Dosier/ Enver Hoxha, urdhëruesi i vrasjeve në Tiranë pas themelimit të Partisë Komuniste! Atentati i parë, Kajo Korafili vrau në mes të qytetit dhe në sy policëve Beqir Kazazin

Mar 12, 2024 | 16:04
SHPËRNDAJE

NGA AFRIM IMAJ/ Mbledhja themeluese e Partisë, që u zhvillua më 8 nëntor 1941 në Tiranë, nuk zgjodhi kryetar, por një Komitet të Përkohshëm. Aty Enveri mori pjesë si delegat i grupit të Korçës.

Enver Hoxha e udhëheqës te tjerë komuniste ne shtëpinë ku u them themelua Partia Komuniste Shqiptare
Enver Hoxha e udhëheqës te tjerë komuniste ne shtëpinë ku u them themelua Partia Komuniste Shqiptare

Përpos pohimeve të kundërshtarëve politikë të regjimit komunist dhe dëshmitarëve të tjerë, një fakt i tillë konfirmohet zyrtarisht edhe në një dokument autentik të KQ botuar në vitin 1946. Libri “Enver Hoxha, biografia”, që qëndroi në qarkullim vetëm disa muaj, sjell një histori disi ndryshe nga ajo që është artikuluar më vonë nga propagandistët e zellshëm dhe vet diktatori.

“Konferenca e parë e grupeve (komuniste-shënim i red.), shkruhet tekstualisht në dokumentin e panjohur, u mblodh në Tiranë në terrorin e math t’armikut dhe zgjodhi Komitetin Central Profizor të Partisë. Enveri ishte aty delegat i grupit të Korçës mes shokëve të tjerë, Qemal Stafa, Koçi Xoxe, Kristo Themelko, Tuk Jakova e Vasil Shanto”. Ndryshe nga çfarë është artikuluar më vonë për aktet e mbledhjes themeluese, biografia e parë e Enverit pohon faktin që “trakti i parë i Komitetit Central Provizor që lëshoi kushtrimin e luftës pa kompromis kundra okupatorit dhe shërbëtorëve të tij u redaktua nga Qemal Stafa”.

Në pjesën tjetër ku shtjellohen rrethanat e krijimit të PKSH-së dhe veprimet e para të saj, dallon përkujdesja e autorëve për të veçuar qëndrimin e rreptë të Enverit ndaj kundërshtarëve politikë, ku futen “devijatorë”, “arqiomarksistë”, “trockistë”, “antiparti” “puthadorë të të huajit” etj. Likuidimi fizik i tyre nënvizohet te “Biografia…” si merita më e lavdishme e aktivitetit të Enverit në periudhën e ilegalitetit. Në morinë e argumentave të kësaj qasjeje, biografishkruesit e Enverit përmendin kryqëzatën ndaj Aristidh Qëndros, Niko Xoxës, Anastas Lulës e Sadik Premtes, por edhe raste të tjera ku urdhri i Hoxhës ka qenë fatal për dhjetëra të tjerë të shpallur prej tij si elementë të rrezikshëm. Pjesa në vijim fokusohet në fillesat e miqësisë me Titon dhe Jugosllavinë….

afd

* * *

Enveri s’mund të qëndronte më në Korçë. Me urdhrin e qendrës së grupit të Korçës ay transferoi aktivitetin e tij në Tiranë. Kjo ishte e nevojshme jo vetëm për të fshehur gjurmët.

Në Tiranë, pas shumë kohe pa punë, ay gjeti sa për sy e për faqe një dyqan, dyqanin me emrin “Flora” në Rrugën e Dibrës, i cili u bë shumë shpejt qendra e pjekjeve të vazhduara me shokët që drejtonin dhe organizonin lëvizjen. Tentativat ishin të sqaroheshin mirë grupet e ndryshme në Shqipëri, të hidheshin poshtë pikëpamjet e gabuara, të braktisnin grindjet midis tyre, dhe të bashkoheshin në një parti të vetme, konditë për organizimin e luftës. Duhesh luftuar ashpërisht trockisti Aristidh Qëndro dhe arkeo-marksisti Niko Xoxa, të cilët bënin çmos që grupet e ndryshme të vazhdonin luftën me njëri- tjetrin. Duheshin përpjekje, tratativa për arritjen e këtij bashkimi, për të cilin Enver Hoxha kishte vënë gjithë përpjekjet e tij…

Ushtarët shqiptarë të inkuadruar me forcë nga italianët dezertojnë nga fronti grek, ata përqendrohen nga kampet e Shijakut. Enver Hoxha shkruan traktin ku i bën apel ushtarëve shqiptar t’internuar aty të hidhen në male. Ay shpërndahet nëpërmjet rreziqeve të mëdha nga Mihal Duri dhe Misto Mame. Shumë prej këtyre ushtarëve u hodhën në mal, patriotë të tjerë muarën po këtë rrugë ose bënë jetë ilegale nëpër qytete. Lufta e armatosur kishte filluar. Andej nga marsi 1941 Komiteti drejtonjës i grupit komunist të Korçës merrte vendim të dërgoheshin komunistët e parë në male për të organizuar çetat. Po në atë kohë, në rrethet e Pezës, Myslym Peza me një tok katundarë binte në përpjekje me fuqirat kuislinge të Shefqet Vërlacit. Pas kësaj përpjekjeje, Enveri shkon vet të takojë Myslym Pezën. E takon natën në pyll, atje afër Dajanit, ku më vonë do bjerë duke luftuar heroikisht shoku i tij i vjetër, Mihal Duri.

Enveri i shpjegon Myslym Pezës qëllimet e luftës, ashpërsinë e saj dhe nevojën e organizmit të rezistencës. Myslym Peza e pranoi: “Jam me juve, tha, se ju komunistat jini të popullit”. Që atëherë u thirrën nga Korça komunistët: Gjin Marku, Themeli etj. Qëllimi ishte të forcohej sa më parë çeta e Myslym Pezës, të krijoheshin çeta të tjera, t’organizoheshin njësitë në qytete, të goditej okupatori në katër anët, të skjarohet populli me anë të traktatesh, të grumbulloheshin sa më shumë armë për të furnizuar çetat. Grupet e tjera komuniste vepronin po njësoj. Qemal Stafa, i ndjekur nga policia, nëpërmjet rreziqesh shkon dhe takon Myslym Pezën. Vasil Shanto, i veshur si hoxhë për të gënjyer spiunët e fashizmit që e ndiqnin këmba-këmbës, përgatitë sabotazhe, Kristo Themelko (Shule) i ndjekur nga policia, organizonte punëtorët për rezistencë.

Pas shumë përpjekjesh dhe aksionesh të ndryshme, që vazhduan gjatë pranverës 1941, arrihet me mundim krijimi i një komisioni të përbashkët të grupeve komuniste për të drejtuar aksionet. Të gjithë ishin për aksione, me përjashtim të krerëve të grupit të të rinjve, Anastas Lula e Sadik Premte. Ky komision për të filluar punën e tij mori vendim për bërjen e demonstratës së 28 tetorit në Tiranë. Demonstrata u kthye në ndeshje me karabinjerët fashistë. Ajo vazhdoi gjer në fund me suksesin më të madh. Që në atë ditë, jeta legale për Enverin u bë e pamundur. Me vendim të komitetit të grupit të Korçës, ai hidhet në ilegalitet.

Suksesi i demonstratës së 28 tetorit solli enthuziazmë në popull dhe forcoi besimin në shumë anëtarë të grupeve të tjera komuniste. Konditat për bashkimin e grupeve po arriheshin. Nga ana tjetër, ngjarjet ndërkombëtare e shpejtonin këtë gjë. Popujt fqinjë të Jugosllavisë kishin rënë dhe ata nën zgjedhjen e rëndë fashiste dhe atje lufta e armatosur partizane kishte filluar. Gjermania hitleriane, duke shkelur tradhtisht traktatin e miqësisë e të mossulmimit me Bashkimin Sovjetik, kishte sulmuar atdheun e sovjetëve. Një forcë tjetër e madhe kish hyrë kështu në luftë kundër forcave t’errëta fashiste. Kjo sillte shpresa të mëdha për fitoren dhe nga ana tjetër, demaskonte teoritë e gabuara të tradhtarëve, Anastas Lolos dhe Sadik Premtes.

Koha s’priste më. Duhesh nxiur në përpjekje për bashkimin e grupeve, për krijimin e një Partie të vetme me element më të sprovuar, më besnik, që të ishte në gjendje të organizonte dhe të drejtonte rezistencën në popull, ta çonte përpara dhe ta lidhte me lëvizjet antifashiste të popujve të tjerë. Më 8 nëndor 1941, nën terrorin më të math t’armikut që gjurmonte pa reshtur dhe lëvizjet më të vogla të patriotëve, mblidhet në Tiranë Konferenca I e grupeve. Enveri ishte delegat i grupit të Korçës. Në mes të shokëve të tjerë ndodheshin Qemal Stafa, Koçi Xoxe, Kristo Themelko, Tuk Jakova, Vasil Shanto etj. Pas diskutimesh për të sqaruar pikëpamjet e gabuara, u formua Partia Komuniste Shqiptare, dhe nga mbledhja dolli Komiteti Central Provizor i partisë. Të gjitha grupet u shkrinë. Trakti i parë i Komitetit Central Provizor që lëshoi kushtrimin e luftës pa kompromis dhe pa rezerva kundra okupatorit dhe shërbëtorëve të tij u reduktua prej Qemal Stafës.

Duhej organizuar Partia në Tiranë, në qendrat e tjera të Shqipërisë dhe nëpër fshatra. Punë e vështirë nën terrorin e madh fashist. Gjithë shokët e Komitetit Central Provizor me heroizëm kanë shkuar në të gjitha qendrat e Shqipërisë dhe kanë organizuar partinë me frymën e re dhe simbas vendimeve të Komitetit Central Provizor. Enveri qëndroi në Tiranë për organizmin e drejtimin e punës në kryeqytet. Ay shkonte celulë më celulë për të çuar drejtimin e partisë, për të konsoliduar organizmin, për të luftuar pikëpamjet anti-marksiste të disa elementëve dhe sidomos t’Anastas Lulos dhe Sadik Premtes, të cilët luftonin kundra vendimeve dhe vijës së Komitetit Central Provizor. Ky ishte rreziku më i madh për Partinë e prosaformuar prej grupeve të ndryshme. Këtu duhej përgjuar, organizuar fort dhe luftuar të tilla pikëpamje anti-parti.

Enveri i kishte parasysh të gjitha këto në punën e tij që zhvillonte në Tiranë, ku Anastas Luloja kishte qendrën e veprimtarisë së tij. Nga ana tjetër, Partia i vuri për detyrë vetes të popullarizonte ushtrinë e lavdishme të kuqe dhe të bënte të njohur në popull ç’ishte Bashkimi Sovjetik. Armiqtë do ta përdorin këtë për të akuzuar Partinë t’onë të shitur te sovjetikët. Enveri në Tiranë, si dhe gjithë shokët e tjerë në qarqe bëjnë konferenca të panumërta me patriotë të ndryshëm për t’u spjeguar këtyre qëllimet e partisë dhe detyrat në ato momente. Partia u ngre me të gjitha forcat e saj kundër dallaveres dhe oportunizmit të “patriotëve të traditës” që e kishin trajtuar Shqipërinë gjithnjë si plaçkë tregu për interesat e tyre dhe për shtypësit imperialistë. Partia u ngre kundër shtypjes shekullore, paragjykimeve dhe angazhimit fetar, që se kishin lënë kurrë popullin të bënte një hap përpara. Partia shkoi në fshat për të ngjallur patriotizmin në katundarët dhe për t’i hedhur këta në luftë. Me shtyp, me propagandë klandestine, t’organizuar, Partia demaskoi manovrat e politikës së armikut, propagandën e tij, demagogjinë dhe qëllimet e tij, mobilizoi për luftë masat e gjëra të popullit, në radhë të parë punëtorët, katundarët dhe të rinjtë, i edukoi politikisht, i bëri koshjentë të situatës dhe të të drejtave të tyre që nuk mund të fitoheshin veç se me luftë dhe me sakrifica.

Formimi i Partisë ishte siguria më e madhe në fitoren e luftës dhe t’independencës. Partia organizoi që në ditët e para të formimit të saj njësitë guerile të qyteteve. Nën drejtimin direkt t’Enverit anëtarët më të mirë të Partisë, si Vojo Kushi, Misto Mame, Gogo Nushi. Beqir Balluku, Xhorxhi Martini, Shyqri Ishmi etj, kryen në Tiranë aksionet më të guximshme të luftës sonë të fillimit. Sulmoheshin depot në Tiranë hidheshin n’erë, digjeshin centrale telefonike, sulmoheshin qendra luftarake, sulmoheshin dhe shkatërroheshin reflektorët e aviacionit. Mihal Duri me njësitë e tij sulmonte shtypshkronjat, shkatërronte rrjetat telefonike t’armikut, sulmonte agjentët e Ovres dhe të Simit. Spiunë të fashizmit vriteshin gati çdo ditë. Tirana ishte bërë tmerr për fashistët, morali i popullit po ngrihej.

Organi i Partisë “Zëri i Popullit”, sqaronte popullin për kryengritje. Në Vlorë, nën udhëheqjen e Hysni Kapos sulmohen kazermat e milicisë dhe të karabinjerisë, hidhen në erë depot e marinës të Qafës së Koçiut, në Korçë nën udhëheqjen e Pandi Kristos, vriten agjentët e armikut, digjet shtëpia e fashjos, sulmohet fabrika e birrës “Korça” etj. Në Shkodër gueriljet sulmojnë burgjet dhe vrasin spiunët. Aksionet dhe ekzekutimet bëheshin me vendosmëri më të madhe. Vendimet e Komitetit Central Provizor të Partisë ekzekutoheshin me precizonin më të math nga shokët komunistë, të cilët duke qenë vetë në ballë të çdo aksioni, jepnin shembullin e disiplinës, të heroizmit që tregohej nga Partia. Kajo Korafili vret në mes të qytetit dhe në sy të karabinjerëve dhe të policëve spiunin e famshëm Beqir Kazazin. Qemal Stafa, Perlat Rexhepi, Misto Mame, Mihal Duri, e qindra të tjerë me vetëmohim çajtën rrugën e akteve heroike. Në këtë kohë Anastas Lula, Sadik Premte dhe disa shokë të tjerë vazhdonin veprën e tyre kundër Partisë.

saa

Komiteti Central Provizor i Partisë mori vendimin të marrë masa. Shoku Enver u ngarkua të mbledhi fakte kundra veprimtarisë së tyre antiparti, të thëresi një konferencë të Partisë dhe të formulojë akuzën kundra këtyre elementave devitorë. Konferenca u bë në Tiranë, në një kohë kur terrori i armikut ishte i madh. Për dy ditë rresht Enveri e shokët e tjerë sulmuan me fakte në dorë Anastas Lulon dhe Sadik Premten dhe pasi këta u përpoqën deri në fund të mbronin pikëpamjet e tyre kundra Partisë u muar vendimi unanim për dëbimin jashtë nga Partia të trockistave Anastas Lulo dhe Sadik Premte. U muar masa të tjera kundra atyre që pasonin Anastas Lulon. Nën kushtrimin e Partisë, demonstratat antifashiste të popullit u bënë më të dendura. Çetat e maleve filluan goditjet e para. Në kufijtë veriorë të Shqipërisë popujt e Jugosllavisë kishin kohë që kishin filluar luftën kundër okupatorëve. Lufta e tyre ishte ndihmë e madhe për luftën tonë. Ajo na inkurajonte, na ngrohte zemrat, na forconte, sido që nuk dihej gjë konkrete se sa partizanë jugosllavë ishin në male dhe se ku luftonin. Po lufta na bashkonte, megjithëse lidhjet mungonin. Shumë nga patriotët jugosllavë që kapeshin silleshin në burgjet tona dhe në kampet e përqendrimit në Shqipëri.

Aty nga viti 1941 njësitet tona sulmuan një nga këto kampe qëndrimi dhe çliruan shumë nga të internuarit patriotë të shquar jugosllavë, si Miladin Popoviçi. Të tjerë jugosllav japin jetën për vëllazërimin e popujve tonë që male e male i ndajnë nga njëri-tjetri. Këto po forcojnë dhe vulosin përherë e më shumë miqësinë dhe vëllazërimin e popujve, shqiptarë dhe jugosllavë. Okupatori që kuptoi rolin e madh të partisë që në veprimet e para të sajë nxitoi për të marrë masa për t’i bërë ballë situatës që po krijohej. Zëvëndësojë menjëherë qeverinë e Vërlacit me qeverinë e grushtit të fortë të Mustafa Krujës, organizoi një propagandë më të madhe demagogjike, rifilloi persekutimet në shkallë më të gjerë dhe ngriti në sistem terrorin mbi popull. Por Partija nuk u tut. Enveri vazhdonte të qëndronte në Tiranë për të drejtuar punën dhe aksionet. Shtëpitë e popullit fukara të lagjes së Tiranës Vorri i Bomit u bënë qëndrat kryesore, nga ku dilnin parrullat dhe direktivat e partisë që mobilizonin masat për luftë dhe i shtinin datën armikut. Enveri është në kontakt të përditshëm me shokët që kanë përgjegjësi të ndryshme. Ai i udhëzon këta dhe gjithë shokët e qarqeve në luftën e tyre dhe nëpërmjet tyre merë eksperiencën e masave.

Heronjtë e harruar të Hoxhës

Pas divorcit me Titon, Enver Hoxha ka revizionuar tërësinë e kujtimeve nga ditët e dashurisë me liderët politikë të Jugosllavisë. Shumëkënd prej tyre e ka risjellë në të kundërtën e profilit që ka prezantuar në vitet e luftës. Ka qenë kjo arsyeja që emrat e misionarëve të Beogradit kanë bashkëshoqëruar deri në fund tërë literaturën komuniste. Mirëpo nuk ka ndodhur kjo në rastin e pjesës tjetër të jugosllavëve, që fati i luftës i martirizoi në trojet shqiptare.

Biografia e Enverit e vitit 1946 përshkruan një ngjarje të panjohur më parë me protagonist tre syresh. Në të bëhet fjalë për një betejë në Veri të Shqipërisë. “Profesori Filip Popoviç dhe heroi Vasa Strugari, shkruhet aty, luftuan dhe u vranë heroikisht te liqeni i Shkodrës, duke mbrojtur deri me vdekje radiostacionin që u kishte dhënë Enveri për të bërë lidhje me forcat e Peko Dapcoviçit dhe Milutinoviçit.”

Veç këtyre rreshtave në biografinë e parë të Enverit, askund tjetër nuk u zu në gojë ky episod i viteve të luftës. Tre martirët e liqenit të Shkodrës do t’u bashkoheshin kësisoj heronjve të harruar të Hoxhës. Revanshi i tij për të sunduar pushtetin nuk do kishte nevojë për ta. Për të mjaftonte retorika anti-titiste dhe ditirambet e tjera propagandistike.

Vijon nga numri i kaluar…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura