Dr. Almira Isufi e para në botë, kryen ndërhyrjen kirurgjikale në pacient me robot në Boston

Jun 30, 2023 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA XHEVAT MUSTAFA/ Prej shumë vitesh jemi mësuar me praktikën apo traditën që për njerëz të shquar krejt shqiptarë apo me origjinë të pjesshme apo të largët shqiptare, të flitet dhe shkruhet më shumë nëpër botë, në vendet ku kanë jetuar e punuar e ku kanë bërë emër, famë, karrierë, edhe përtej kufijve të këtyre vendeve, sesa në Shqipëri.

31453962_2073002856244855_6220707537763696640_n

Në këtë rreth bën pjesë edhe dr. Almira Isufi. Është shprehës fakti se me synimin dhe dëshirën për të gjetur informacione dhe shkrime për këtë “yll shqiptar” në fushën e stomatologjisë, profilizuar dhe afirmuar prej vitesh në Endodonti, deri në universitete amerikane dhe evropiane me prestigj botëror, si ai i Bostonit, Harvardit, ose Sapienza, kur klikova emrin e saj në “Google”, shumë pak informacione gjeta në gjuhën shqipe, ndërsa të shumtë janë materialet në anglisht rreth punës dhe arritjeve të saj. Karriera prestigjioze e dr. Isufit, ka nisur nga auditorët e Universitetit te Tiranës ku u diplomua në Master Shkencor në Stomatologji.

Ajo ka fituar titullin “Doktor i Shkencave” në sëmundjet e skeletit dhe zonës orale-maksilo-faciale me vlerësimin “Summa Cum Laude” nga Universiteti “Sapienza” i Romës, Itali, ku gjithashtu ka fituar më parë edhe titullin Master i Nivelit të Dytë në Endodonti përsëri me vlerësimin “Summa cum Laud”e, dhe diplomën e specializimit trevjeçar në Ortodonci. Tani, si profesoreshë në “Boston University Henry M. Goldman School of Dental Medicine”, në USA, realizon leksione, projekte kërkimi shkencor dhe udhëheqje të specializantëve të “Advanced Specialty Education Program in Endodontics”.

Puna pioniere e dr. Isufit me Yomi Robot, që dëshmon aftësitë e saj të shkëlqyera dhe qasjen inovative ndaj kirurgjisë endodontike, është domethënëse, sepse përfaqëson një kufi të ri në fushën e Endodontisë. Ndërsa asistimi robotik është përdorur në specialitete të tjera kirurgjikale, përdorimi i tij në Endodonti është i ri. Arritja e Dr. Isufit me siguri do të hapë rrugën për futjen në përdorim të metodave të reja dhe inovative në kirurgjinë endodontike, duke përmirësuar rezultatet klinike te pacientët dhe duke avancuar fushën e Endodontisë, duke hedhur hapin e parë drejt asaj që mund të jetë e ardhmja në këtë specialitet në pak vite. Përveç kësaj, dr. Isufi është eksperte në softuerët e rikonstruksionit 3D në Stomatologji, veçanërisht në Endodonti.

Almira Isufi

Ekspertiza e dr. Isufit në këtë fushë është veçanërisht e rëndësishme, sepse paraqet një përparim të rëndësishëm në fushën e Endodontisë dhe Dentistrisë, duke mundësuar diagnozën dhe planifikimin e trajtimit më të saktë dhe më preciz, duke synuar drejt ndërhyrjeve minimalisht invazive sidomos në ndërhyrjet në pacientët me lezione kanceroze të regjionit oro-maksilo-facial. Studimet e saj janë botuar si artikuj në revista prestigjioze “peer-reviewed”, është bashkautore në libra në Endodonti dhe Ortodonci, ka prezantuar punën e saj në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, duke marrë nderime dhe çmime. Ndër këto nderime është përzgjedhja nga Departamenti i Shtetit Amerikan për programin prestigjioz “Fulbright Visiting Scholar”.

Përveç arritjeve të saj kërkimore, dr. Isufi është edhe një pedagoge e përkushtuar, prej disa vitesh në Fakultetin e Mjekësisë Dentare të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe në “Aldent University”. Ajo është lektore e ftuar dhe ka mbajtur leksione dhe “hands-on workshops në Harvard School of Dental Medicine” për specializantët e “Advanced Graduate Program in Endodontics”, në Masterin e Nivelit të Dytë në Endodonti dhe gjithashtu edhe për studentët e programit të studimit në Stomatologji e Proteza Dentare në Universitetin Sapienza, të Romës; në Masterin e Nivelit të Dytë në Kirurgjinë e Avancuar Orale dhe Implantologji Dentare dhe në Masterin e Nivelit të Dytë në Mjekësi Estetike në Shkenca Mjekësore në Universitetin “Aldo Moro” në Bari, Itali.

Ajo ka mbikëqyrur dhe bashkë-mbikëqyrur punime diplomimi në Shqipëri, Itali e SHBA dhe i pëlqen të punojë me studentët, t’i udhëzojë, këshillojë dhe t’i inkurajojë ata të prezantojnë punën e tyre në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, ajo ka ushtruar profesionin në klinikën “Roma-Dent” në Tiranë për 10 vite. Përkushtimi i dr.  Isufit në profesionin e saj dhe ndaj kolegëve dhe Dentistrisë në Shqipëri, është i dukshëm edhe në rolin e saj si Anëtare Themeluese dhe Presidentja e parë e Shoqatës së Endodontëve të Shqipërisë (AES), e themeluar në shkurt 2019 dhe pjesë e Shoqatës Evropiane të Endodontologjisë nga shtatori 2019.

Almira Isufi1

Dr. Isufi shprehet krenare për këtë arritje, duke shpresuar se do të hapë perspektiva dhe mundësi të reja për brezat e ardhshëm të dentistëve dhe endodontëve në Shqipëri. Dr. Almira ka përgatitur një propozim bashkëpunimi për Fondacionin e AAE (Shoqata Amerikane e Endodontisë) për të sjellë Programin e tyre Outreach në Shqipëri dhe është në diskutime për hapat e ardhshëm të realizimit të këtij projekti që do të sjellë mjekë stomatologë specialistë nga SHBA në bashkëpunim me ata shqiptarë, të cilët do të realizojnë trajtime në pacientët shqiptarë në nevojë dhe në zona më pak të aksesueshme ndaj trajtimit dentar.

Dr. Almira, ashtu si edhe personalitete të tjerë shqiptarë të njohur në botë për veprimtarinë e tyre, suksesin e kanë arritur larg Shqipërisë, larg vendit e familjes së tyre. Por ky fenomen është universal, ashtu si shikohet edhe në vende të tjera më të përparuara në aspektin ekonomik dhe të zhvillimit të kërkimit shkencor, me shumë më tepër mundësi se Shqipëria jonë, ku shembulli më i afërt është Italia. Këta të rinj të talentuar, me punën, përkushtimin, pasionin dhe sakrificën e tyre, na bëjnë krenarë, ngrenë lart emrin tonë, përfaqësojnë flamurin tonë dhe japin shembullin më të mirë të shqiptarëve, duke spikatur ndërmjet kolegëve nga vendet e ndryshme të botës. Këta “ambasadorë” të Shqipërisë duhen përkrahur, përgëzuar dhe t’u mundësohet të arrijnë majat dhe shkëlqimin atje ku është e mundur për ta.

Mund të dëshirojmë e pretendojmë të realizojnë kontributin e tyre në vendin tonë, por nga ana tjetër duhet të jemi të kujdesshëm të mos u “djegim” të ardhmen, duke qenë të vetëdijshëm që kushtet të cilat ne i ofrojmë ndoshta nuk u japin mundësi të realizojnë potencialin e tyre, të shprehin talentin në fushën e tyre të veprimtarisë, të realizojnë projektet dhe studimet e tyre kërkimore. Për momentin mund t’i përgëzojmë dhe të jemi të lumtur e mirënjohës që shkëlqimin e suksesit të tyre e reflektojnë në Shqipëri. Shpresojmë në të ardhmen do të mund të krijohen kushtet që talentet tanë të kenë mundësi të zgjedhin Shqipërinë për të punuar e të mos jenë të detyruar të largohen.

Almira Isufi12

Puna inovatore e dr. Almira Isufi në Endodonti, duke përfshirë arritjen e saj të fundit për kryerjen e apikoektomisë së parë në botë me ndihmën dhe guidën haptike të Yomi Robot dhe ekspertiza e saj në softuerë të rikonstruksionit 3D në endodonti, përfaqësojnë një përparim të rëndësishëm në këtë fushë të stomatologjisë. Me punën dhe kontributin e saj në fushën e Endodontisë, dr. Almira është një shembull ekselent frymëzues për të rinjtë, të cilët mund të arrijnë suksesin e merituar me punë, talent e përkushtim.

Almira Isufi121

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura