Doracaj: Deri në 31 dhjetor do kemi sistem të plotë adresash

Jul 25, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, besoj se deri në fund të vitit do të ketë përfunduar procesi i adresave, ku nga lista e zgjedhësve nuk do të ketë më qytetarë me kodin 999 apo 888. Regjistrimi i popullsisë do të bëhet derë më derë, ndërsa të gjitha aktet ligjore janë gati për këtë proces.

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj

Për kreun e Gjendjes Civile, regjistrim do të ketë dhe të emigrantëve kudo që janë për të pasur një pasqyrë të saktë se sa janë emigrantët tanë jashtë shtetit dhe ku banojnë ata.

Regjistrimi i emigrantëve, sipas Doracajt, do të bëhet online, por dhe duke u paraqitur pranë konsullatave, dhe nuk do të lejojë më që vendime gjyqësore të humben prej tyre në mungesë për shkak se nuk gjendej adresa e banimit.

Ai parashikon dhe një sërë shërbimesh, të cilat do të lehtësojnë jetën e emigrantëve, si për shembull, shmangia nga taksat vendore për sa kohë ata nuk jetojnë në Shqipëri. Zyrat e Gjendjes Civile janë përfshirë dhe në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Sipas Doracajt, po bëhet verifikimi i 140 deputetëve të Kuvendit dhe 61 kryetarëve të bashkive, nëse ata kanë ndryshuar emrat ndër vite, por dhe për nëpunësit e shërbimit civil.

Ju jeni duke nisur një proces të plotë regjistrimi të popullsisë, i cili do të sillte fshirjen nga listat zgjedhore të votuesve me adresë të paidentifikuar apo me kodin 999. Ka nisur ky proces?

Është hera e parë në këta 25 vjet që ka një iniciativë serioze të qeverisë shqiptare për të bërë një sistem funksional adresash në Republikën e Shqipërisë. Në këto vite ne nuk kemi një sistem funksional adresash dhe rëndom kemi dëgjuar kur duam të përcaktojmë një adresë me emra tashmë popullorë, “Pallati me shigjeta”, “Oxhaku” apo “Karburant X” etj. Ky ka qenë një nga prioritetet e qeverisë dhe premtimet e saj ku ka qenë dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i ministrit Tahiri dhe kryeministrit, dhe sot jemi në fazën përfundimtare. Autoriteti i përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave është në fazën e vlerësimit të ofertave dhe ka qenë një garë ndërkombëtare. Objektivi ynë është që brenda 31 dhjetorit 2016, ne të kemi një sistem adresash.

Çfarë do të thotë një sistem adresash me VKM-në e fundit?

Do të thotë që emri i një shtetasi do të ketë një numër unik në dokumentin e identifikimit apo në certifikatë, apo në regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile, i cili i korrespondon një numri unik adrese dhe jo më një adresë të papërcaktuar. Përveç adresës së shtetasve, për herë të parë ne do të kemi edhe një sistem shumë të mirë adresash dhe të biznesit, të cilat do t’u vihen në dispozicion autoriteteve. Për Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile muajt gusht deri në dhjetor, deri në përmbushjen e detyrimit, do të jenë muaj pune intensive.

Si do të kryhet në terren ky proces?

Në fakt, qëllimit të ngritjes së një adresari të plotë i bashkohet dhe qëllimi i një tjetër enti, OSHE-së, i cili do të bëjë regjistrimin e abonentëve të tij dhe ky proces do t’u shërbejë të dy institucioneve dhe është OSHE-ja që po merret dhe me procedurat e tenderimit.

Një qytetar do të jetë i regjistruar mbi bazë qarku, bashkie, njësie administrative blloku, si do të kryhet kjo?

Për të rritur bashkëpunimin në projektligj, është përcaktuar modeli i adresave ku janë të gjitha elementet që ju përmendët, qarku, bashkia, njësia administrative, fshati për zonat rurale, rruga, pallati apo ndërtesa, hyrja dhe nr. i banesës. Ky është modeli që ne mendojmë se është funksional, duke dhënë informacion të saktë për shtetasit. Ndryshime ligjore që janë parashikuar vënë para një përgjegjësie edhe më të madhe të zgjedhurit vendorë, duke i dyfishuar gjobat nëse ata nuk përmbushin detyrimin ligjor që i kërkon ligji.

Ka pasur në të shkuarën detyrim ligjor që penalizonte zyrtarin nëse nuk përmbushej?

Po, ka pasur detyrim ligjor që kryetari i bashkisë, i cili nuk përmbush detyrimin për emërtimet e rrugëve dhe shesheve të njësisë administrative që mbulon, të gjobitej me 50 mijë lekë të reja, ne në draftin e ri e kemi çuar në 100 mijë lekë të reja. Për zyrën e urbanistikës, që është pjesë e administratës së bashkisë, gjoba shkonte në 30 mijë lekë të reja dhe ne kemi propozuar 50 mijë lekë të reja, në mënyrë që edhe ata të ndërveprojnë në këtë proces. Janë parashikuar edhe raste ekstreme kur nga organet e pushtetit vendor nuk do të përmbushet ky detyrim, kjo kompetencë i kalon institucionit të prefektit.

Sa është numri i popullsisë dhe sa është numri i zgjedhësve pa adresë fikse dhe çfarë pritet përmes këtij ligji?

Deri në fund të muajit qershor, qytetarët e Republikës së Shqipërinë janë 4.415.000. Sa u takon zgjedhësve pa adresë, mund të them se që prej 2010-s në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile nuk ka ardhur asnjë vendim i Këshillave bashkiakë apo komunalë, të cilët ndryshonin apo emërtonin një rrugë, një shesh, një park dhe si i tillë regjistri i adresave ka që në 2010-n që nuk është azhornuar me ndryshimet. Kështu që duke rritur këtë ndërveprim dhe duke bërë një sistem adresash nëpërmjet trokitjes derë më derë të çdo apartamenti, ne do të bëjmë që numri i zgjedhësve me 999, 888 dhe 000 të shkojnë në zero. Aktualisht kemi rreth 300 mijë shtetas me adresë të paidentifikuar. Objektivi ynë është që deri në 31 dhjetor, të gjithë shtetasit të kenë një adresë funksionale.

Është folur për përfshirjen e emigrantëve në zgjedhje, por nuk dimë me saktësi se ku ndodhen dhe sa ndodhen. Do të ketë edhe për ta një regjistrim?

Nuk e di të them se sa emigrantë do të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por ajo që di t’ju them se është një prioritet i qeverisë shqiptare të dimë sa dhe ku jemi. Kemi dëgjuar shpesh që flitet për 1.5 apo 2 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë. Ne kemi miratuar para pak kohësh një ligj për regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Është një proces, i cili ka vetëm aktin ligjor për miratim, një VKM që besoj se do të kalojë shumë shpejt.

Si do të bëhet konkretisht i emigrantëve tanë jashtë, përmes ambasadave apo konsullatave tona jashtë?

Do të jetë një shërbim online që kushdo nga shtëpia mund të plotësojë formularin e vetëdeklarimit, duke dhënë të dhënat dhe adresën e tij. Është një detyrim i shtetit shqiptar të bëjë verifikimin e adresës së vetëdeklaruar dhe për këtë janë parashikuar hapat që do të ndiqen. Ndërkohë që nuk është përjashtuar as vetëdeklarimi fizik, që do të thotë që një shqiptar që jeton jashtë, të paraqitet fizikisht në zyrën konsullore tonën dhe të plotësojë formularin, si dhe të dorëzojë një kopje të një dokumenti që vërteton adresën ku ai banon, por mund të plotësohet formulari dhe në zyrat e Gjendjes Civile, në Shqipëri, kur ata kthehen apo dhe në pikat kufitare ku ata kalojnë.

Nëse nuk deklarojnë apo vetëdeklarojnë adresën e tyre, do të ketë penalitete për shërbimet që ata do të kërkojnë nga zyrat konsullore të shtetit shqiptar?

Unë nuk besoj se do të ketë shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë që të mos vetëdeklarohen, pasi kjo nuk është vetëm në interesin e shtetit, por dhe në interesin e tyre që ata të vetëdeklarojnë adresën. Sepse ne shumë shpejt do t’i kërkojmë Parlamentit të bëjë disa ndryshime ligjore. Që shtetasi shqiptar që jeton jashtë territorit të Shqipërisë për një periudhë të caktuar, nuk ka pse paguan taksat lokale në Shqipëri. Kjo është në interes të tyre. Por kemi dhe seanca gjyqësore ku emigrantët janë pjesë e tyre dhe ata nuk gjenden dot për shkak të mungesës së adresës. Ata i humbin gjyqet vetëm pse nuk lajmërohen dot për shkak të adresës së munguar. Edhe nga ky aspekt emigrantët do të jenë të interesuar. Bashkë me Ministrinë e Inovacionit po listojmë një sërë shërbimesh që këta shtetas të përfitojnë disa shërbime online atje ku janë pa qenë nevoja të vijnë në Shqipëri që t’i marrin ato. Dua të jap dhe një informacion me këtë rast që nga data 02.07.2016, zyrat e Gjendjes Civile në të gjitha bashkitë janë urdhëruar të mbajnë hapur sportelet për t’u shërbyer qytetarëve. Kjo është bërë në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit dhe kompaninë “Aleat”.

Ligji për dekriminalizimin ka nisur të zbatohet. Zyrat e Gjendjes Civile ku gjenden në zbatimin e tij?

Unë mund t’ju them se ne jemi një nga institucionet që ligji na ngarkon për të vërtetuar gjeneralitetet e deklaruara nga subjektet që janë objekti i ligjit të dekriminalizimit, duke bërë vërtetësinë e të dhënave për personin në fjalë. Janë dy momente, momenti i parë është që ne bëjmë vërtetësinë e të dhënave në regjistrin elektronik të Gjendjes Civile, që është një fotografim i çastit, për të cilat ne u kemi kthyer përgjigje menjëherë institucioneve që na janë drejtuar. Dhe e dyta, është një fotografin i të dhënave historike të shtetasit që është objekt i vetëdeklarimit, që do të thotë marrim më shumë kohë për t’iu drejtuar 36 zyrave të arkivit të Gjendjes Civile për lëvizjet që ky shtetas ka bërë historikisht, ndryshimin e gjeneraliteteve që ai mund të ketë bërë ndër vite.

Cilat janë institucionet që u janë drejtuar me kërkesa?

DAP është institucioni që ka bërë më shumë kërkesa në drejtorinë tonë, për shkak të numrit më të madh të nëpunësve që ajo verifikon, por dhe KQZ ka kërkuar të dhëna për 140 deputetë e Kuvendit, 61 kryetarët e bashkive dhe këshilltarëve bashkiakë. Kemi një grup pune në drejtorinë tonë që merret vetëm me verifikimin e të dhënave të vetëdeklaruara dhe deri tani mund të them se jemi në fazën përmbyllëse, pasi kemi dërguar më parë informacionet e para KQZ-së për 140 deputetët dhe 61 kryetarë bashkish.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura