Dr. VALBONA ZENELI
Para disa ditësh, Banka Botërore botoi raportin e saj “Doing Business 2016”. Në Shqipëri u diskutua për shkak të rënies me 35 pozicione në renditjen e saj, por u kalua lehtë për sa i përket një analize të hollësishme ekonomike. Që prej vitit 2003, kur u prezantua për herë të parë, Doing Business ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm i marrëdhënieve publike. Është e vështirë që ndonjë raport tjetër, ndër qindra të tillë, të tërheqë vëmendjen e medias, bizneseve dhe politikëbërësve më shumë sesa Doing Business. Ndoshta, raporti tjetër që merr një vëmendje po kaq të lartë të opinionit publik është Indeksi i perceptimit të korrupsionit nga “Transparency International”.
Doing Business gjurmon sistemet rregullatore dhe burokratike në të gjithë botën, të cilat mbështesin ose pengojnë zhvillimin e biznesit privat, duke u fokusuar te problemet me të cilat përballen kompanitë. Objektivi i Bankës Botërore, institucionit më të rëndësishëm të zhvillimit ndërkombëtar, është të ofrojë një bazë sa më objektive për të përmirësuar ambientin rregullator të biznesit duke nxitur konvergjencën e praktikave më të mira në ekonominë globale.
PSE DOING BUSINESS ËSHTË I RËNDËSISHËM?
Treguesi i Doing Business është tashmë një mjet i rëndësishëm i komunikimit strategjik të Bankës Botërore me një audiencë të madhe. Kudo në botë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Singapor, Bangladesh apo Shqipëri, njerëzit i pëlqejnë renditjet dhe krahasimet. Së pari, renditjet tërheqin vëmendjen dhe janë të lehta për t’u bluar nga gazetarët, politikanët, bizneset dhe opinion i gjerë publik.
Ato kthehen në një forcë stimuluese për të mobilizuar shoqërinë dhe motivuar reformat në politikat ekonomike. Krahasimet me vendet e tjera, sidomos ato rajonale, janë një tjetër shtysë për reforma. Së dyti, studimi i karakteristikave dhe trendeve në këto renditje, lejon kuptimin e praktikave më të mira në vendet me performancën më të lartë. Vendet e zhvilluara ekonomikisht zënë renditjet më të larta në Doing Business.
Por, në fakt, rezultatet e Doing Business janë të rëndësishme për vendet në zhvillim dhe në tranzicion ekonomik. Një nga gjetjet e “Doing Business 2016” është se më tepër se 60 për qind e ekonomive botërore, sidomos ato në zhvillim, kanë përmirësuar ambientin e tyre të biznesit. Së treti, kriteret e Bankës Botërore për renditjen e Doing Business vlerësojnë vendet, reformat e të cilave krijojnë një ambient biznesi miqësor për nxitjen e rritjes ekonomike dhe zhvillimit. Në vitet e fundit ka pasur disa histori suksesi surprizuese, të vendeve të kanë bërë hapa gjigantë në këto reforma përmirësuese; përmirë- simin e klimës së ambientit. Shembulli më i mirë është Gjeorgjia, e cila renditej në vendin e 8-të, midis vendeve më të zhvilluara në vitin 2014.
Së katërti, Doing Business thekson rolin e rëndësishëm të mirëqeverisjes dhe politikave qeveritare për zhvillimin e biznesit privat. Singapori është performuesi më i mirë në ekonominë globale.
Ndiqet nga Zelanda e Re, Danimarka, Koreja e Jugut, Hong Kongu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Suedia, Norvegjia dhe Finlanda. Është e kuptueshme që cilësia e lartë e institucioneve, niveli i zhvillimit ekonomik dhe teknologjik i bëjnë këto vende tërheqëse dhe të sigurta për investime.
Ekziston një korrelacion i fortë midis treguesit të Doing Business dhe treguesit të perceptimit të korrupsionit të matur nga “Transparency International”. Dihet që niveli i lartë i korrupsionit është një nga problemet më të mëdha për të bërin biznes, duke qenë përgjegjës për rritjen e kostos së biznesit, krijimin e monopoleve, keqmenaxhimin e burimeve natyrore dhe financiare. Të gjitha këto problematika ngadalësojnë zhvillimin ekonomik. Në grafikun e mëposhtëm, vendet që vuajnë nga nivele të larta korrupsioni performojnë më dobët në Doing Business.
Së pesti, megjithëse Doing Business nuk mat të gjithë rrezen e faktorëve, politikave ekonomike dhe institucioneve që afektojnë konkurrueshmërinë ekonomike të një vendi, ekziston një korrelacion i fortë pozitiv midis treguesit të Doing Business dhe indikatorit të konkurrueshmërisë globale që matet çdo vit nga Forumi Ekonomik Botëror. Siç vihet re edhe nga grafiku, vendet të cilat renditen më mirë në Doing Business, kanë edhe një konkurrueshmëri më të lartë globale.
HISTORIA E DY VENDEVE: GJEORGJIA DHE MAQEDONIA
Gjeorgjia përfaqëson rastin më të suksesshëm botëror të përmirësimit të klimës së biznesit, duke u ngjitur nga vendi i 112- të në vitin 2006, në vendin e 8-të në 2014-n. Kjo është arritur si rezultat i reformave për lehtësimin e ambientit të biznesit, liberalizimit të ekonomisë dhe zhvillimit të biznesit privat, që prej viti 2004.
Këto masa sollën rezultate të suksesshme, duke thithur flukse të larta investimesh të huaja, të cilat u bënë nxitësi kryesor i zhvillimit ekonomik. Stoku i investimeve të huaja në Gjeorgji ishte vetëm 423 dollarë për frymë në vitin 2004, dhe u rrit më shumë se pesë herë duke arritur në 2,833 dollarë në vitin 2014. Si rezultat, në vetëm 10 vite, të ardhurat për frymë në Gjeorgji u trefishuan nga 1,135 dollarë në 2004-n, në 3,699 dollarë në vitin 2014.
Gjeorgjia nuk përmirësoi pozicionin e saj vetëm në raportin e Doing Business, por është edhe performuesi më i suksesshëm në reduktimin relativ të korrupsionit, duke u renditur në vend të 50-të në vitin 2014, nga vendi i 113-të në vitin 2004. “Doing Business 2016” përfaqëson një tjetër rast surprizë, ai i Maqedoninë, e cila është përmirësuar nga vendi i 99-të në vitin 2006 në atë të 12-të këtë vit.
Është interesante të shikohet se si reformat e ndërmarra në Maqedoni për lehtësimin e klimës së biznesit do të ndikojnë në thithjen e investimeve të reja në vend në vitet që vijnë. Së fundmi, Doing Business është një mjet shumë i mirë për t’u angazhuar në marketingun ndërkombëtar. Vendet harxhojnë buxhete të larta për agjenci investimesh, mesazhe promocionale për thithjen e investimeve, panaire apo forma të tjera për të komunikuar me biznesin serioz ndërkombëtar.
Sigurisht, çdo përmirësim apo dështim i vendeve në renditjen e Doing Business merr vëmendjen e duhur të institucioneve dhe bizneseve ndërkombëtare. Për mirë apo për keq, qoftë kjo vëmendje.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al