Prefesori i socialistëve, Servet Pëllumbi në ditarin e tij politik, të cilin e ka botuar në formën e një libri me titull “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, tregon vitet kur ka qenë drejtues i lartë të kësaj partie.
Libri i ri del me rastin e 25-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste. Në vitin 1992, një vit pas themelimit të PS-së, kur Fatos Nano pranoi të merrte drejtimin e saj me kushtin që si nënkryetar të kishte Servet Pëllumbin, marrëdhëniet mes tyre nuk kanë qenë aspak të qeta.
Në ditarin e tij politik, një pjesë e të cilit u botua sot në “Panorama” profesor Pëllumbi tregon se si i kishte kërkuar llogari Nanos për mënyrën se si ai drejtonte PS-në, vonesat në punë, neglizhencën e tij për punët e partisë, që nga mbledhjet e deri në daljet e tij në bazën e partisë.
VITI 1992
E DIEL, 8 DHJETOR 1992
Nga ora 13:00-15:00 pata një bisedë kokë më kokë me F. Nanon, në të cilën shtrova tri shqetësime që më mundojnë prej kohësh, aq sa kam menduar edhe të jap dorëheqje nga posti që kam në parti si zëvendës i kryetarit.
Në ditar, në datën 12 shtator, kam shënuar këtë formulë: I pakënaqur nga puna ime në Kryesinë e PS-së dhe nga pamundësia për të bërë më tepër, i kërkoj asaj Kryesie të pranojë dorëheqjen time. Cilat janë tri shqetësimet e mia që i shtrova sot kryetarit?
1. Mungesa e një angazhimi serioz nga ana e tij në punën për drejtimin e partisë. “Mungoni me ditë të tëra, në momentet më kritike ju “sëmureni”. Shkoni dhe rrini shpesh jashtë shtetit, pse nuk sëmureni në këtë rast? Mund të angazhoheshit, siç kemi biseduar për një program alternativ të reformës ekonomike (si ekonomistë që jini), por asgjë nuk kini bërë, asnjë trajtim me sens teorik që do të pasuronte programin e Partisë. Pa folur për atë që shkoni rrallë në rrethe. Në shumë prej tyre nuk kini shkuar asnjëherë. Shokët e bazës më kanë bërë shpesh vërejtje në adresën tuaj, por unë deri tani ju kam justifikuar.
2. Problemi i qëndrimit ndaj veprimtarisë afariste të disa prej njerëzve tanë të ngarkuar nga ju (F. Kumbaro, L. Çuçi etj.). Kam mendimin se gjithçka duhet vënë mbi baza ligjore dhe të kontrollueshme për ta ruajtur partinë nga veprime jo të pastra. Përvoja e PS-së bullgare.
3. Çështja e vajtjes suaj në SHBA më 29 nëntor deri më 5-6 dhjetor 1991, në ditët kur kishte nisur diskutimi për ekzistencën ose jo të Qeverisë së Stabilitetit.
Mua më thatë se do të shkonit në Itali me kërkesën e Kraksit. Ju shkuat në Zvicër ku u takuat me H.B. që ju shoqëroi për në SHBA i “ftuar” nga lobi ballisto-legalisto-kosovaro-amerikan që mbështet Berishën.
E mora vesh rastësisht nga Sabiti dhe Ylli Bufi kur ishim bashkë në Zvicër. Dua të di të vërtetën nga goja juaj, si edhe arsyet pse e mbajte të fshehtë nga partia një gjë kaq të rëndë. Më dëgjoi me vëmendje e pa më ndërprerë edhe pse u zbeh dhe turfullonte nga brenda.
Pastaj tha: – Po është e vërtetë, për këtë kanë pasur dijeni Kastrioti, Ylli dhe Sabiti. Madje edhe Berisha me Rugovën! Në atë kohë, Kastrioti, Ylli dhe Sabiti nuk ishin në Kryesinë e PS-së. Fatosi u duk i revoltuar që për këtë më kishte folur Ylli Bufi, që sipas Fatosit ishte “mblesi”, ai që e kishte propozuar dhe koordinuar udhëtimin e Fatosit për në SHBA…
– Mendova, vazhdoj ai, se ti e kishe marrë vesh, unë vetë nuk ua thashë për konspiracion.
