“Do t’iu ther të gjithë”, dëshmojnë 4 shokët e Marvit që u vra për një karikues

Nov 20, 2018 | 16:30
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Ditën e djeshme, në Gjykatën e Tiranës u zhvillua seanca e radhës ndaj katër të pandehurve, mbi të cilët rëndon akuza e “vrasjes me paramendim”. Bëhet fjalë për rastin e vrasjes së Marvi Mihalit, pas një sherri për një karikues telefoni.

marvi-lapsi-1024x576

Nën akuzë janë Dejvi Bitraj, Eugen Bitraj, Marsel Alla dhe Kridens Alla. Në sallën e gjyqit, ditën e djeshme dëshmuan katër shokët e Marvi Mihalit, duke përfshirë edhe Armend Haxhiun, i cili ishte personi që i shiti telefonin Dejvi Bitrajt. Ai tha përpara Gjykatës se i ishte bërë presion në Polici teksa i merrej dëshmia.

Armend Haxhiu tregoi versionin e tij të ngjarjes, duke thënë se Marvi Mihali tentoi t’i ndante palët në konflikt. “Dejvi Bitrajt i kam shitur një celular, por pa karikues, sepse nuk e kisha me vete atë ditë. Dhe do t’ia jepja më vonë.

Pas momentit që i shita telefonin, nuk pata më kontakt me të sepse u largova me pushime. Kur u ktheva, më mori në telefon Marsel Alla dhe më tha se duhet t’i jepja karikuesin dhe unë i kam thënë që do t’ia jap. Pas kësaj, më ka marrë në telefon vetë Dejvis Bitraj, i cili më foli me tone të ashpra. Jam ndjerë i poshtëruar nga biseda.

Ne u mblodhëm disa çuna për të çuar karikuesin, ose lekët për karikuesin. Vendin se ku do të takoheshim e caktoi vetë Dejvi Bitraj, të cilin e kisha takuar vetëm një herë kur i kam shitur telefonin. Në momentin që i jam afruar Bitrajt, ai ka mërmëritur diçka dhe mua m’u duk se më shau, për këtë e kam qëlluar me grusht.

Pas kësaj, unë nuk i mbaj mend gjërat se si rrodhën dhe vetëm kur e gjej veten në fund të rrugës, pasi më goditën. Pasi jemi ngritur kemi shkuar te Spitali i Traumës se na thanë se ishte plagosur njëri, por aty unë nuk jam futur brenda dhe jam larguar, më pas më ka marrë Policia dhe kam marrë vesh që Marvi kishte ndërruar jetë”, ka thënë ai.

Një tjetër person që dëshmoi në gjyq ishte Xhuljo Memo, i cili tha se atë ditë, Marvi Mihali nuk donte të vinte në takim, por u bind nga Armend Haxhiu. Ai gjithashtu tha në Gjykatë se ka dëgjuar një person me bluzë të bardhë dhe të armatosur me thikë që i kërcënoi se do t’i therte të gjithë.

“Në vendin e ngjarjes gjërat kanë ndodhur shumë shpejt, ndërkohë unë kam parë një person me bluzë të bardhë, i cili bërtiti ‘Unë do t’iu ther të gjithë’”, tha ai. I pyetur për dëshminë në Polici, Memo tha se ishte ndjerë i vënë nën presion nga mënyra se si ishte marrë në pyetje.

Po kështu, në sallën e gjyqit ka dëshmuar edhe Xhoshlin Shata, kushëri i Marvi Mihalit. Ai ka thënë se sherrin e kanë nisur Armend Haxhiu dhe Dejvi Bitraj, ndërsa Marvi Mihali ka ndërhyrë t’i ndajë. Gjithashtu, Shata ka thënë se në Polici i është bërë presion duke iu thënë se “po merrnin shumë persona në qafë”.

“Armendi filloi të konfliktohej me Dejvi Bitrajn, ndërkohë Marvi shkoi që t’i ndante duke u futur në mes. Pas këtij episodi, atë e kanë qëlluar me thikë dhe ai është rrëzuar dhe më pas e kanë qëlluar edhe me shkelma.

Unë mund të them se kanë qenë 3-4 veta me thika, ndërkohë Bitraj ka qenë me një thikë flutur, me të cilën ka qëlluar Marvin. Në Polici më kanë ushtruar presion, kanë thënë që ishim duke i marrë në qafë shumë njerëz”, ka thënë ai. Edhe personi tjetër, Gynter Jaupi, ka thënë se në Polici i është bërë presion dhe se e vërteta është që të katërt personat ishin të armatosur me thikë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura