Kompania kontraktuese që merret me menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve në qarkun e Fierit, ka reaguar lidhur me disa denoncime të bëra publike për djegien e plehrave në këtë qytet.
Përmes një deklarate zyrtare, kompania “Integrated Technology Waste Treatment Fier” i ka konsideruar të pavërteta këto informacione.
Ajo bën me dije se vend depozitimi i mbetjeve është në funksion në përputhje me ligjin në fuqi dhe vijon aktivitetin e saj që prej datës 7 maj 2020.
Gjithashtu Shoqëria nëpërmjet kësaj shkrese njofton, se është pajisur me leje Mjedisi të Tipit A e nevojshme për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Kompania thotë se landfilli është i gatshëm për të pritur depozitimin e mbetjeve urbane në Fier.
Deklarata e plotë:
Ditët e fundit në media janë publikuar lajme të pavërteta në lidhje me Zonën e Trajtimit të Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier. Akuzat se kjo zonë e Trajtimit të Mbetjeve është bërë shkak për situatën e krijuar në vend grumbullimin e vjetër të mbetjeve urbane në Qarkun e Fierit janë të pabaza, ndikojnë në dezinformimin e publikut dhe janë në dëm të së vërtetës
Shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k ka nënshkruar në dt.24/10/2016 kontratën konçesionare me Nr.5553/5 prot. “Për Ndërtimin e Administrimin e Impjantit të Trajtimit të Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier dhe Prodhimin e Energjisë” me autoritet kontraktues Ministrinë e Mjedisit (kaluar në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë).
Në dt 07/05/2020 Shoqëria i është drejtuar me shkresën zyrtare me Nr. Prot. 27 Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Bashkisë Fier ku njofton, se vend-depozitimi i mbetjeve urbane të qarkut Fier, është në funksion dhe operativ si dhe në përputhshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi dhe me standarte të larta ndërkombëtare. Gjithashtu Shoqëria nëpërmjet kësaj shkrese njofton, se është pajisur me leje Mjedisi të Tipit A e nevojshme për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Në dt. 07/05/2021 shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” i është drejtuar sërish këtyre dy institucioneve, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Bashkisë Fier referuar njoftimit me Nr.Prot.27 dt. 07/05/2020 duke bërë me dije se Landfilli është gati për të pritur depozitimin e mbetjeve urbane të gjeneruara nga pastrimi i territorit të Bashkisë Fier, por dhe Njësive të tjera Administrative të Qarkut Fier. Duke përfituar nga ky komunikim publik sqarojmë se Impjanti i Trajtimit të Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier është një Vepër e përfunduar brenda afateve të parashikuara në kontratën konçesionare dhe është ndërtuar me standartet më të larta të Bashkimit Evropian.
Prej disa ditësh, qytetarë të shumtë në Fier kanë denoncuar djegien e mbeturinave pranë zonave të banuara. Për këtë situatë kanë reaguar deputetë të zgjedhur të PD-së dhe LSI-së duke dënuar këtë aktivitet.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al