Ngriti tonin: – Unë luftova në strofkën e tyre. Më mbajtën mbyllur 72 orë, një terror i vërtetë psikologjik e fizik. Prova me raki, cigare, më dehën…”
Nuk e bëri të qartë çfarë kërkonin, por la të kuptohej sikur donin ta rekrutonin për ta detyruar që t’i hapte rrugë S. Berishës. Madje “torturuesit” e tij qenkan shprehur: – Berisha një copë budalla është, por ja që atij i besojnë amerikanët! Fatosi paska rezistuar “heroikisht”!
Veçse, kur e pyeta, si befasisht, ç’detyrë e parullë të dhanë dhe sa herë të kanë “shqetësuar”, shtangu. Por u përgjigj. Mbase mendoi se unë tashmë dija çdo gjë. “Parulla është Crosse the Brige”. “Më kanë telefonuar në shtëpi dy herë, zakonisht pas mesnate. Telefonata e fundit më duket ishte pas 26 korrikut 1992”! Por ka bërë edhe një takim me “shefin e ri” në Sarandë. Edhe takimi i Fatosit me Berishën dhe Rugovën muajin e kaluar, duket se ka qenë në po të njëjtën linjë. Djall o punë, çfarë mpleksje “demokratike”!
– A je i gatshëm, i thashë, që këto që më the mua t’i ripohosh edhe në prezencën e Gramozit dhe të Namikut?
– Po, e pranoj këtë variant. Kështu u veprua. Gjithsesi, tani edhe unë i kam më të qarta disa situata me Fatosin dhe disa nga pikëpyetjet që më kanë lindur më parë. Njëherësh dhe për disa përshtypje që deri tani më habisnin për një lloj ndrojtjeje ndaj meje, të një respekti më tepër të shtirur se të sinqertë.
Ndonjëherë, i kam shpjeguar me diferencën në moshë, por në të vërtetë nuk qenka kjo. Nuk di ç’të bëj më tej, por është fakt se diçka e madhe u thye pa kthim midis meje dhe Fatosit: Besimi reciprok…!
E SHTUNË, 14 DHJETOR 1992
Në ora 9, mbledhja e Kryesisë. Po prisnim në zyrën e Fatosit ku zhvillojmë mbledhjet e Kryesisë, kur vjen Kristina dhe me një lloj ndrojtjeje na thotë: – Kryetari është sëmurë dhe nuk do të vijë në mbledhje!
Për raste të tilla kjo është forma e lajmërimit, jo drejtpërdrejt me ndonjë nga ne, kolegët e tij. Veçse ky po bëhet “avaz i zakonshëm”. Që sot filloi të më duket “sëmundja” si një lloj alibie! Mbledhjen e drejtova unë.
Morëm në shqyrtim: 1. Gjendjen financiare të partisë në rrethet Durrës, Krujë dhe Lezhë. Kishim thirrur në mbledhje edhe tre kryetarët përkatës.
2. Diskutuam rreth platformës për riorganizimin e PS-së mbi bazë territori. Diskutimi përfundimtar në KPD ditën e shtunë. Pas mbledhjes së Kryesisë thërras në zyrë Sabitin dhe i them: – Kësaj here do të bisedojmë lidhur me profesionin tuaj të nderuar. Je doktor i mirënjohur, specialist pikërisht për ato sëmundje nga të cilat ankohet kryetari. Pse nuk ke vajtur ndonjëherë ta ekzaminosh dhe ta kurosh?
Ai më tha drejtpërdrejt: – E para, sepse nuk më ka kërkuar ndihmë; e dyta, sepse ai nuk është sëmurë… Dhe si mjek me shumë përvojë solli disa hollësi për të vërtetuar konkluzionin. Kjo më shqetësoi edhe më tepër, tashmë në një rrafsh tjetër, atë etik, por edhe politik e konspirativ duke e lidhur me Crosse the Bridge-in e një viti më parë…!
I kërkoj zyrtarisht (dhe shoqërisht, kuptohet) që t’i shkojë në shtëpi, ta vizitojë dhe të na thotë përfundimin. – Nëse është sëmurë, ta ndihmojmë… Kështu dhe u bë. Më pas ai më tregoi me hollësi takimin me Xhinën, hezitimin e saj, vajtjen e saj për të marrë miratimin e Fatosit, për dhomën e errësuar nga perdet e trasha, për vizitën e zgjatur…
– Ç’të them, o profesor. I thashë që vija me porosinë tuaj e të Kryesisë, pranoi ta vizitoja si mjek dhe them me bindje se e vetmja sëmundje e tij është dehja. Rri gjithë natën duke pirë dhe të nesërmen vuan për gjumë. Dhoma që qelbej nga era e alkoolit fliste vetë. E falënderova doktor Sabitin dhe me vete mendova: ja dhe një tregues që Crosse the Bridge funksionon…!
E MARTË, 17 DHJETOR 1992
Mbledhja e Kryesisë Ekzekutive (Fatosi, unë, Gramozi dhe Namiku), për të informuar Fatosi mbi vizitën në SHBA e Itali 29 nëntor-7 dhjetor 1991. Siç kishim rënë dakord me Fatosin, sot do të diskutojmë për takimin misterioz në Uashington. Në fillim pozova shqetësimin:
– Në momente kritike e tepër të rëndësishme kur duhen marrë vendime dhe duhet vepruar menjëherë, kryetari ose thotë “jam sëmurë” ose shkon jashtë vendit.
Konkretisht: në krizën e Qeverisë së Stabiliteti nuk ishte në mbledhjen e qeverisë më 29 nëntor 1991, mora pjesë unë dhe Namiku, partitë e tjera përfaqësoheshin me kryetarët; më datën 3 dhjetor 1991 te Presidenti shkova unë; më datën 4 dhjetor 1991 përsëri në mbledhjen e Qeverisë shkova unë, se Fatosi nuk ishte.
Na u tha se është në një takim me Kraksin, por takimi po zgjatej gati 10 ditë. R. Alia më telefonon në atë situatë të jashtëzakonshme dhe habitet që unë nuk dija gjë për udhëtimin e Fatosit! Sot ne duam të dëgjojmë të vërtetën, sepse për më se një vit plot mistere janë mbajtur të fshehta për ne drejtuesit e PS-së dhe kolegët e tu.
Fatosi pranoi se ka gabuar që nuk na ka vënë në dijeni për të vërtetën dhe filloi të thotë ato që kam shënuar në ditarin e dt. 8 dhjetor 1992, me përjashtim të parullës: Crosse the Bridge! Pas një pauze, folën Namiku dhe Gramozi. Të dy shtruan pyetjen si është e mundur që nuk e bisedove një gjë të tillë, nëse e quaje një lloj “halli”?
Sot, shtoi edhe një person të tretë (më duket një mjek, Shpëtim Telegrafi) që e paska ndihmuar në dy-tri raste duke i dërguar prej Amerike me faks ato që bënte S. Berisha këtu apo jashtë. Pra, donte të ruante atë, prandaj nuk paska folur. “Sa më thellë më ruda”- thoshte Nastradini!
Menjëherë shton:
– E quaja diçka që kaloi, prandaj nuk ju thashë gjë! Këtu e ndërpreva duke e pyetur:
– Po të mos e kisha marrë vesh si thashethem, a do të vazhdoje ta mbaje të fshehtë?
– Po, tha pa mëdyshje!
– Po telefonatat pas mesnate a do të të linin të qetë?! Më shumë se një pikëpyetje. Rast pa precedent. Qoftë rast i izoluar vetëm me Fatosin! (Kuptohet, nuk duhet të ngutemi, mendova, për ta shtrirë më tej informimin rreth kësaj çështjeje, apo për të marrë ndonjë masë, se do të dukej sikur po shohim kudo, njëlloj si në të kaluarën armiq, spiunë e komplote.
Veçse edhe ta mbyllësh, nuk e mbyll dot. Shumë gjëra le t’i mbeten kohës dhe gjykimit mbi bazën e pasojave që mund të na ndodhin… Kam bindjen se një konspiracion i tillë “është i qepur keq” dhe do të zbërthehet doemos nga ngjarjet që do të vijnë…!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al