Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar një ditë më parë Drejtoreshën e Përgjithshme të IKMT-së, Dallëndyshe Bici se kjo e fundit mban afër saj dhe promovon në institucionet e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit persona me precedent penal.
Denoncimi i publikuar nga ish-kryeministri ka ardhur nga ‘qytetari dixhital’ bashkë me foton e përgjegjësit të IKMT-së, i cili pozon afër Dallëndyshe Bicit.
“Bici partisë ka pasion për trafikantët. Ajo i punëson ata me zell të madh! Lexoni denoncimin dhe shikoni foton e qytetarit dixhital. Përshëndetje Doktor. Po ju përcjell një informacion. Personi që po ju çoj ne foto dhe që është realisht nr.2, njeriu me i afërt dhe i besuar i D.Bicit të IKMT quhet Vilson Lalaj dhe është nga Kuçi i Vlorës. Ky shtetas gjatë kohës që ka qenë i punësuar në Komunën Hor Vranisht është arrestuar nga Prokuroria e Vlorës dhe konkretisht nga Prokuroria Dorian Tafili për Trafikim Narkotikësh. Ka bërë disa vite burg rreth viteve 2005 ose ndoshta pak më mbrapa! Është informacion 100% i saktë”, thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.
KUSH ËSHTË VILSON LALAJ
Vilson Lalaj me detyrë përgjegjës sektori në IKMT-në e Vlorës është shkarkuar nga detyra me urdhër të vetë Dallëndyshe Bicit në vitin 2018.
Në shkresën e siguruar nga Gazeta Panorama.al, thuhet se: “Z.Vilson lalaj, aktualisht më detyrën “Përgjegjës Sektori në Sektorin (Dega) Vlorë, në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, lirohet nga detyra për një veprim të kryer pa shkaqe të arsyeshme, i cili është në konflikt me rregullat etikës që e diskrediton punëmarrësin ose institucionin pavarësisht nëse kryhet brenda ose jashtë zyrës”.
“Marrëdhëniet e punës dhe ato financiare, i ndërpriten në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit më datë 21.09.2018.
Ngarkohet Drejtoria e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse (Sektori i Financës/Buxhetit dhe Sektori i Burimeve Njerëzore) të kryejë veprimet e nevojshme.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në urdhrin e firmosur nga Dallëndyshe Bici në vitin 2018.
Por ajo që bie në sy është fakti se Vilson Lalaj pasi u shkarkua nga IKMT e Vlorës “për diskreditim të imazhit të institucionit”, ai është emëruar në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe është transferuar në Tiranë.
Vilson Lalaj është emëruar me rritje në detyrë nga Vlora si përgjegjës sektori në IKMT-në e Tiranës.
Ajo që bie në sy është fakti se nuk është publikuar online formulari i tij i dekriminalizimit.
Ndërkohë që sipas pagave të muajit prill 2021 ai merr një pagë bruto prej rreth 60 mijë lekë në muaj dhe figuron të ketë në emrin e tij një makinë të modelit “Daimler Chryles”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al