Djemtë e Sofia Zengos: Një muze për pikturën e nënës

Jul 7, 2015 | 14:06
SHPËRNDAJE

Ato nuk patën kurrë një studio të tyren për të punuar. Pikturuan në shtëpi, në kuzhinë, nën avujt e gatimit, ku era e bojës së freskët përzihej me ato të shtëpisë. Sofia e Androniqi Zengo, të parat piktore shqiptare, u ngrysën në Korçë, në një jetë modeste, pa përfituar asnjë privilegj nga sistemi i shkuar, ndërsa sot vepra e tyre ruhet në kushte jo fort të favorshme. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së artistes korçare, Sofia Zengo Papadhimitri, në Galerinë Kombëtare të Arteve u hap dje një ekspozitë me 86 vepra të përzgjedhura nga koleksioni i familjes Papadhimitri, koleksioni i GKA dhe një koleksion privat. Një galeri portretesh të njerëzve, që piktorja i ndeshte në jetën e saj të përditshme apo imazhe që i ishin ngulitur thellë në kujtesë, qysh nga koha e shkollë. Për herë të parë në ekspozitë shfaqet edhe një cikël vizatimesh në karbon.

“Sofia Zengo Papadhimitri është një piktore që mua personalisht më kujton artistët më të shquar të Akademisë ‘Albertini’ në Torino, të Akademisë së Brerës në Milano, pra janë disa referenca që mua më çojnë në Itali, me artistët italianë të viteve 1900. Ndihemi vërtet të lumtur, që GKA sjell në ekspozitë këtë artiste, e cila bashkë me motrën e saj, Androniqi Zengo Antoniu, janë piktoret e para profesioniste në historinë e artit pamor shqiptar. Në veprat e Sofias vëmë re se qëndrimi artistik, kërkimi që ka te figura njerëzore, te portreti, te psikologjia e imazhit, është një qëndrim elegant europian për kohën”, tha drejtori i GKA-së, Artan Shabani.

Sipas kuratorit të ekspozitës Ylli Drishti “Sofia Zengo Papadhimitri ka treguar një hulumtim konstant drejt bukurive të natyrës shqiptare, por portreti ka qenë gjinia e preferuar. Ajo konsolidoi dhe mbajti një stil plotësisht realist, duke realizuar me vërtetësi portrete, peizazhe dhe natyra të qeta”. Të pranishëm në konferencën për shtyp, dy djemtë e piktores, Ani dhe Vangjush Papadhimitri, u shprehën se Sofia punonte me një skrupulozitet dhe sakrificë ndaj pikturës dhe artit. “Më vjen keq që as asaj dhe as motrës, Androniqi, nuk iu dha kurrë një studio pikture dhe nëna im pikturoi gjithë jetën në një shtëpi me lagështirë”, u shpreh Jani Papadhimitri. Por edhe sot ende nuk janë siguruar kushte optimale për ruajtjen e trashëgimisë së familjes Zengo. “Mirë do të ishte që shteti të kishte vëmendje që të ishte dhe një muze për këto vepra. Jo se shteti s’e ka pasur vëmendjen, por duke parë këto vepra ka mundësi që të ndihmojë për të krijuar një muzeum ose këtu, ose në Korçë. Ne do të ishim shumë dakord për këtë dhe do t’i linim punët që kemi në pronësi në muze me besim të plotë, që të vizitoheshin nga të gjithë. Nëse do të bëhet një muze kur të mblidhen këto vepra, do të mblidhen dhe të tjera që janë të shpërndara, mund të fotografohen dhe mund të bëhet një fond i plotë për muzeun”, u shpreh djali tjetër i Sofia Zengos, Vangjushi.

Ky ishte edhe momenti i duhur që drejtori Shabani i bënte një apel Bashkisë së qytetit të Korçës për ndërtimin e një pinakoteke, ku të ekspozohen për publikun veprat më të mira të artistëve korçarë. “Do të doja të ftoja Bashkinë e Korçës dhe gjithë bashkitë për sa i përket sensibilizimit të kujtesës së arteve pamore. Mund të realizohet pa ndonjë kosto të madhe financiare një pinakotekë apo muze që të mbledhë artin e gjithë piktorëve të qytetit, në mënyrë që ato vepra që disponojnë familjet e këtyre artistëve, të mos rrinë të mbyllura, por të ekspozohen dhe njihen nga publiku vendës dhe i huaj, duke i bërë mirë artit, por edhe

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura