Paris…

Zoti Abazi! Ju keni qenë mjeku personal i Hysni Kapos dhe i keni qëndruar te koka deri në çastet e fundit. Ishte e papritur sëmundja që i mori jetën, apo vuante prej kohësh?
Shoku Hysni (kështu e përmend emrin e tij Abazi) vdiq nga kanceri i pankreasit. Ishte një sëmundje agresive që u shfaq papritur në në verën e vitit ‘79, aty nga fundi i korrikut dhe përparoi tmerrësisht shpejt. Më herët, së paku qysh nga fillimi i viteve ’70, kur unë fillova shërbimin pranë tij, shoku Hysni vuante nga diabeti dhe zemra. Gjatë kësaj periudhe, ai kaloi dy infarkte. Infarkti i dytë ishte më kritik. Për kurimin e tij, shkuam në Paris. Sëmundja vdekjeprurëse u shfaq kur në përgjithësi të gjithë parametrat paraqiteshin mirë.
Pra, kanceri i pankreasit nuk kishte lidhje me sëmundjet për të cilat diagnostikohej deri në atë periudhë…

RAMIZ ALIA DHE HYSNI KAPO
Në rastin konkret kemi të bëjmë me patologji krejt të ndryshme. Që do të thotë se as diabeti dhe as problemet kardiovaskulare nuk kanë kurrfarë të përbashkëte me njëra-tjetrën. Specialistët, madje që nga më të rinjtë, e njohin mirë gjenezën e këtyre patologjive dhe lidhjet e tyre me njëra-tjetrën…
Keni qenë i pari që keni konstatuar dhimbjet e sëmundjes vdekjeprurëse te pacienti juaj. Çfarë kujtoni nga ato çaste?
Ishte koha kur shoku Hysni pushonte në vilën qeveritare në Pogradec. Kishte shkuar aty që në datën 17 korrik. Nga kontrollet që i bëja përditë, nuk rezultonte ndonjë gjë shqetësuese. Më herët, disa ditë para se të niseshim nga Tirana, ishte ankuar nga një dhimbje në krahun e djathtë. U konsultuam për të me specialistët dhe morëm mjekimet përkatëse. Aty nga fundi i korrikut, krahu i djathtë filloi ta shqetësojë përsëri, këtë herë me dhimbje më të forta. I filloi sakaq edhe një temperaturë e lartë, sidomos mbrëmjeve. Më duhej të kërkoja ndihmën e kolegëve. I pari që mbërriti aty ishte Petrit Gaçja, i cili ato ditë ndodhej në Pogradec me grupin e mjekëve të Enverit. Ai, pasi e vizitoi me kujdes, rekomandoi mjekimin përkatës dhe vuri në dijeni ministrin e Shëndetësisë. Shenjat e para flisnin për një patologji të paqartë. Profesor Gaçja kishte idenë për t’u bërë një ekzaminim më i thellë. Sipas kërkesës së tij, të nesërmen mbërritën aty profesor Fejzi Hoxha me doktor Papariston. Në konsultën me ta u konkludua për një kolecistit akut, që menduam se mund ta kurojmë me antibiotik…
Nuk bëhej fjalë për ndonjë komplikacion të rrezikshëm…
Aty për aty nuk menduam për ndonjë diagnozë të rrezikshme, por e keqja na u shfaq shumë shpejt, madje pa mbërritur në Tiranë mjekët e thirrur për konsultë. Shoku Hysni, edhe pas mjekimit me doza të forta antibiotikësh, kryesisht gentamicinë, vazhdonte me temperaturë të lartë. Madje, ajo nga dita në ditë shënonte rritje. Arriti deri në 40 gradë. Kishin filluar sakaq të rriteshin leukocitet dhe transaminazat. Pacienti nga çasti në çast po drobitej. Pra, dukej qartë që nuk bëhej fjalë për një kolecistit akut. Ishim para një komplikacioni kritik…
Që këtej ju lindi mendimi për ta diagnostikuar në Francë?
Ideja për në Francë erdhi pas disa konsultave intensive me specialistët më të mirë. U rikthyen sërish në Pogradec profesor Hoxha dhe doktor Paparisto, bashkë me mjekun radiolog. Ekzaminimet filluan me radiografinë e mushkërive. Aparatura tregonte se mushkëritë e pacientit funksiononin normalisht, pa ndonjë gjë me rëndësi radiologjike. Edhe në organet e tjera nuk konstatohej ndonjë gjë me peshë. Përfundimisht vlerësimi mbetej te një kolecistit akut, por aty për aty u hodh ideja edhe për ndonjë diagnozë më të avancuar. Ndryshuam terapinë duke shtuar dozën e antibiotikëve, por përsëri gjendja mbetej e njëjtë. Përballë kësaj situate, u vendos për ta transportuar në Tiranë për një ndërhyrje kirurgjikale, pasi nga çasti në çast sëmundja mund të shkaktonte pasoja të pariparueshme. Këtu ndërhyri shoku Enver, që e ndiqte nga afër gjendjen dhe urdhëroi për ta bërë operacionin në Francë…
Në këto rrethana, ju u nisët nga Pogradeci urgjent për në Paris?
Udhëtimi për në Francë u realizua qysh të nesërmen, kuptohet pas procedurave të rastit me Ministrinë e Jashtme dhe atë të Shëndetësisë. Në Aeroportin e Parisit na pritën autoritetet franceze. Që aty u nisëm menjëherë në spitalin “Broussais”. Në konsultën e parë u vendos që pacienti të qetësohej atë pasdite dhe të operohej të nesërmen paradite, por në mbrëmje krizat e dhimbjes u shtuan dhe u vendos të ndërhyhej menjëherë.
Me kë shoqërohej Hysni Kapo gjatë këtij udhëtimi?
Unë mbaj mend se bashkë me mua në avion ishte edhe i nipi, Andi Bushati. Shoku Hysni e kishte pikë të dobët atë. Ishte e vetmja kërkesë që kishte shtruar, kur i kishin thënë se do të shkonte për t’u operuar në Paris. Ai e ndiente që kishte të bënte me një operacion jo të lehtë dhe kërkonte të kishte pranë në këto çaste djalin e vajzës, që e donte shumë. Pjesa tjetër e mjekëve, profesor Hoxha dhe Llambi Ziçishti, me sa më kujtohet, kanë ardhur në Paris të nesërmen e operacionit…
vijon nesër …

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura